TURIZËM

Seksion

Radio Bullgaria në memorandum të ri mes BNR-së dhe Bordit Kombëtar të Turizmit

Dy institucionet do të bashkëpunojnë në promovimin e Bullgarisë si destinacion për udhëtime dhe pushime

Mërkurë, 1 Prill 2026, 06:00

Polina Karastojanova dhe Milen Mitev

Polina Karastojanova dhe Milen Mitev

FOTO: Ani Petrova

Madhësia e shkronjave

Radioja Kombëtare Bullgare dhe Bordi Kombëtar i Turizmit kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi. Drejtori i përgjithshëm i BNR-së, Milen Mitev, theksoi se media ka ambicien të nxisë zhvillimin e turizmit në vend.


“Si media publike, ne jemi të bindur se është e nevojshme të ndërtohet një kulturë udhëtimi në Bullgari, jo si një zgjedhje e vetme, por si një mënyrë jetese. Programet tona kombëtare dhe rajonale, platformat online, por mbi të gjitha rrjeti ynë i korrespondentëve në vend, janë në gjendje të sjellin rrëfime për vende jo aq të njohura në të gjithë vendin, duke krijuar një lidhje emocionale mes njerëzve dhe vendeve të bukura në shtetin tonë”, deklaroi Milen Mitev.

FOTO: BTA

Radioja Kombëtare është një institucion që njëkohësisht obligon dhe imponon respekt – theksoi drejtoresha ekzekutive e Bordit Kombëtar të Turizmit, Polina Karastojanova. Nënshkrimi i memorandumit me radion publike është një nga aktivitetet me të cilat bashkimi i shoqatave turistike, bashkive dhe investitorëve të mëdhenj në industrinë e turizmit dhe sektorët e lidhur me të, shënon 20-vjetorin e fillimit të veprimtarisë së tij.


Me këtë rast, nën patronazhin e presidentes së Bullgarisë Ilijana, u zhvillua edhe konferenca e specializuar “Kultura. Turizmi. Komunikimet”. BNR është partner zyrtar i iniciativës me moton “4 çelësat për turizëm të qëndrueshëm – Kultura, Natyra, Ushqimi dhe Inovacioni”.

Polina Karastojanova

FOTO: Ani Petrova

“Çdo fjalë është një shenjë sigurie për shoqërinë bullgare se informacioni që ofroni është i besueshëm, objektiv dhe pa asnjë dyshim në kohë dhe i saktë – theksoi drejtoresha ekzekutive e Bordit Kombëtar të Turizmit, duke vënë në dukje besimin publik që gëzon BNR. – Për ne në Bordin Kombëtar të Turizmit, ky partneritet është një përgjegjësi – fakti që logoja e organizatës sonë qëndron krah asaj të Radios Kombëtare na jep motivim dhe kuptim. Në këtë mënyrë mbyllet një cikël përpjekjesh 20-vjeçare dhe këto partneritete në fakt japin perspektivë për të ardhmen”, deklaroi Karastojanova.

FOTO: Radio Bulgaria

Në fjalën e tij, Milen Mitev theksoi rëndësinë e Radio Bullgarisë – “një platformë e krijuar për të lidhur bullgarët në mbarë botën me atdheun e tyre”. Përveç kësaj, programi shumëgjuhësh i radios publike promovon në mënyrë aktive Bullgarinë te audienca ndërkombëtare në të gjithë botën.

FOTO: BTA

“Do t’u tregojmë të rinjve bullgarë që kanë lindur jashtë vendit se mund të kthehen këtu, se kanë çfarë të zbulojnë këtu. Sigurisht, nuk duhet të nënvlerësojmë as të huajt – t’u tregojmë edhe atyre se çfarë mund të ofrojë Bullgaria si destinacion turistik. Për këtë qëllim, Radioja Kombëtare mund të komunikojë në dhjetë gjuhë të huaja, përfshirë gjuhët e të gjitha vendeve tona fqinje, të cilat i konsiderojmë si tregje në rritje për turizmin në vend”, deklaroi Milen Mitev.



Drejtori i përgjithshëm i BNR-së falënderoi që Bordi e konsideron radion publike si një platformë për promovimin e vendit: “Këtu bëhet fjalë për një kauzë që na bashkon të gjithëve – të sjellim më shumë njerëz në Bullgari dhe t’u tregojmë atyre se vendi ynë është një vend i mrekullueshëm”, theksoi ai.


Lexoni më tepër:


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello