Autor
Vesella Krësteva
Artikull
Martë 21 Prill 2026 17:08
Martë, 21 Prill 2026, 17:08
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Këtë të diel, bullgarët në mbarë botën shprehën dëshirën e tyre për një të nesërme më të mirë. Radio Bullgaria u përpoq të përcjellë zhvillimet gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, për të tetën herë radhazi në pesë vitet e fundit. Nga Zelanda e Re, përmes Maqedonisë së Veriut, Austrisë, Zvicrës, Francës dhe Anglisë, deri te mbyllja e fundit e qendrave të votimit bullgare në Shtetet e Bashkuara – u bëmë dëshmitarë të një pjesëmarrjeje të lartë zgjedhore mes bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit dhe të një dëshire të madhe për ndryshim nga brenda. Bashkëbiseduesit tanë dhanë votën e tyre me besim, shpresë dhe dashuri për qëllimin e vetëm përpara tyre – një Bullgari më e fortë, më dinjitoze dhe demokratike.
Qendra e votimit në Kraistçërç, Zelanda e Re
FOTO: Svetllozara Aleksieva Brajant
“Unë mendoj dhe shpresoj që numri 8 të jetë numër fati dhe që më në fund të kemi njëfarë qëndrueshmërie në një drejtim ku të jemi të gjithë së bashku. Ndoshta do të gjejmë një rrugë përpara” - tha kryetarja e qendrës së votimit në Kraistçërç (Zelanda e Re), Svetllozara Aleksieva Brajant.
Në Australinë fqinje, qendra e votimit në Melburn shënoi një numër rekord votuesish për vitet e fundit – 149 persona, ose pothuajse 70% më shumë krahasuar me tetorin e vitit 2024. Si një optimist i matur, që e sheh gotën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh, u shpreh sekretari i komisionit të qendrës së votimit atje, Manço Manev:
Qendra e votimit në Melburn, Australi
FOTO: Manço Manev
“Ne jemi shumë larg atdheut, mbi 15 000 kilometra, dhe sinqerisht shpresojmë që të gjithë të afërmit tanë, të cilët kanë mbetur në Bullgari, të kenë një qeveri të qëndrueshme, e cila ta udhëheqë Bullgarinë drejt një integrimi më të mirë evropian dhe drejt suksesit.”
Të tjerë, megjithatë, mendonin se numri tetë nuk do të jetë aq me fat sa pritet dhe se një qeveri e qëndrueshme vështirë se mund të formohet mbi klimën aktuale politike në vend.
FOTO: Boris Llazarov – Qendra Radiotelevizive Caribrod
“Mendoj se pafundësia (e zgjedhjeve në Bullgari – shën. red.) do të përsëritet sërish – thotë Boris Llazarovi, gazetar nga “Qendra Radiotelevizive Caribrod”. – Le të presim dhe të shohim rezultatet, por unë mendoj se askush nuk mund të formojë aktualisht një qeveri të qëndrueshme në Bullgari. Qeveri gjithmonë mund të formohet, por qëllimi është të jetë edhe e qëndrueshme dhe unë mendoj se në vjeshtë Bullgarinë e presin zgjedhje dy në një – presidenciale dhe parlamentare.”
A do të vazhdojë kriza politike edhe pas kësaj pranvere? Atanas Veliçkov, kryeredaktor i faqes tribuna.mk nga Shkupi, përgjigjet:
Atanas Veliçkov
FOTO: BGNES
“Bullgaria funksionon si shtet pa asnjë problem edhe me qeveri teknike. Por një qeveri që ka mbështetjen e popullit, të qytetarëve, sigurisht që ka një hapësirë më të gjerë veprimi.”
Populli dha kredinë e vet të besimit. Madje këtë e bëri në mënyrën më të qartë që nga viti 2021, me një pjesëmarrje zgjedhore mbi 48% (sipas agjencisë “Mjara”) dhe me mundësinë që një parti të ketë shumicë të plotë në Kuvendin e 52-të Popullor. Tani, i njëjti popull pret veprime dhe një dialog të barabartë ndërmjet votuesve dhe qeverisësve. Një dialog, të cilin bashkëbiseduesit e Radio Bullgarisë e nisën që në ditën e zgjedhjeve.
FOTO: Nikollaj Janev
“Kini përgjegjësinë dhe vetëdijen për fuqizimin që qytetarët ju japin në këtë ditë dhe për çmimin që ata paguajnë për t’ju dhënë këtë fuqi” - kujtoi Nikollaj Janev nga Austria.
Qendra e votimit në Gjenevë
FOTO: Arkiv personal
“Të mendojnë për Bullgarinë dhe për bullgarët, për ata që i kanë zgjedhur. Të mos mendojnë për xhepin e tyre” – shprehet me vendosmëri Marin Kaçamakov nga Gjeneva, Zvicër.
FOTO: Marin Jotov
“Duhet vërtet të shikojnë interesin e Bullgarisë, interesin e vendit tonë në Evropë dhe të përpiqen, nga njëra anë, të rikthejnë bullgarët që ndodhen jashtë në Bullgari, por edhe ta bëjnë vendin tonë të denjë dhe në nivelin e shteteve të tjera të Evropës Perëndimore për jetesë” – ndan pritjet e tij Marin Jotov nga Berlini.
Ndërsa Atanas Veliçkov nga Shkupi kujton dhimbjen e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut:
“Pa hyrë në klishe, thjesht dua t’i lutem të kujdesen për atë se si është imazhi i Bullgarisë në plan ndërkombëtar. Sepse ai është shumë i rëndësishëm për ne, bullgarët jashtë vendit. Nëse shteti ynë është i denjë, askush nuk do të përpiqet të luajë lojëra me ne, nëse mund të shprehem kështu.”
Në Krakov, Poloni
FOTO: Kristiana Naneva
Të mos kujtohemi për veten vetëm nga zgjedhjet në zgjedhje, sepse besimi zhduket dhe shpresa zbehet.
“Njerëzit ju besojnë. Njerëzit ju kanë dhënë besimin dhe presin ndryshim!” – siç tha për Radio Bullgarinë e reja Kristiana Naneva nga qyteti polak Krakov.
U shfrytëzuan intervista të gazetarëve të Radio Bullgarisë: Ivo Ivanov, Gergana Mançeva, Joan Kolev, Darina Grigorova dhe Vesella Krësteva.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova