Një humbje e madhe për minoritetin bullgar në Shqipëri

Ka ndërruar jetë përkthyesja nga bullgarishtja në shqip, Janka Trifonova-Selimi

Mërkurë, 4 Nëntor 2026, 09:31

Janka Trifonova-Selimi

Janka Trifonova-Selimi

FOTO: arkiv personal/ Milena Selimi

Madhësia e shkronjave

Ka ndërruar jetë përkthyesja e njohur mes gjuhës bullgare dhe asaj shqipe, si dhe gazetarja me origjinë nga Dobriçi(Bullgaria Veriperëndimore), Janka Trifonova-Selimi. Lajmi u bë i ditur nga e bija e saj, Milena Selimi, përmes një postimi në Facebook.

“Sot luledielli im uli kokën. Janka Selimi, bija e Dobruxhës, pedagoge dhe përkthyese e gjuhës bullgare në Radio Tirana, përkthyese e njohur e letërsisë ballkanike, urë kulturore mes Shqipërisë dhe Bullgarisë dhe mbrojtëse e palëkundur e pakicës bullgare në Shqipëri. Ajo ishte bashkëshortja e dashur e Skënder Selimit, nëna e Milenës dhe Adrianit, gjyshja e Alesias dhe Madit dhe stërgjyshja e Adrianit të ri”, shkroi Milena Selimi.

Janka Selimi

Janka Selimi

FOTO: arkiv personal

“Me urtësinë, dijet, butësinë, dashurinë dhe aftësinë e saj për vetësakrifikim, ajo më mësoi, deri në çastin e fundit të ekzistencës së saj fizike, se detyra më e lartë në jetë është të mësosh si të largohesh prej saj. Ajo e përmbushi edhe këtë detyrë me dinjitet dhe stoicizëm, ashtu siç iu qas çdo përgjegjësie tjetër në jetën e saj. Nëna ime e mrekullueshme, ajo që nuk reshti kurrë së shkruari, së përkthyeri dhe së treguari histori, deri në çastet e fundit të jetës. Ajo është një shembull i vërtetë force, guximi dhe talenti, jo vetëm si përkthyese, por edhe si grua, nënë dhe bashkëshorte e dashur!”, ndan gjithashtu Milena Selimi.

Janka Selimi

Janka Selimi

FOTO: Faqja e Milena Selimit në Facebook

Ajo shtoi se e ëma lë pas një trashëgimi të çmuar në formën e përkthimeve të shumta. Milena Selimi vëren se poezitë e para të Georgi Gospodinovit në gjuhën shqipe u botuan në përkthimin e Janka Selimit. E doja pa e takuar kurrë. Ishte përkthyesja ime e parë në gjuhën shqipe. Do t’i ruaj mesazhet e saj. Dashuri dhe kujtim“, shkroi në Facebook shkrimtari i njohur bullgar.

Falë veprimtarisë së zonjës Selimi si përkthyese, tek lexuesit shqiptarë kanë mbërritur vepra të autorëve bullgarë si Jordan Jovkov, Bllaga Dimitrova, Stefan Canev, Bojan Biollçev dhe të tjerë.

Milena Selimi dhe Janka Selimi

Milena Selimi dhe Janka Selimi

FOTO: arkiv personal i Milena Selimit

Milena Selimi përmend gjithashtu një intervistë të nënës së saj për revistën “Biograph”, me titull “Zëri nga bunkeri”, duke theksuar se Janka Selimi ishte e huaja e fundit në Shqipëri që kishte jetuar dhe përjetuar regjimin komunist, njofton BTA.

“Janka Selimi mbërriti në Shqipëri në një kohë kur vendi po mbyllej hermetikisht ndaj gjithë botës dhe kjo la gjurmë të thella në jetën e saj. Tirania u përpoq të shkatërronte familjen e saj, ndërsa shërbimet sekrete Sigurimi i Shtetit (DSSh) e vëzhgonin ditë e natë, sepse, si e huaj, dyshohej se ishte spiune. Ajo filloi punë në radion komuniste shqiptare dhe për dekada me radhë ishte e detyruar të drejtonte emisionet në gjihën bullgare për dëgjuesit jashtë vendit, si edhe të përkthente dhe të lexonte në transmetim veprat e diktatorit Enver Hoxha”, shkruan në një postim në rrjetet sociale Bozhidar Bozhkov, i cili punoi për artikullin e revistës “Biograph”, dhe shton:

“Janka ishte 91 vjeçe kur pranoi të më ndihmonte për tekstin, edhe pse e sëmurë rëndë. Për afro dy muaj komunikuam rregullisht nëpërmjet internetit; ajo më tregonte kujtimet e saj dhe më dërgonte fotografi. Arriti ta shihte botimin e artikullit në fillim të tetorit. Dy javë më parë arriti të merrte edhe vetë revistën, të cilën ia dërgova në Shqipëri.” 

Sipas informacionit të publikuar në faqen e rrjetit të përkthimit Traduki, Janka Trifonova-Selimi lindi në Dobriç në vitin 1935. Ajo studioi gjuhën ruse në Universitetin e Moskës, pas së cilës për shumë vite punoi si përkthyese nga bullgarishtja në Radio Tirana dhe si pedagoge e gjuhës ruse dhe bullgare në universitetin e kryeqytetit shqiptar.


Janka Selimi

Janka Selimi

FOTO: Arkiv personal i Milena Selimit

E bija e saj, Milena Selimi, ndan edhe një kujtim tjetër të çmuar dhe tejet të bukur, që lidhet me rrënjët bullgare të nënës së saj të dashur:

"Në kujtesën time ringjallet përralla magjepsëse që ma tregonte nëna ime , Janka ime e dashur, për shtëpinë mbi kodër, prej së cilës shiheshin fushat e arta të Dobruxhës. Aty, kur ishte vetëm pesë vjeçe, ajo përpiqej të kapte diellin teksa fshihej pas kodrës. Ngjitej shkallë pas shkalle, e mbushur me habi, kureshtje dhe pritjen e një zbulimi të madh: ku shkon dielli? Çfarë ka përtej kodrës ku ai perëndon? A ka atje shtëpi, njerëz apo toka të tjera? Por dielli nuk zhdukej kurrë plotësisht dhe shkallët dukeshin sikur nuk kishin fund, derisa binte muzgu.  'E gjeta diellin; ti je dielli im', më shkroi ajo dikur."

Drita e një jete shuhet, por bukuria e fjalës mbetet. U prehtë në paqe!


Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë: 


Redaktoi: Ivo Ivanov, Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva