Lajm
I dyshuari si kreu i “Ku Klux Klan” në Plovdiv mbetet në paraburgim
Premte 20 Nëntor 2026 16:31
Premte, 20 Nëntor 2026, 16:31
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Nikollaj Çallakov, i dyshuar si drejtues i organizatës “Ku Klux Klan – Divizioni i Plovdivit”, do të qëndrojë në paraburgim, vendosi Gjykata e Qarkut në Plovdiv. Dënimi i parashikuar për akuzën e ngritur ndaj tij është nga një deri në gjashtë vjet burgim.
Organizata, e cila propagandon dhe nxit diskriminimin, dhunën dhe urrejtjen në Plovdiv, u zbulua pas publikimit të një videoje ku shfaqet vrasja e Georgi Kuzеvit nga një grup të rinjsh në kodrën e të Rinjve në qytet. Burri është i papunë. Ai mblidhte kuotën e anëtarësimit prej 30 eurosh nga anëtarët madhorë të organizatës.
Sipas dëshmitarëve, organizata ka ndërmarrë aksione për rrahjen e romëve, si dhe të një shtetasi ukrainas. Ajo kishte përgatitur edhe zjarrvënie në lagjen rome Stolipinovo, deklaroi prokurori Kostadin Paskalev, cituar nga Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).
Burri dhe 10 persona të tjerë, mes tyre katër të mitur, u arrestuan më 17 nëntor gjatë një operacioni të përbashkët të Ministrisë së Brendshme dhe shërbimit të Sigurisë Kombëtare, nën drejtimin e Prokurorisë së Qarkut në Plovdiv. Anëtarët madhorë të grupit u liruan me garanci pasurore prej 1000 eurosh, ndërsa për katër të miturit u vendos masa e mbikëqyrjes nga një inspektor i shërbimit të edukimit për të miturit në konflikt me ligjin.
Lexoni më shumë mbi temën:
- Protestë pas vrasjes së rëndë të një 37-vjeçari nga një grup të rinjsh
- Në Plovdiv u zbulua një organizatë raciste e ekstremit të djathtë
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova