Autor
Joan Kolev
Artikull
Siguria dhe parashikueshmëria – pritjet ndaj Rumen Radevit në botë
Enjte 23 Prill 2026 06:50
Enjte, 23 Prill 2026, 06:50
FOTO: Rojters
Madhësia e shkronjave
Bullgarët që jetojnë në vendet jashtë BE-së, veçanërisht në SHBA, Britaninë e Madhe dhe Turqi, hasën vështirësi në përpjekjet e tyre për të ushtruar të drejtën e tyre të votës gjatë zgjedhjeve të së dielës së kaluar.
"Disa njerëz, jo nga Seattle, por nga shtetet fqinje, ku kishte qendra votimi në zgjedhjet e mëparshme, tani nuk ishin në gjendje të votonin. Ky është rasti me bullgarët nga Oregoni që udhëtuan për në Seattle, për më shumë se dy orë, për të ardhur dhe për të votuar. Ne e hapëm qendrën e votimit saktësisht në orën 7 të mëngjesit në mënyrë që ata të mund të votonin dhe të ktheheshin para se të futeshin në trafik", vuri në dukje bashkatdhetari ynë Veselin Markov, i cili ishte pjesë e komisionit zgjedhor të qendrës së votimit në Seattle.”
FOTO: arkiv personal
Pjesa më e këndshme e përvojës së ditës së zgjedhjeve për bashkatdhetarët tanë në Seattle ishte fakti që qendra e votimit ndodhej në restorantin bullgar në qytet, gjë që u lejonte atyre jo vetëm të votonin, por edhe të shoqëroheshin me miqtë e tyre dhe të hanin një vakt. Një kohë në të cilën zhvillohen edhe biseda - rreth shpresave, pritjeve dhe shqetësimeve që lidhen me situatën politike në Bullgari.
Sipas Veselin Markov, është e nevojshme që bullgarët jashtë vendit të kuptojnë qëllimet e Rumen Radev, i cili fitoi shumicën absolute, dhe të koalicionit të Bullgarisë Progresive të udhëhequr prej tij, përpara se të kenë pritjet e tyre prej tij:
FOTO: BGNES
"Nuk mendoj se edhe në Bullgari të gjithë janë të njohur me atë që pritet të ndodhë. Duhet t’i jepet kohë që të tregojë idetë që ka, sepse me kaq shumë njerëz që i kanë besuar, ai duhet ta justifikojë këtë besim dhe të mos përfundojë si kandidatët dhe partitë e tjera që kanë fituar zgjedhjet, edhe pse jo aq bindshëm, dhe pas dy ose tre zgjedhjeve tashmë humbin mbështetjen, sepse nuk janë përballur me atë për të cilën janë zgjedhur."
Bota sot është jashtëzakonisht e ndryshme nga ajo e para disa viteve. Pas pandemisë u ndryshuan kaq shumë gjëra, prandaj ka nevojë të paktën për njëfarë parashikueshmërie lidhur me të tashmen në të cilën ndodhemi,” mendon bullgari Daniell Zhenev, i cili që nga viti 2000 jeton në Çikago.
Daniell Xhenev
FOTO: arkiv personal
“Njerëzit duan që gjërat në Bullgari të ndryshojnë për më mirë. Nuk është hera e parë që kemi zgjedhje dhe unë vërej se bashkatdhetarët tanë bëhen më aktivë për të ndëshkuar ish‑qeverisësit, dhe kur duhet të votojmë për diçka të re dhe të ndryshme, shpesh votojmë më shumë verbërisht. Unë i jap shans secilit. Por kur votojnë, njerëzit këtu duan të dinë se kur të dalin në pension dhe të kthehen në Bullgari, ajo do të jetë, të themi, si Polonia, dhe jo vendi më i dobët ekonomikisht në Evropë.”
FOTO: BTA
Xhenev u dërgoi gjithashtu mesazhin e tij 240 anëtarëve të rinj të parlamentit që do të bëjnë betimin pas pak ditësh:
"Bëni diçka të mirë për njerëzit, jo për veten! Tani dhe menjëherë! Sepse diçka duhet bërë tani, por edhe për të ardhmen, me një horizont prej 3, 5, 7, 10 vitesh përpara. Bëni diçka që do të lërë gjurmë pas jush."
Bullgarët në qytetin e Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar kanë motive të ngjashme për të marrë pjesë në procesin zgjedhor bullgar - të kenë siguri dhe parashikueshmëri. Kjo është arsyeja pse ata i kanë dhënë besimin e tyre koalicionit rreth Presidentit Rumen Radev, mësojmë nga bashkëkombësja jonë Elena Vançeva, e cila është kryetare e seksionit zgjedhor në qytet:
Elena Vançeva
FOTO: arkiv personal
“Një pjesë shumë e madhe e bullgarëve në Kembrixh planifikojnë të kthehen në Bullgari dhe mendoj se kjo /vota për koalicionin Bullgaria Progresive/ është shkëndija e tyre e shpresës për një kthim në Bullgari. Ka shumë për t’u zhvilluar dhe për t’u përmirësuar në vend nga pikëpamja e barazisë, për respektimin e të drejtave të tyre dhe për të qenë të sigurt se kur të kthehen në shtëpi do të mund të përballojnë jetesën me qetësi, ashtu si kur erdhën vetëm në Britani."
Shpresë, për një kthim, por edhe një kusht - që kthimi në atdhe të shoqërohet me parashikueshmëri, paqe dhe një jetë të mirë, lexojmë në fjalët e bullgarëve jashtë vendit, të cilët edhe një herë vërtetuan se emigrimi nuk do të thotë një ndarje me rrënjët dhe të tashmen e Bullgarisë.
Lexoni më tepër:
- Besimi ndaj partive me profil më nacionalist po kalon drejt formacioneve të reja
- Një tablo e qartë politike pas votimit parlamentar në Bullgari
- Shpresojmë që njerëzit në Bullgari të fillojnë të jetojnë më qetë
- Sot bullgarët dolën të votojnë, ndërsa nesër presim “ata të merren vesh”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva