Autor
Joan Kolev
Analizë
Premte 20 Shkurt 2026 06:55
Premte, 20 Shkurt 2026, 06:55
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Pasi kryeministri i zgjedhur nga presidenti, Andrej Gjurov, paraqiti të mërkurën, më 18 shkurt, përbërjen e kabinetit në detyrë para kreut të shtetit, Qeveria e 106-të e Bullgarisë bëri betimin para Kuvendit Popullor. Emrat e ministrave përfshijnë një gamë të gjerë ekspertësh dhe figurash të njohura që rikthehen sërish në politikë, si Nadezhda Nejnski – një nga figurat emblematike të Bashkimit të Forcave Demokratike, ministre e jashtme e Bullgarisë në periudhën 1997–2001.
Shpresa kryesore e qytetarëve bullgarë, e drejtuar ndaj ekipit të Andrej Gjurov, është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme transparente më 19 prill të këtij viti. Kjo u deklarua qartësisht gjatë protestave masive në fund të vitit 2025 në mbarë vendin, të cilat çuan në rrëzimin e qeverisë së koalicionit të votuarnga Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor. Edhe pse qeveria në detyrë ka një horizont të shkurtër veprimi – më pak se 100 ditë – ndaj saj ka pritshmëri të shumta për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara ndër vite në fusha të ndryshme të jetës publike. Ndër to përfshihen zgjidhja e çështjes së zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm, pasi ushtruesi aktual i detyrës, Borisllav Sarafov, që nga korriku 2025 ndodhet në post në mënyrë jolegjitime; zbardhja e rastit tragjik kriminal nga fillimi i shkurtit, i njohur si çështja “Petrohan”; si edhe ulja e niveleve të korrupsionit, etj..
Përvan Simeonov
FOTO: BGNES
“Shqetësimi im për këtë kabinet është se, veçanërisht në sfondin e çështjes “Petrohan”, pas së cilës një pjesë shumë e madhe e komunitetit liberal vuan realisht (pasi në të “dolën në sipërfaqe” emrat e politikanëve nga PP-DB – shën. red.), në këtë situatë ekziston rreziku që komuniteti demokratik ta shohë në këtë kabinet shansin e vet për revansh - paralajmëron në një intervistë për Radio Bullgarinë sociologu nga Agjencia “Mjara”, Përvan Simeonov. - Shpresoj të mos vendosin se tashmë janë në pushtet, sepse kjo është e rrezikshme për ta për tri arsye: e para është se nuk jam i sigurt nëse kanë kapacitetin për të fituar në këto beteja. Kanë kapacitetin të jenë ekspertë, njerëz të mirë, ndonjëherë edhe naivë, por fitues – jo gjithmonë. Arsyeja e dytë është se nuk është ide e mirë të duket papritur sikur je në pushtet – ata e marrin energjinë e tyre nga fakti që janë opozitë ndaj status quo-së. Arsyeja e tretë është të mos bien në revanshizëm, sepse ai është gjithmonë një këshilltar shumë i keq.”
Çfarë bie në sy, duke vëzhguar përbërjen personale të kabinetit “Gjurov”, në të cilin për herë të parë ka një zëvendëskryeministër për zgjedhje të ndershme?
Zornica Ilieva
FOTO: Ani Petrova, BNR
“Ky qeveri duhet të përgatisë zgjedhje që zhvillohen normalisht dhe të mos arrihet në kontestime apo blerje masive votash - kujton analistja ndërkombëtare Zornica Ilieva. - Kushti tjetër, i cili ose fshihej, ose thuhej “me fjalë prapa perdes”, ishte që qeveria duhet të zgjidhë çështjen e drejtuesve të shërbimeve speciale dhe të drejtorive rajonale të Ministrisë së Brendshme, të cilat kanë rëndësi të madhe për mbarëvajtjen normale të zgjedhjeve, dhe, në një mënyrë ose tjetër, të avancojë ose të zgjidhë çështjen me ushtruesin e detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo nuk u fsheh, sepse për personin e emëruar ministër të drejtësisë (Andrej Jankullov) u deklarua nga kryeministri se ai do të ketë detyrën kryesore të ushtrojë ndikimin e tij mbi organin gjyqësor, nga i cili varet dorëheqja e Borisllav Sarafov. Kjo, pasi ai punoi mbi çështjet e të ashtuquajturve “xhuxhë” (afera “Tetë Xhuxhët”, e cila u shndërrua në simbol të prapaskenave në Prokurori – shën. red.), gjë që është gjithashtu një sinjal se do të ndërmerren veprime të pritshme nga shoqëria dhe për të cilat pati edhe protesta.”
Të rëndësishëm për punën e Andrej Gjurov si kryeministër do të jenë edhe dy ministra të tjerë – ministri i brendshëm Emill Deçev dhe zv/kryeministri Stoill Cicellkov (deri tani anëtar i Këshillit Publik të Komisionit Qendror Zgjedhor), i cili do të përgjigjet direkt për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme, d.m.th. “ai duhet jo vetëm të mbajë peshën e këtij procesi për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por edhe të jetë garant për to”, thekson Zornica Ilieva.
Stoill Cicellkov
FOTO: BTA
Kryeministri ka përgatitur një “dorë të djathtë” dhe nuk do të merret vetë me këto funksione specifike. Andrej Gjurov u ngarkua me detyrën të zgjidhë çështjet e tjera kryesore, që janë të ndjeshme dhe ndaj të cilave padyshim do të ketë rezistencë, sepse shikoni sa shpejt reagoi partia e Deljan Peevski, e cila menjëherë deklaroi se ky është një “qeveri e Sorosoidëve, e PP-së etj.”, pra, nuk janë të kënaqur nga përbërja e kabinetit dhe do ta diskreditojnë në çdo mënyrë. Kështu, fushata parazgjedhore tashmë ka filluar dhe kompromatet karakteristike do të fillojnë të publikohen” – parashikon analistja. Sipas saj, përbërja e qeverisë në detyrë jep sinjal se po rehabilitohen figura të lidhura me DPS-në klasike të së kaluarës dhe po anashkalohet roli i “Fillimit të Ri”. Në përmbushje të pritshmërive ndaj kabinetit në detyrë, kryeministri Andrej Gjurov do të mbështetet në një masë të madhe te ministri i brendshëm Emill Deçev – “ai gjithashtu është nga sistemi, i njohur mirë me veprimtarinë atje, dhe kjo tregon se do të mbështeten tek ai për “dorë të fortë” në këtë sektor.”
Emill Deçev
FOTO: BTA
A po i qëndroi Andrej Gjurov premtimit të dhënë gjatë marrjes së mandatit nga presidenti, që do të propozojë ministra “me integritet, ekspertizë dhe dinjitet”?
“Nuk di për dinjitetin, sepse ai mungon prej kohësh, si në mënyrën e të shprehurit, ashtu edhe në cilësitë dhe akuzat që fliten mes kundërshtarëve politik - thotë Zornica Ilieva dhe shton: - E gjithë kjo i revolton qytetarët e thjeshtë, por duke qenë se të gjithë presin që ish-presidenti Rumen Radev të jetë ai që do të caktojë qeverinë pas zgjedhjeve, përbërja e propozuar e Këshillit të Ministrave do t’i japë mundësinë të vlerësojë dhe të kuptojë se cili nga këta ekspertë, nëse ka ndonjë, dhe në çfarë mënyre mund të jetë i dobishëm edhe në të ardhmen.”
Lexoni më shumë mbi temën:
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova