Artikull
Hënë 16 Shkurt 2026 20:00
Hënë, 16 Shkurt 2026, 20:00
FOTO: Radio Bullgaria
Madhësia e shkronjave
Ekipi i Radio Bullgarisë feston 90 vjet nga transmetimet e para për jashtë vendit të Radios Kombëtare Bullgare. Zërat e Bullgarisë të dëgjohen në shumë gjuhë, me shumëllojshmëri temash dhe të tingëllojnë në të gjitha pikat e globit – ky është misioni i Radio Bullgarisë, i cili prej vitesh merr mbështetje të pakushtëzuar nga Këdrinka Këdrinova – shkrimtare, gazetare dhe kryetare shumëvjeçare e Shoqatës së Gazetarëve Hispanofolës, ndërsa aktualisht edhe anëtare e Këshillit për Media Elektronike. Përshëndetja e Këdrinka Këdrinovës është e sinqertë, e ngrohtë dhe e mbushur me optimizëm për mundësitë e gazetarisë së lirë dhe objektive:
Këdrinka Këdrinova
FOTO: Ani Petrova
“Urime të veçanta për të gjithë kolegët nga Radioja Kombëtare dhe veçanërisht nga Radio Bullgaria – me ndjenjat më të mira dhe me urimet më të përzemërta! Vazhdoni të jeni kaq të mrekullueshëm, vazhdoni të mbani një nivel shumë të lartë profesional dhe nivelin e reagimit ndaj impulsit shoqëror, i cili është gjithmonë turbulent, sidomos në kohët e sotme. Edhe sot, sidomos Radio Bullgaria, ka një peshë të veçantë dhe është me rëndësi të veçantë, sepse zëri i Bullgarisë duhet të dëgjohet në këtë botë të trazuar, përfshirë edhe nga bashkatdhetarët tanë jashtë vendit, sigurisht. Mua do të më pëlqente që zëri juaj të dëgjohej jo vetëm nga bashkatdhetarët tanë, por nga të gjithë, sepse ju jeni në fakt ai zë nga Bullgaria që duhet të jehojë në botë. Prandaj urime, vazhdoni të jeni kaq të shkëlqyer dhe vazhdoni përpara.”
Dhe po – zëri i programit të Radios Kombëtare Bullgare për jashtë vendit rezonon në pika të ndryshme të globit – në Evropë, Azi, Amerikë. Dëshmi për këtë janë letrat nga dëgjues dhe shumë radioamatorë, të cilët me shumë pozitivitet ndajnë çfarë kanë mësuar nga emisionet dhe publikimet në gjuhë të huaja të Radio Bullgarisë.
FOTO: Radio Bullgaria
“Më pëlqen të dëgjoj programet tuaja dhe të lexoj informacion në faqen tuaj të internetit për Bullgarinë. Mësova shumë për vendin tuaj të bukur, por dua të mësoj edhe shumë më tepër, kështu që do të vazhdoj të dëgjoj dhe të lexoj”, na shkroi Rallf Urbançik nga Gjermania, i cili madje ka edhe një grup të preferuar bullgar, falë rubrikës “Kënga e ditës” në programet tona të përditshme “Bullgaria sot”: Mary Boys Band, interpretuesit e “Këngës suaj të ditës” bëjnë vërtet muzikë të shkëlqyer. “Peizazh me ngjyra” është titull që më pëlqeu menjëherë. Për herë të parë dëgjova për këtë grup të shkëlqyer muzikor në emisionet tuaja disa vite më parë. Që atëherë muzika e Mary Boys Band po i afrohet gjithnjë e më shumë zemrës sime. Tashmë me të vërtetë kërkoj albumet e këtij grupi, madje edhe jashtë emisioneve të Radio Bullgarisë. Ju falënderoj që më dhatë mundësinë të njihem me spektrin e gjerë të muzikës bullgare përmes emisioneve tuaja.”
Adhurues i punës së ekipit redaktorial të Radio Bullgarisë është edhe Zllatko Zhelev – koleg nga Drejtoria Digjitale e Radios Kombëtare Bullgare, i cili ka një vështrim mbi gjithë përmbajtjen që publikohet në faqen e radios publike. Sipas tij, materialet që u ofrojmë audiencës në bullgarisht dhe në 10 gjuhë të tjera të huaja paraqiten jashtëzakonisht profesionalisht, çdo rresht është shkruar me zemër, ndërsa paraqitja vizuale plotëson ndikimin e përgjithshëm:
Zllatko Zhelev dhe inxhinierja e zërit Kristina Petkova
FOTO: Elena Karkallanova
“Keni autorë të mrekullueshëm, që shkruajnë në mënyrë unike, autorë që tregojnë historinë e bullgarëve pak a shumë të njohur, por që përpiqeni në njëfarë mënyre të prekin audiencën dhe bashkatdhetarët jashtë vendit. Dhe ju e bëni këtë në një mënyrë shumë të bukur – me shumë fotografi, me shumë biseda, ndonjëherë luani edhe me video, gjë që unë personalisht e admiroj shumë, sepse ndjesia e njeriut duhet të jetë e plotë – me tekst ta prekë deri në shpirt, me fotografitë në njëfarë mënyre ta bëjë të dridhet, ndërsa videoja tashmë të jep një lloj tjetër emocioni.”
“Gjithmonë mund të mësoj shumë gjëra të reja dhe interesante për Bullgarinë, kur shfletoj faqen tuaj të internetit. Ju falënderoj për këtë informacion të shkëlqyer” – na shkroi Xhahengir Alam nga Bangladeshi.
“Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) ofron program në gjuhën angleze, i cili është njëkohësisht emocionues dhe informativ. Përmbajtja përfshin një gamë të gjerë temash, përfshirë kulturën bullgare, historinë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ngjarjet aktuale. Stili i paraqitjes është angazhues, ndërsa programi ofron në mënyrë efektive lajme dhe diskutime me thellësi analitike. Qartësia dhe thellësia e analizës e bëjnë atë një burim të vlefshëm informacioni për dëgjuesit në mbarë botën” – na shkroi Malik Allah Khokhar nga Pakistani.
Faqja e Radio Bullgarisë në gjuhën angleze
FOTO: Radio Bullgaria
Adhuruesi afatgjatë i programeve në gjermanisht të Radio Bullgarisë, Helmut Matt nga Gjermania, bën thirrje për rifillimin e transmetimit në valë të shkurtra në botën bashkëkohore digjitale: “Megjithëse Radio Bullgaria nuk ekziston më në valë të shkurtra, gjithsesi ju bënit një program vërtet të mirë. Në shumë vende transmetimi i huaj është ndërprerë – gjoja për kursim parash. Mendoj se heqja e transmetimit ndërkombëtar çon në faktin që njerëzit dinë gjithnjë e më pak për jetën, mendimin dhe kulturën e vendeve të tjera.”
Radio Bullgaria komunikon me radio njerëzit në mbarë botën edhe përmes kartolinave QSL, të cilat i dërgon në përgjigje të raporteve për program të “kapur” radiofonik. “Gëzohem të dëgjoj se Radio Bullgaria vazhdon të dërgojë kartolina QSL.
Sigurisht, kjo nuk është arsyeja kryesore për të dëgjuar emisionet, por mbetet traditë” – na shkroi Zhan-Mishel Obie nga Franca, i cili ka dëgjuar programet tona në valë të shkurtra që në vitin 1979.
Kartat QSL të Radio Bullgarisë
FOTO: Radio Bullgaria
Për BNR-në nuk do të ishte shumë e shtrenjtë të rikthente programet e saj ndërkombëtare në valë të shkurtra – supozon Visent Mari nga Spanja, i cili dëgjon programet tona prej 50 vitesh. – Për adhuruesit e valëve të shkurtra teknologjitë e reja janë shumë të mira, por valët e shkurtra janë sinjal i drejtpërdrejtë nga një vend në tjetrin, pa ndërmjetës që mund ta ndërpresin sinjalin kur u leverdis. Tani, kur transmetuesit e fuqishëm janë mbyllur, rezulton se me fuqi shumë të ulët sinjali shkon shumë larg.”
Shihni më shumë nga Arkivi i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski