Autor
Joan Kolev
Artikull
Mërkurë 31 Dhjetor 2025 09:35
Mërkurë, 31 Dhjetor 2025, 09:35
FOTO: Fotokolazh - BGNES
Madhësia e shkronjave
Qeveria e
Kryeministrit Rosen Zheljazkov
zgjati 11 muaj e 10 ditë. Qeveria e 105-të e Bullgarisë u votua në janar 2025
pas negociatave të gjata dhe të vështira midis GERB-SDS në detyrë dhe partive
më të vogla parlamentare – Partia Socialiste Bullgare (BSP), “Ka një popull të
tillë” (ITN) dheAleanca për të Drejta dhe Liri (APS) /anëtarët e parlamentit që i qëndruan
besnikë Ahmed Doganit pas ndarjes së DPS-së/. Në mesin e prillit, në një kohë
kur vendi po bënte përpjekje për të marrë një raport pozitiv të konvergjencës
mbi pranimin e saj në eurozonë, koalicioni rreth ish-kryetarit të nderit të DPS-së
i tërhoqi besimin kabinetit. Megjithatë, ai vazhdoi të punonte, duke marrë
mbështetje nga formacioni DPS-Fillimi i Ri, i kryesuar nga Deljan Peevski. Në mesin e vitit /më 4 qershor/ u bë e qartë se Bullgarisë
do t’i jepej e drejta për të futur euron si monedhë të saj që nga 1 janari
2026. Lajmi u pasua nga gjashtë vota mosbesimi brenda një gjysmë viti, në të
cilat qeveria mbijetoi, por dha dorëheqjen pas protestave masive
të provokuara nga
buxheti i propozuar për vitin 2026, por që kaluan nën moton e ndryshimit të
modelit të qeverisjes, i cili u quajt "Borisov-Peevski".
FOTO: BTA
Pikërisht përfundimi i procesit të eurointegrimit të Bullgarisë dhe protestat, si pasojë e gabimeve dhe skandaleve të shkaktuara nga qeveria, për shkak të të cilave viti 2026 nis me tronditje politike, janë ngjarjet që e karakterizojnë vitin politik 2025 – përmbledh politologu i agjencisë “Mjara”, Svetlin Taçev.
Svetlin Taçev
FOTO: arkiv personal
“Kjo qeveri kishte shansin të qeveriste sa të dëshironte, pa ndonjë problem të madh, mjafton të mos bënte gabime dhe skandale. Megjithatë, nuk arriti ta përballojëkëtë. Fakti që projektbuxheti arriti të shkaktojë këtë valë tregon se pakënaqësia e akumuluar ka qenë vërtet e madhe. Ndryshe, në një situatë normale politike, një temë e tillë do të mund të shkaktonte vetëm tension minimal, siç ndodh me çdo buxhet. Por Këtë herë ajo nxori në rrugë qindra mijëra të rinj dhe të moshuar, me bindje të ndryshme politike. Këto protesta vazhdojnë një proces transformues, i cili filloi me pakënaqësinë e vitit 2020, proces që ende nuk ka përfunduar dhe kalon nëpër faza të ndryshme, dhe mbetet të shohim se ku do të çojë,” – parashikon analisti.
FOTO: BTA
Një nga gabimet që bëri qeveria ishte arrestimi i kryebashkiakut të Varnës, Bllagomir Kocev, i paraprirë nga ai i nënkryetarit të Bashkisë së Sofjes, Nikolla Barbutov. Të dyja ngjarjet tronditën seriozisht koalicionin opozitar “Po e Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike” (PP‑DB) dhe pothuajse çuan në shpërbërjen e tij, pas dorëheqjes dhe largimit nga parlamenti të ish‑kryeministrit Kirill Petkov.
Bllagomir Kocev
FOTO: BTA
Koalicioni i dytë më i madh në parlament arriti të bashkohej dhe të mobilizonte votuesit e vet. Arsyeja është se ata arritën të zhvendosin fokusin nga modeli i deritanishëm i përplasjes “Lindje – Perëndim” drejt atij midis status quo‑së dhe ndryshimit, gjë që mundësoi mobilizim në nivel mbi‑partiak.
Viti 2025 që po përfundon ishte një frymëmarrje lehtësimi për zgjedhësit, të cilët kishin nevojë për pushim pas serisë së 7 zgjedhjeve të parakohshme. Një periudhë gjatë së cilës, megjithatë, ata humbën orientimin e tyre – theksoi politologia Tatjana Buruxhieva.
Tatjana Buruxhieva
FOTO: BTA
“Orientimi lidhet me vendosjen e qëllimeve. Nëse unë mund të vendos një qëllim që të filloj ta realizoj, kjo është ajo që më lejon të vlerësoj dhe të reagoj ndaj çdo veprimi apo lëvizjeje të politikanëve. Nëse veprimi i tyre i shërben qëllimit tim, do t’i mbështes, e nëse jo – do të kërkoj të tjerë që janë më afër realizimit të qëllimit tim. Meqenëse ne lejojmë të shndërrohemi në klube tifozësh dhe në turmë, lejojmë të rrëshqasim në sipërfaqe dhe të humbasim gjërat e rëndësishme. Prandaj mendoj se tifozeritë e ndeshjeve të futbollit janë një shprehje e shkëlqyer e asaj në çfarë jemi shndërruar dhe mund ta shohim veten nga jashtë, nëse vëzhgojmë veprimet e tyre.”
FOTO: BTA
Sipas saj, nuk ka asgjë të keqe në faktin që ka protesta, ndërsa demokracia përfaqësuese krijon gjithnjë e më pak tek qytetarët ndjesinë se janë të përfshirë në proceset e marrjes së vendimeve dhe se ata që nuk i pëlqejnë vendimet politike janë pakicë. Situata është më tepër e kundërta – vendimet politike merren nga një pakicë, gjë që në vetvete krijon tension dhe bazë për protesta, dhe bëhet gjithnjë e më e vështirë të bindësh shumicën se vendimet duhet të ndiqen.
“Në politikë është shumë e rëndësishme, kur flasim për demokraci, që pushteti të vijë nga populli. Sa më pak njerëzit ta kenë ndjesinë se pushteti vjen prej tyre dhe sa më shumë të jenë të bindur se gjithçka vendoset përmes lojërave prapa skenës dhe shfaqjeve të cirkut, ashtu siç e demonstronte vazhdimisht parlamenti ynë këtë vit, aq më e sigurt është se ata bëhen pjesë e një amatorizmi shumë të ulët cilësor në politikë. Prandaj viti 2025 më tepër do të mbahet mend si viti në të cilin bullgarët u bënë të besojnë se po kryenin vepra historike, ndërsa politikanët përpiqeshin të siguronin ripozicionim në pushtet, dhe biznesi që qëndronte pas tyre – një frymëmarrje lehtësimi para futjes së rregullave të lidhura me anëtarësimin në eurozonë, e jo thjesht të monedhave. Kjo, sigurisht, herët a vonë do të ndodhë, por është tjetër gjë të jetojmë edhe disa vite të tjera në mënyrën që e njohim.”
FOTO: BGNES
Si një mangësi thelbësore në punën e qeverisë së kryeministrit Rosen Zheljazkov, të dy politologët vlerësojnë mungesën e një fushate të qartë, të shpejtë dhe aktive informuese, të lidhur me zëvendësimin e ardhshëm të monedhës bullgare lev me euron nga 1 janari 2026.
“Pushteti u vonua shumë me këtë veprim duke e ndërmarrë në momentin e fundit. Natyrisht, frika e qytetarëve bullgarë pak a shumë mbeti, sepse ata nuk e kuptuan procesin. Për më tepër, kaluam një periudhë në të cilën thuhej se sapo të hynim në eurozonë, automatikisht do të bëheshim pjesë e Klubit të të Pasurve. Kjo, megjithatë, ishte vetëm rrëfimi pozitiv. Me afrimin e fundit të vitit filloi rrëfimi tjetër – duhet të ndalemi pak dhe të shtrëngojmë rripat, sepse janë të mundshme turbulenca. Përveç kësaj, jemi dëshmitarë të retorikës se organet e kontrollit po luftojnë kundër spekulimeve, të cilat me siguri ekzistojnë, por në praktikë duket se nuk po bëjnë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. E gjithë kjo, së bashku me rritjen tradicionale të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve gjatë muajve të dimrit, mund të çojë në përshkallëzim të pakënaqësisë sociale,” – është kategorik Svetlin Taçev dhe është i bindur se proceset që priten në muajt e parë mund të na tregojnë shumë për atë se si do të jetë viti 2026.
FOTO: arkiv
Politologu shprehu shpresën se hyrja e vendit në eurozonë, në kushtet e një buxheti të zgjatur e jo të rregullt, nuk do të ndikojë ndjeshëm negativisht në jetën e përditshme dhe në ekonominë tonë, por me siguri do të shfrytëzohet në mënyrë aktive si argument negativ gjatë fushatës së ardhshme parazgjedhore.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva