Autor
Joan Kolev
Artikull
Përvan Simeonov: Në Bullgari do të mbizotërojë këndvështrimi antikorrupsion
Veçori e votimit jashtë vendit është mbështetja për formacione të reja me prirje protestuese, thotë analisti nga Agjencia “Mjara”
Premte 24 Prill 2026 05:50
Premte, 24 Prill 2026, 05:50
Përvan Simeonov
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
“Bullgaria Progresive” – fituesi i padiskutueshëm i zgjedhjeve parlamentare në Bullgari, arriti të befasojë të gjitha agjencitë sociologjike me rezultatin mbresëlënës që shënoi më 19 prill. U vu re një valë zgjedhore, edhe pse jo në përmasa si ajo hungareze, dhe partia rreth ish-presidentit arriti të fitojë mjaftueshëm vota nga bullgarët brenda dhe jashtë vendit, në mënyrë që të ketë shumicë në sallën plenare dhe mundësi për të formuar një qeveri të vetme – diçka që sociologët nuk e parashikuan si tendencë gjatë fushatës zgjedhore. Sot, analistët e shohin rezultatin e zgjedhjeve si një vazhdim logjik të valës protestuese dhe dëshirës për ndryshim të gjendjes ekzistuese. Sa i përket bullgarëve jashtë vendit, vota atje është një pasqyrim i asaj në Bullgari. “Veçoria kryesore e votimit jashtë vendit, në përgjithësi, është mbështetja për formacione të reja me prirje protestuese. Kjo rregullsi u ruajt” – theksoi në një intervistë për Radio Bullgarinë politologu Përvan Simeonov nga Agjencia Sociologjike “Mjara”, partnere e Radios Kombëtare Bullgare në pasqyrimin e votimit.
FOTO: BTA
Shpresat ndaj figurës së Rumen Radevit janë të mëdha – pyetja është nëse ekipi me të cilin do të rrethohet dhe veprimet që do të ndërmarrë do t’u përgjigjen pritshmërive për moral në politikë, gjallërim të ekonomisë dhe një politikë të jashtme të qartë proevropiane. Të gjitha këto mbetet t’i kuptojmë pasi deputetët e sapozgjedhur të bëjnë betimin, ndërsa forca e parë politike të marrë mandatin për formimin e qeverisë. Megjithatë, duke qenë se figura kryesore në të nuk është e panjohur – Rumen Radev doli nga presidenca si politikani me vlerësimin më të lartë, me mbi 50% miratim – mund të supozojmë se një pjesë e këtij rezultati i detyrohet popullaritetit të tij të lartë ndër qytetarët bullgarë. Është e mundur që në zgjedhjen e bashkatdhetarëve tanë të ketë ndikuar edhe prirja, tashmë e shndërruar në tendencë, për të votuar për një figurë politike ose formacion që në shkallën më të madhe identifikohet me figurën e “shpëtimtarit”. A është i tillë rasti me figurën e Rumen Radevit?
Rumen Radev
FOTO: EPA/BGNES
“Në rastin konkret, nuk më duket si një “shpëtimtar”, por si një zhvillim i natyrshëm, i cili prej kohësh priste radhën e vet – efekti i shtyrë i valëve protestuese të viteve 2020 dhe 2025, nga i cili përfituan si Radev, ashtu edhe koalicioni “Po e vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike”. Prandaj, nëse e vini re, mungon njëfarë euforie e madhe, pikërisht sepse ai ishte disi një fitues i parathënë. Kjo ndjesi bëri që shumëkush të pohonte se nuk ka fushatë, nuk do të ketë valë elektorale, ndërsa të tjerë, si unë, përsërisnin vazhdimisht se nëse ajo do të ekzistonte, do të shfaqej në fund. Nuk ka asnjë dyshim se “Bullgaria Progresive” është një dukuri elektorale me përmasa shumë të mëdha dhe nuk duhet nënvlerësuar aspak” – thekson në një analizë për Radio Bullgarinë politologu Përvan Simeonov.
Sa i përket votimit jashtë vendit, ai vë theks të veçantë edhe te rezultatet në Turqi, ku për herë të parë në krye renditet DPS, e udhëhequr nga Deljan Peevski, në vend të fituesit tradicional atje – partisë së Ahmed Doganit.
Votimi në lagjen “Bajrampasha” në Stanboll
FOTO: БНР
Deklaratat e deritanishme të Rumen Radevit janë mjaft të përmbajtura, por ndër to spikat njëra, në të cilën, pavarësisht vlerësimit për Ministrinë e Brendshme në kufizimin e votës së blerë, ai u bëri thirrje të gjithë ministrave aktualë të përkohshëm të japin dorëheqjen.
“Ky kabinet është një variant shumë i mirë i asaj se çfarë mund të ndodhte nëse Radevit do t’i duhej të vepronte së bashku me PP-DB edhe në të ardhmen; megjithatë, për shkak të shumicës që fitoi, kjo duket se nuk do të jetë e nevojshme. Por kabineti i përkohshëm mund të përmbajë edhe njëfarë formule për mënyrën se si Radevi e sheh qeverisjen e mundshme në vijim. Pikërisht – si mund të arrihet një ndjesi për një përfshirje shumë më të gjerë.”
FOTO: AP/BTA
Kryeministri i mundshëm i ardhshëm, Rumen Radev, nuk do të ketë një qëndrim thellësisht prorusi, por do të demonstrojë besnikëri ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke ruajtur natyrisht qëndrimet e veta të veçanta në lidhje me Bullgarinë dhe ndihmën e saj ndaj Ukrainës – parashikon politologu.
“Në të njëjtën kohë më duket se, sa i përket stilit të qeverisjes, Radev ka më shumë gjasa të kërkojë ngjashmëri me një figurë shumë të njohur bullgare, e cila u kthye nga jashtë vendit para 25 vjetësh – Simeon Sakskoburggotski. Ky është një stil qeverisjeje që synonte të ishte konsensual, ashtu siç në fillim tingëllonte edhe fushata e presidentit. Apropo, në dhjetë ditët e fundit ai e ndryshoi tonin e saj, u shfaq edhe një flamur rus, por paradoksi është se kjo pamje funksionoi për të dy kampet – e forcoi atë të PP-DB-së, por njëkohësisht duket se orientoi drejt Radevit shumë vota që përndryshe potencialisht do të shkonin te “Vëzrazhdane” dhe BSP-ja. Shfaqja e një fotografie të tillë në fushatën zgjedhore nuk ndodh rastësisht, por është më tepër një efekt i synuar, i përshkallëzuar vazhdimisht nga PP-DB, të cilët megjithatë aktualisht shprehen shumë më të përmbajtur ndaj Radevit. Kjo nënkupton se ndoshta në Bullgari do të mbizotërojë këndvështrimi antikorrupsion, në vend të narrativës pro-ruse apo antiruse, tradicionale për vendin tonë prej dekadash” – është i bindur Përvan Simeonov. Çfarë stili do të ketë Rumen Radev si politikan partiak – koha do ta tregojë.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova