SHOQËRI

Artikull

Njohuritë mediatike dhe vlerat

Çelësi për mbrojtjen e demokracisë në epokën e inteligjencës artificiale

Sofja ishte mikpritëse e festivalit ndërkombëtar Democracy & Information Festival, kushtuar dezinformimit, inteligjencës artificiale, mirëqenies digjitale dhe së ardhmes së shoqërisë demokratike

Mërkurë, 4 Nëntor 2026, 14:30

Çelësi për mbrojtjen e demokracisë në epokën e inteligjencës artificiale

FOTO: eurispes.eu

Madhësia e shkronjave

Si mund ta ruajmë aftësinë tonë për të menduar në mënyrë kritike në një kohë kur inteligjenca artificiale mund të krijojë tekste, imazhe dhe video bindëse, ndërsa rrjetet sociale ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si e perceptojmë botën? Dhe si mund t'i mbrojmë vlerat demokratike kur informacioni shndërrohet në një mjet për të ndikuar mbi qëndrimet e opinionit publik? Këto pyetje ishin në qendër të aktivitetit ndërkombëtar Democracy & Information Festival, i cili më 3 nëntor mblodhi në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski” ekspertë, pedagogë universitarë, përfaqësues të organizatave qytetare dhe të rinj nga vende të ndryshme evropiane.

Çelësi për mbrojtjen e demokracisë në epokën e inteligjencës artificiale

FOTO: Ljubomir Kollarov

Edicioni i parë i forumit u organizua nga Shoqata Evropiane për Interesat e Shikuesve EAVI, me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Gjatë ditës, pjesëmarrësit diskutuan lidhjen ndërmjet njohurive mediatike dhe paqes, mundësitë dhe rreziqet e inteligjencës artificiale, ndikimin e kompanive të mëdha teknologjike dhe përgjegjësinë për krijimin e një mjedisi digjital më të shëndetshëm.

Një nga theksimet kryesore të diskutimeve u bë nga themeluesi dhe sekretari i përgjithshëm i EAVI-t, Prof. Dr. Paolo Celot. Sipas tij, njohuritë mediatike tashmë nuk kufizohen vetëm te aftësia për të dalluar informacionin e besueshëm. Me zhvillimin e inteligjencës artificiale, atyre u shtohet edhe nevoja për kompetenca të reja teknike, mendim kritik dhe pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore.

Sekretari i përgjithshëm i EAVI-t, Paolo Celot

Sekretari i përgjithshëm i EAVI-t, Paolo Celot

FOTO: Ljubomir Kollarov

“Përgjegjësia nuk duhet të bjerë vetëm mbi supet e qytetarëve. Është e rëndësishme që edhe njerëzit që kanë pushtet – si në qeverisje, ashtu edhe në biznes – të kenë njohuri mediatike.”

Celot tërhoqi vëmendjen edhe te roli i mediave publike dhe gazetarisë së pavarur. Në një mjedis informativ, ku interesat ekonomike private jo gjithmonë përputhen me interesin publik, ato kanë rëndësi të veçantë për qasjen në informacion të verifikuar dhe për ruajtjen e lidhjes ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.

“Mediat publike janë padyshim një aleat i njohurive mediatike. [...] Mediat publike janë miqtë tanë.”

Në fjalën e tij në festival, Celot ngriti gjithashtu çështjen e përqendrimit të ndikimit në duart e një numri të vogël kompanish të mëdha teknologjike. Sipas tij, problemi nuk është vetë teknologjia, por mënyra se si platformat digjitale janë projektuar për të tërhequr dhe mbajtur vëmendjen e përdoruesve dhe për të shfrytëzuar dobësitë e tyre. Ai e drejtoi vëmendjen edhe te fuqia e rrëfimeve shoqërore, sepse dezinformimi nuk përhapet vetëm nëpërmjet fakteve të pavërteta, por shpesh edhe përmes historive ndikuese, të cilat formësojnë frikën dhe pritshmëritë e njerëzve.

Nevoja për një mendim kritik më të zhvilluar u theksua edhe nga pjesëmarrësit bullgarë. Prof. Madeleine Danova, zëvendësrektore e Universitetit të Sofjes, mendon se sistemi arsimor ka ende shumë punë për të bërë në drejtim të njohurive mediatike. Sipas saj, është e nevojshme që mësimdhënia në këtë fushë të rregullohet më qartë dhe të bëhet një element i detyrueshëm i përgatitjes së nxënësve dhe studentëve.

Prof. Madeleine Danova

Prof. Madeleine Danova

FOTO: Ljubomir Kollarov

“Ka ende shumë punë për t'u bërë. [...] Duhet të ndërmerren hapa që lidhen edhe me formalizimin e këtij mësimi, në mënyrë që të përparojë të kuptuarit e dezinformimit, lajmeve të rreme dhe gjithçkaje që ndot mjedisin tonë mediatik.”

Danova vuri theksin edhe te nevoja për dialog – vetëm nëpërmjet një bisede të hapur për frikën dhe problemet e shoqërisë mund të kërkohet një konsensus për të ardhmen e saj. Në këtë kontekst, tema e paqes dhe e njohurive mediatike merr edhe një dimension më të gjerë vlerash.

Një vlerësim më skeptik për gatishmërinë e shoqërisë bullgare për t'u përballur me dezinformimin dha prof. dr. Danaill Danov, pedagog në fushën e pedagogjisë mediatike. Sipas tij, sasia e madhe e informacionit që kemi në dispozicion nuk do të thotë automatikisht se jemi më të mirëinformuar. Problemi qëndron te mënyra se si sillemi ndaj përmbajtjes:

Prof. dr. Danaill Danov

Prof. dr. Danaill Danov

FOTO: Ljubomir Kollarov

“Një pjesë e madhe e këtij informacioni është dezinformim [...] dhe një pjesë shumë e madhe e përdoruesve e pranojnë pa e vënë në dyshim gjithçka që dëgjojnë, shohin dhe lexojnë si rrjedhë informacioni.”

Danov është përkrahës i qasjes që mendimi kritik të mos kufizohet vetëm në një lëndë të veçantë mësimore, por të zhvillohet në të gjitha fushat e arsimit – që nga kopshti i fëmijëve. Ai dha si shembull modelin arsimor finlandez, në të cilin aftësitë për analizë, kureshtja dhe kërkimi i zgjidhjeve janë pjesë e disiplinave të ndryshme mësimore.

Perspektiva evropiane në këtë drejtim u prezantua nga prof. dr. Marco Ricceri, president i EAVI-t. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ai theksoi nevojën për mbështetje të vazhdueshme institucionale dhe rëndësinë e kuadrit rregullator evropian. Por kjo, në vetvete, nuk mjafton për krijimin e një mjedisi informativ më të përgjegjshëm dhe të një kulture pozitive shoqërore.

Prof. dr. Marco Ricceri

Prof. dr. Marco Ricceri

FOTO: Ljubomir Kollarov

“Sistemi rregullator është shumë efektiv dhe i rëndësishëm. Por nevojitet mbështetje më e fortë dhe bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet institucioneve evropiane, universiteteve dhe organizatave të shoqërisë civile, në mënyrë që te njerëzit të ndërtohet një kulturë pozitive.”

Semih Solmaz

Semih Solmaz

FOTO: Ljubomir Kollarov

Në diskutimin për ndikimin e platformave teknologjike, Semih Solmaz, drejtues i projekteve, zhvillimit dhe komunikimit në EAVI, tërhoqi vëmendjen te lidhja ndërmjet mënyrës se si funksionojnë rrjetet sociale, emocioneve të përdoruesve dhe mirëqenies së tyre digjitale. Sipas tij, platformat janë krijuar para së gjithash për të mbrojtur interesat e tyre, gjë që mund të bjerë në kundërshtim me interesin publik.

Lidija Kralj (në të djathtë)

Lidija Kralj (në të djathtë)

FOTO: Ljubomir Kollarov

Aspekti praktik i njohurive mediatike u prezantua edhe nga Lidija Kralj – analiste dhe specialiste e inteligjencës artificiale dhe të dhënave në arsim, e cila theksoi nevojën që nxënësit të mësojnë të verifikojnë informacionin, të krahasojnë burime të ndryshme dhe të mos mbështeten vetëm te përmbajtjet në rrjetet sociale. Inteligjenca artificiale duhet të mbetet një mjet dhe jo një zëvendësuese e të menduarit të pavarur.

Çelësi për mbrojtjen e demokracisë në epokën e inteligjencës artificiale

FOTO: Ljubomir Kollarov

Festivali përfundoi me një maratonë rinore programimi “Getting Real with AI”, në të cilën pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillonin ide për përdorimin e përgjegjshëm, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt njeriut të inteligjencës artificiale.

Mesazhi i përbashkët i takimit në Sofje ishte se përparimi teknologjik, në vetvete, nuk garanton një shoqëri më të mirëinformuar dhe demokratike. Për këtë nevojiten arsimimi, mendimi kritik, gazetaria e pavarur dhe përgjegjësia e përbashkët. Ndërsa në themel të këtyre përpjekjeve qëndrojnë vlerat që i japin kuptim demokracisë – liria, respekti për tjetrin, dialogu dhe pjesëmarrja aktive qytetare.

Shihni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski