Bullgaria kërkon heqjen e dy bankave nga lista e sanksioneve të BE-së

Bëhet fjalë për dy banka në Rusi, në pronësi të kompanive bullgare, të cilat, sipas Sofjes, nuk administrojnë fonde të personave të sanksionuar

Hënë, 16 Nëntor 2026, 11:55

Bullgaria kërkon heqjen e dy bankave nga lista e sanksioneve të BE-së

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

“Evropa tashmë ka një strukturë sigurie përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe NATO-s”, deklaroi ministrja e jashtme e Bullgarisë, Velisllava Petrova, në Bruksel, para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Jashtme të BE-së, ku do të diskutohen sanksione të reja ndaj Rusisë. E pyetur për kushtet që Rusia ka paraqitur në negociatat për paqen në Ukrainë, Petrova theksoi se Rusia është tashmë pjesë e OSBE-së.

“Prisja që t’i shfrytëzonim më mirë institucionet që kemi tashmë. Në negociata të tilla, presidenti i Këshillit Evropian duhet të përfaqësojë Bashkimin Evropian”, u shpreh ministrja e jashtme. Ajo shtoi se, nëse udhëheqësit kanë vendosur që BE-ja të përfaqësohet nga tetë persona, atëherë ky vendim duhet respektuar. Megjithatë, Petrova theksoi se do të kërkojë që të bëhet e qartë se me çfarë mandati do të marrin pjesë këta përfaqësues në negociata. “Ne nuk duam të vazhdojmë t’i japim Ukrainës ndihmë ushtarake dhe mendojmë se vëmendja duhet të përqendrohet më shumë te përpjekjet diplomatike. Nga ana tjetër, nuk mund të heqim dorë nga mbështetja për Ukrainën, pasi atje jeton komuniteti më i madh historik bullgar jashtë vendit dhe për Bullgarinë është e rëndësishme që siguria e tij të garantohet”, shpjegoi ministrja.

Petrova bëri të ditur gjithashtu se Bullgaria ka kërkuar ndryshime në listat e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat pritet të miratohen sot. Ajo sqaroi se kërkesa e Sofjes mbështetet në të njëjtat argumente si ajo e paraqitur nga Franca. Konkretisht, Bullgaria ka kërkuar që nga lista e sanksioneve të hiqen dy banka në Rusi, në pronësi të kompanive bullgare, të cilat nuk kryejnë transaksione me fondet e personave të përfshirë në listat e sanksioneve, njofton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

Lexoni më shumë mbi temën:


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova