Autor
Desisllava Semkovska
Seksion
QSL nr.4: Viti 1935 – Sirak Skitnik, drejtori i parë i Radios Kombëtare Bullgare
Mërkurë 1 Prill 2026 06:55
Mërkurë, 1 Prill 2026, 06:55
FOTO: Desisllava Semkovska
Madhësia e shkronjave
Në vitin 2026, Radio Bullgaria konfirmon raportet e radioamatorëve me një seri të re prej 12 kartolinash QSL. Imazhi i secilës prej tyre vë në pah një ngjarje të caktuar historike, të lidhur me historinë e Radios Kombëtare Bullgare dhe programit “Radio Bullgaria”, i cili shënon 90-vjetorin e tij.
Në fillim të çdo muaji, në një publikim të veçantë, do të mësoni fakte interesante që lidhen me këto imazhe.
Kartolina jonë e katërt i kushtohet drejtorit të parë të Radios Kombëtare Bullgare - Sirak Skitnik.
Në fillim të vitit 1935 u miratua një Rregullore-Ligj për Radion nga Këshilli i Ministrave, sipas së cilës transmetimi i programeve radiofonike u shpall monopol shtetëror. Mbreti Boris III nënshkroi dekretin më 25 janar të po atij viti. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, filloi programimi radiofonik i organizuar nga shteti. Në krye u emërua Panajot Todorov Hristov (Sirak Skitnik), i cili mori përsipër drejtimin e veprimtarisë programore të radios së re shtetërore “Radio Sofja”.
Panajot Todorov Hristov - Sirak Skitnik (1883 – 1943)
FOTO: Arkiv
Si drejtori i parë i Radios, të cilën e drejtoi deri në vdekjen e tij, ai dha një kontribut të rëndësishëm në shndërrimin e saj në një institucion kulturor të një rëndësie të veçantë. Kjo u arrit përmes zhvillimit të programeve, veçanërisht orientimit të tyre kulturor, mbajtjes së një rrethi të gjerë bashkëpunëtorësh me bindje të ndryshme politike, krijimit të emisioneve arsimore, Radioteatrit dhe transmetimit të programeve për jashtë vendit. Nën drejtimin e tij, radioja u shndërrua në një institucion kulturor që bashkoi muzikantët, shkrimtarët dhe studiuesit më të mirë.
Para se të bëhej drejtor i Radios Sofje, Sirak Skitnik arriti sukses në shoqëri si shkrimtar dhe piktor
FOTO: Arkiv
Panajot Hristov (1883–1943), i cili mori pseudonimin artistik Sirak Skitnik, nuk ishte vetëm gazetar dhe veprimtar shoqëror, por edhe poet, shkrimtar, piktor dhe kritik teatri. Ai lindi në qytetin Sliven dhe përfundoi shkollën teologjike në Sofje në vitin 1902. Për një periudhë të shkurtër punoi si mësues, ndërsa në vitin 1908 u nis për në Shën Petersburg, ku studioi pikturë së bashku me Mark Shagall dhe Vasilij Kandinski.
Sirak Skitnik - “Qyteti – Stacioni Finlandez në Shën Petersburg”, rreth vitit 1921
FOTO: Arkiv
Pas kthimit në Bullgari, ai mori pjesë në tri luftëra – Luftën Parë Ballkanike, Luftën e Dytë Ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore.
Sirak Skitnik u afirmua si një nga figurat më të shquara të jetës kulturore bullgare në shekullin e XX-të, duke punuar për afrimin e kulturës bullgare me zhvillimet moderne evropiane. Ai ishte kryetari i parë i Shoqatës së Përgjithshme të Piktorëve (sot Lidhja e Piktorëve Bullgarë). Në vitet 20-të të shekullit të XX-të u bë dramaturg dhe sekretar artistik i Teatrit Kombëtar “Ivan Vazov” dhe la pas dhjetëra poezi, qindra artikuj, si dhe piktura, skica dhe ilustrime.
Sirak Skitnik me bashkëshorten e tij, Ollga Simeonova
FOTO: Arkiv
Në vitin 2001 u themelua çmimi vjetor i Radios Kombëtare Bullgare që mban emrin e tij. Ky çmim jepet për kontribute në zhvillimin e radios si media publike.
Si mund të arrijnë te ju kartolinat e Radios Kombëtare Bullgare:
Për të marrë një kartolinë QSL, është e nevojshme të na dërgoni një raport, ku të shënoni datën dhe gjuhën (për “Radio Bullgarinë”) ose datën, orën dhe frekuencën e emisionit të dëgjuar (për programet e tjera të Radios Kombëtare Bullgare), si dhe detaje për përmbajtjen e tij.
Raportet mund t’i dërgoni përmes kanalit që ju përshtatet më shumë:
– në postën elektronike: reception.report@bnr.bg
– me postë në adresën e mëposhtme: Bullgari, Sofje 1040, bulevardi “Dragan
Cankov” nr. 4, Radio Kombëtare Bullgare, Desislava Semkovska
Është e detyrueshme të shënoni një adresë postare për përgjigje.
Ju kujtojmë se Radioja Kombëtare Bullgare konfirmon raportet për emisionet e dëgjuara edhe me seri më të vjetra kartolinash QSL. Nëse dëshironi të merrni një prej tyre, ju lutemi ta specifikoni këtë në raport.
Lexoni më shumë mbi temën:
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova