Autor
Diana Cankova
Artikull
Dy mundësi për arsimin tonë – evolucion i kontrolluar ose vetëshkatërrim
“Vërehen mungesa serioze në aftësitë digjitale të nxënësve bullgarë”, thotë Prof. Rumjana Pejçeva‑Forsajt
Premte 19 Qershor 2026 06:55
Premte, 19 Qershor 2026, 06:55
FOTO: Center for Educational Technologies - Sofia Univeristy
Madhësia e shkronjave
Të dhënat e
bazuara në studime ndërkombëtare zbulojnë një pamje jo të gëzueshme – të rinjtë
bullgarë renditen ndër vendet e fundit në Evropë për sa i përket aftësive
digjitale. Kjo i ka shtyrë pedagogët e Universitetit të Sofjes “Shën Kliment
Ohridski” të kryejnë një studim kombëtar në shkallë të gjerë, për të përcaktuar
parametrat e digjitalizimit në arsimin e mesëm, përfshirë përgatitjen e
mësuesve, dhe për të propozuar zgjidhje të informuara për menaxhimin e sistemit.
Projekti “Digjitalizimi i arsimit të mesëm bullgar”, i udhëhequr nga Prof. Rumjana Pejçeva‑Forsajt, përfshin 350 shkolla në vend, 2400 mësues, 1200 nxënës, 700 prindër, si edhe vëzhgimin e 250 orëve mësimore. Cilat janë përfundimet?
FOTO: Center for Educational Technologies - Sofia Univeristy
“Shumica e
mësuesve e vlerësojnë veten në nivelet fillestare të kompetencës digjitale
– thotë Prof. Forsajt. – Aty ku bëhet fjalë për kompetenca më të ndërlikuara,
si nxitja e të menduarit kritik gjatë përdorimit të teknologjive, pavarësia e
nxënësve kur i përdorin ato për krijimin e artefakteve, zgjidhjen e problemeve
apo zhvillimin e projekteve, një pjesë e
madhe e mësuesve ndihen të papërgatitur, të pafuqishëm dhe kanë nevojë për
mbështetje.”
Profili i aftësive digjitale të nxënësve është i ngjashëm
– ata zotërojnë aftësi bazë, si kërkimi i informacionit në internet me ndihmën
e aplikacioneve të zakonshme. Në të njëjtën kohë vërehen mungesa serioze kur
bëhet fjalë për vlerësimin kritik të burimeve dhe besueshmërisë së tyre, për
punën me produkte digjitale më komplekse dhe për sjellje të përgjegjshme
online.
Sa i përket shkollave, tendenca është për vetëvlerësim të lartë, por në praktikë shumë prej tyre nuk kanë strategji për digjitalizimin ose nuk i zbatojnë ato. Kështu, shembujt e mirë zakonisht janë rezultat i iniciativës së mësuesve të veçantë dhe jo i një qasjeje sistematike.
FOTO: Ministria e Arsimit dhe Shkencës
“Teknologjitë
digjitale ende përdoren për të zëvendësuar rolin e mësuesit – përtë ilustruar
dhe paraqitur përmbajtje, por kryesisht për forma të njohura pune – vazhdon Prof.
Rumjana Forsajt. – Pra, mësuesi ligjëron, ndërsa nxënësit shikojnë dhe
dëgjojnë. Praktikat transformuese, të përdorura për të nxitur fëmijët të
vlerësojnë në mënyrë kritike, të krijojnë projekte dhe të marrin pjesë në
aktivitete interaktive, janë jashtëzakonisht të rralla, sepse mësuesit nuk i
njohin ose nuk ndihen të mbështetur në punën me nxënësit. Nuk justifikohet as
pritshmëria e përgjithshme se një shkollë e pajisur mirë me teknologji është
domosdoshmërisht një parakusht për zhvillimin e digjitalizimit.”
Prof. Rumjana
Forsajt përmbledh: “Sistemi ynë arsimor nuk është në proces të transformimit
digjital, sepse nuk ka tregues seriozë se teknologjitë po çojnë drejt një
transformimi të cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënies.” Sipas saj, rezultatet do të jenë të dukshme kur nxënësit
të fillojnë të përmirësojnë arritjet e tyre jo vetëm në aspektin e kompetencave
digjitale, por edhe në plan të përgjithshëm, pasi ata renditen në fund të
klasifikimeve për lexim, shkrim dhe kuptim.
Studiuesja thekson edhe një fenomen tjetër – të
ashtuquajturën pabarazi digjitale, e cila lidhet me aftësitë e prindërve.
Ndërsa disa prej tyre dallohen për kompetencë të lartë digjitale dhe shpesh
kufizojnë kohën që fëmijët e tyre kalojnë pa kontroll para ekraneve, të tjerë
me nivel më të ulët të shkrim‑leximit
digjital mbështesin përdorimin e lirë të teknologjive, me idenë se
kjo u hap fëmijëve derën drejt një të ardhmeje më të mirë në një shoqëri
digjitale. “Është e domosdoshme që
prindërit të përfshihen në një mënyrë ose tjetër”, është kategorike Prof.
Rumjana Forsajt.
A janë të arritshme në një të ardhme të afërt objektivat që duhet të ndiqen, në mënyrë që nxënësit të fitojnë njohuri bazë digjitale, dhe nga kush varen ato?
FOTO: Ministria e Arsimit dhe Shkencës
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me
Institutin e Arsimit, po nis një projekt të ri trevjeçar, i fokusuar në futjen
e qasjes së kompetencave në shkolla – përgjigjet Prof. Rumjana Forsajt. – Po, objektivat janë të arritshme, kur
formimi i kompetencave digjitale nuk është vetëm detyrë e mësuesit të
informatikës dhe teknologjive të informacionit, por kur mësuesit e të gjitha
lëndëve përgatiten të punojnë së bashku mbi bazën e një qasjeje ndërdisiplinore
dhe përfshijnë nxënësit në aktivitete të ndryshme kreative. Dhe, meqenëse
kjo është një punë e përbashkët, në të duhet të përfshihen edhe prindërit, në
mënyrë që të jenë të vetëdijshëm për atë që ndodh në klasë.”
“Evolucion i
kontrolluar” – me këtë term Prof. Rumjana Forsajt
përshkruan procesin që i nevojitet sistemit tonë arsimor.
FOTO: Ministria e Arsimit dhe Shkencës
“Edhe nëse nuk
kemi forcë, do të vijë një kohë kur kjo do të jetë aq e domosdoshme, sa nuk do
të kemi zgjedhje tjetër – shton Prof. Rumjana Forsajt. – Kur të rezultojë
se objektivat kryesore të sistemit arsimor, të lidhura me përgatitjen e të
rinjve për t’u zhvilluar në aspektin kognitiv, social dhe emocional, për t’u
bërë qytetarë të plotë në një ekonomi që zhvillohet me shpejtësi, nuk mund të
përmbushen dhe ne krijojmë fëmijë që vuajnë nga ekspozimi i tepruar ndaj
teknologjive digjitale, nëse ato nuk i nxisin të mendojnë, të bashkëpunojnë, të
komunikojnë, të jenë të plotë, atëherë – pa marrë masa – ky sistem do të
vetëshkatërrohet. Është e nevojshme që
sistemi të gjejë forcë në të gjitha nivelet e tij dhe politikanët, Ministria e Arsimit
dhe Shkencës, universitetet që përgatisin mësues, si edhe prindërit, në mënyrë
të sinkronizuar të rishqyrtojnë dhe riformulojnë se çfarë do të thotë arsimi,
mësimdhënia dhe shkenca pedagogjike sot.”
Në rast të kundërt, të rinjtë do të mbeten të
papërshtatshëm për tregun e punës, i cili ndikohet nga teknologjitë digjitale
dhe kërkon fleksibilitet, nivele të larta njohurish dhe aftësi kognitive. “Nëse
nuk i kanë, ata thjesht shndërrohen në njerëz të paaftë të realizojnë veten dhe
të mbijetojnë, përfshirë në aspektin ekonomik dhe social”, thotë në përfundim Prof.
Rumjana Forsajt.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Na duhen rregulla në shkolla, IA mund të imitojë shumë mirë shprehjen njerëzore
- Në shkollë duhet të zhvillohen aftësi që inteligjenca artificiale nuk i ka
- Si STEM përgatit liderët e ardhshëm në teknologji?
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva