Nga vende të ndryshme, në një skenë të përbashkët

Shoqata e Grupeve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit feston 10-vjetorin

Seminari krijues dhe koncerti festiv në Sofje janë pjesë e veprimtarive për këtë përvjetor

Premte, 6 Nëntor 2026, 06:02

Shoqata e Grupeve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit feston 10-vjetorin

FOTO: Shoqata e Grupeve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit

Madhësia e shkronjave

Shoqata e Grupeve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit (ABFSCH) do të festojë 10-vjetorin e krijimit me një koncert festiv, që do të mbahet më 7 nëntor në Sofje. Koncerti është gjithashtu një nga momentet kryesore të Seminarit të Pestë Krijues të drejtuesve të grupeve folklorike bullgare jashtë vendit.

“Synimi ynë është që çdo vit të vizitojmë një nga krahinat folklorike të Bullgarisë. Këtë vit jemi në krahinën e Shopëve”, shpjegoi për Radio Bullgarinë drejtuesja e shoqatës. Përveç drejtimit të kësaj organizate, ku bëjnë pjesë më shumë se 60 grupe artistike nga vende të ndryshme të botës, Radosllava Nedjalkova drejton edhe Ansamblin Folklorik “Nashenci” në Milano.

Radosllava Nedjalkova

Radosllava Nedjalkova

FOTO: Elena Karkallanova

Nga ajo mësuam se më 7 nëntor, në skenën e Joy Station, do të ngjiten Formacioni Folklorik Ndërkombëtar “Rinia në Shesh”, Kolektivi Botëror i Vallëzimit “Kurbetçinj” dhe Kori i Përbashkët Popullor “Buqeta Shumëngjyrëshe”. Këto janë formacione të përbëra nga valltarë bullgarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe për të cilët folklori i atdheut është njëkohësisht mision dhe magji. Puna në distancë është një sfidë serioze, mësojmë nga Radosllava Nedjalkova:

“Grupet përbëhen nga njerëz që jetojnë në vende të ndryshme dhe organizojnë kampe artistike, ku mblidhen në një vend të caktuar në Evropë. Shkojnë për një fundjavë dhe përgatitin koreografinë që do t’ju prezantojmë në Sofje më 7 nëntor. Entuziazmi është vërtet një forcë e jashtëzakonshme, që mund të bëjë mrekulli. Jam e lumtur që shoqata jonë ka arritur të bashkojë kaq shumë njerëz me zemër të madhe, të cilët bashkëpunojnë në mënyrë kaq të bukur dhe tregojnë se ne bullgarët, në fund të fundit, jemi shumë të bashkuar dhe mund të krijojmë gjëra të bukura së bashku.”

Një ansambël ndërkombëtar vallëzimi, me valltarë nga mbi 25 grupe të Evropës dhe Amerikës, prezanton shfaqjen “Kthimi dhe festa pas Luftës Ballkanike”


Që më 6 nëntor do të nisë takimi krijues i drejtuesve të grupeve bullgare të vallëzimit nga vende të ndryshme të botës. Gjatë takimit, ata do të diskutojnë vështirësitë me të cilat përballen këto grupe në veprimtarinë e tyre, si financimi me fondet e veta, sigurimi i kostumeve popullore autentike dhe vështirësitë logjistike në organizimin e provave.

“Pikërisht ky është qëllimi: të krijojmë mundësi që drejtuesit e grupeve dhe koreografët të takohen me koreografë vendas, të cilët mund t’i ndihmojnë të përsosin më tej punën e tyre. Në seminaret tona trajtojmë gjithmonë tema të ndryshme, në mënyrë që gjithçka të bëhet sa më mirë dhe të shmanget shtrembërimi i folklorit dhe i asaj që u prezantojmë publikut të huaj, sepse përgjegjësia është e madhe. Në fund të fundit, ne mund të marrim pjesë në një aktivitet, por përmes paraqitjes sonë përfaqësojmë Bullgarinë, ndaj duhet ta përfaqësojmë atë në mënyrën më të mirë të mundshme” - shpjegoi Radosllava Nedjalkova.

Siç tregon edhe përvoja profesionale e lektorëve të ftuar, pjesëmarrësit e seminarit krijues të Shoqatës së Grupeve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit (ABFSCH) do të përfitojnë edhe këtë herë njohuri dhe përgatitje të vlefshme metodike. Por aktiviteti nuk kufizohet vetëm te kjo:

Ana Sotirova

Ana Sotirova

FOTO: Facebook/Shoqata e Grupeve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit

“Përveç trajnimit, këto veprimtari nxisin krijimin e miqësive dhe bashkëpunimeve afatgjata mes drejtuesve të grupeve folklorike bullgare që veprojnë jashtë vendit”, tha në një intervistë për Radio Bullgarinë Ana Sotirova, drejtuese e Shoqatës “Ritmika” në Milano. Ajo do të marrë pjesë në seminarin krijues në Sofje së bashku me drejtuesen e grupit folklorik “Beli Ruzhi”, i përbërë nga italianë që interpretojnë këngë popullore bullgare.

“Sigurisht, askush prej nesh nuk ka reshtur së mësuari veçoritë e krahinave të ndryshme folklorike. Kemi shumë lektorë, të cilët na përcjellin njohuri me shumë vlerë. Edhe pse koha në dispozicion është vërtet e shkurtër, arrijmë të krijojmë lidhje shumë të mira mes grupeve dhe të njihemi gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin.”

Vencisllava Velikova

Vencisllava Velikova

FOTO: Facebook/Shoqata e Grupeve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit

Për pjesëmarrësit e seminarit krijues është përgatitur edhe një udhëtim i veçantë drejt rrënjëve, kujtesës së paraardhësve dhe ndjenjës së përkatësisë, në shoqërinë e shkrimtares Vencisllava Velikova, nismëtare e Festivalit të Legjendave Bullgare “Tubimi i Shtojzovalleve”.

Shoqata e Grupeve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit feston 10-vjetorin

FOTO: Facebook/Shoqata e Grupeve Folklorike Bullgare Jashtë Vendit

Ky udhëtim drejt rrënjëve do të vijojë edhe përmes ekspozitës “Këmisha ime e qëndisur bullgare”. Në ceremoninë e hapjes, më 6 nëntor, në orën 17:30, në sallën “Kopshti Dimëror” të Muzeut Kombëtar Etnografik pranë Akademisë  Bullgare të Shkencave, do të ndahen çmimet për pjesëmarrësit në konkursin me të njëjtin emër, të organizuar nga Shoqata Kulturore “Asen dhe Ilija Pejkovi” në Itali.


Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova