SHOQËRI

Artikull

Nga "Kutia Postare" e Radio Bullgarisë - letra nga vende të ndryshme të botës

Dielë, 3 Maj 2026, 10:05

Nga "Kutia Postare" e Radio Bullgarisë - letra nga vende të ndryshme të botës

FOTO: Desisllava Semkovska

Madhësia e shkronjave

Vazhdojmë të marrim urime për përvjetorin e programit shumëgjuhësh të Radios Kombëtare Bullgare - Radio Bullgaria! Faleminderit, miq të nderuar, për vëmendjen, urimet inkurajuese dhe vlerësimet frymëzuese! Ndajmë me të gjithë audiencën e programit tonë disa nga mesazhet që morëm në mars, duke shprehur në vend të parë falënderimet tona të sinqerta ndaj miqve të Radio Bullgarisë në gjuhën shqipe. 

Në vend të parë deshëm të shprehim mirënjohjen tonë të madhe ndaj dëgjuesit tonë të rregullt dhe shumë të dashur Fadil Ribari nga Kosova – një mik besnik në vazhdim të shumë viteve i Radio Bullgarisë:

“Kujtimet i kam të freskëta kur dëgjoja Radio Bullgarinë në gjuhen shqipe në orën 21:00 me një portabel radio” – na shkroi Fadili pak pas festimit të ditëlindjes sonë.

Fadil Ribari është një mik shumë i madh jo vetëm i medias sonë, por i Bullgarisë:

“Republika e Bullgarisë është e veçantë në tërë Evropën për banjat minerale. Unë i kam vizituar shumë nga ato që nga viti 1990, në Sandanski, Velingrad, Bankja, Starozagorski Minerallni Bani, Pomorie, Nareçenski Bani, Devin, Hisarja, ku kam mbetur i fascinuar me bukuritë dhe vetitë shëruese që ofrojnë. Andaj kisha preferuar që sa më shumë t’i vizitojnë këto pasuri që i ka Bullgaria, dhe se do të gjejnë shërim në to” – shprehu para pak kohe Fadili përshtypjet e tij për një nga pasuritë e Bullgarisë – banjat tona minerale.

“Përshëndetje, jam ndjekës i faqes tuaj. Radio Bullgaria në gjuhën shqipe më ka pëlqyer gjithmonë. E kam ndjekur edhe në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri, mezi prisja orën 21, në mos gabohem, kur ishte emisioni i mbrëmjes. Edhe sot më pëlqen” – ndau në faqen tonë në Faebook Bashkim Derstila nga Elbasani i Shqipërisë.

Urime të ngrohta morëm edhe nga miqtë tanë me rastin e 3 marsit, festës kombëtare të Bullgarisë:  

Sot zemrat e çdo Bullgari rrahin në ritmin e historisë ...

Liria nuk është thjesht një datë.

Ajo është një kujtim.

Ajo është një detyrim.

Ajo është dashuri për atdheun. Gëzuar Ditën e Pavarësisë! – na shkroi Muhamet Shala nga Kosova.

ЧЕСТИТ ПРАЗНИК, MOЯ БЬЛГАРИЯ! (Gëzuar festën, Bullgaria ime!)na shkroi në bullgarisht Selvi Pupuleku Canga për festën tonë kombëtare dhe përsëri në bullgarisht shkroi: Честита Баба Марта, приятели! (Gëzuar Ditën e Gjyshes Marta, miq) me rastin e Ditës së Verores në Bullgari.

“Gëzuar pa mbarim dita e verës” – na shkroi Agim Kasa nga Tirana e Shqipërisë përsëri me rastin e një marsit – Ditës së Gjyshes Marta.

FOTO: pixabay

"Ju uroj gjithçka më të mirë për 90vjetorin e Radio Bullgarisë!” – na shkroi Dieter Sommer nga Gjermania.

“Ju dërgoj përshëndetje të ngrohta dhe shumë 73 nga Guadalajara, Meksika.

Dua të shpreh urimet dhe vlerësimin tim për këtë stacion legjendar ndërkombëtar me valë të shkurtra me rastin e 90vjetorit të tij.

Personalisht e konsideroj Radio Bullgarinë një stacion unik me një stil të vet, shumë profesional dhe të paanshëm. I uroj sukses dhe jetë të gjatë këtij radiostacioni.”

Miku juaj Javier Gonzalez Nungaray, Meksika

“Nëntë dekada mençuri, muzikë dhe magji. Bota është më e mirë me tingullin tuaj, i cili ende dëgjohet. Gëzuar ditëlindjen! A ju kujtohet kur quheshit Radio Sofja, mikja dhe dëgjuesja juaj prej shumë vitesh Marlene Sherburne?” Po, Marlene, ju kujtojmë dhe ju falënderojmë për kartolinën e mrekullueshme! Shpresojmë që edhe për shumë vite të jemi në të njëjtën valë!

Kartolina nga Marlene Sherburne për 90‑vjetorin e Radio Bullgarisë

FOTO: Desisllava Semkovska

“I nderuar ekip i Radio Bullgarisë,

Përshëndetje të përzemërta nga Pakistani!

Me rastin e Festës Kombëtare të Bullgarisë, dëshiroj nga zemra t’ju uroj ju dhe popullit të vendit tuaj të mrekullueshëm. Kjo ditë e veçantë është simbol i lirisë, guximit dhe krenarisë kombëtare. Uroj që Bullgaria të vazhdojë të zhvillohet në paqe, unitet dhe mirëqenie.

Si dëgjues i rregullt i Radio Bullgarisë, e vlerësoj sinqerisht programin tuaj informativ dhe kulturor, i cili lidh njerëzit në mbarë botën.

Ju uroj sukses të vazhdueshëm dhe një të ardhme të ndritshme” – shkruan në letrën e tij Abdul Malik nga Pakistani.

“Do të doja t’ju uroj për festën kombëtare të vendit tuaj dhe t’ju dërgoj përshëndetje të përzemërta – na shkruan Horst Cersovsky nga Gjermania. – E dëgjova programin gjerman të Radio Bullgarisë në vendpushimin St. Paul’s Bay, në pjesën veriore të Maltës.” 

“Përveç urimeve të mrekullueshme, dëgjuesi ynë Bernd Seiser nga Gjermania, përmes Radio Bullgarisë, u dërgon një ftesë të gjithë dëgjuesve të valëve të shkurtra dhe adhuruesve të radios për takimin e 45të ndërkombëtar rajonal DX, i cili do të mbahet në Ottenau Murgthal më 16 maj.”

Artikull për Redaksinë е Gjuhës Gjermane të “Radio Bullgarisë” në revistën “Radiokurier”

FOTO: Desisllava Semkovska

Na gëzon shumë fakti që çdo muaj na shkruajnë gjithnjë e më shumë dëgjues të rinj.

“Jam një japoneze 58vjeçare që jeton në Angli. Fillova të interesohem për dëgjimin e programeve ndërkombëtare radio në vitin 2018. Jam anëtare e British DX Club”, – na shkruan Misajo Tanaka nga Mbretëria e Bashkuar.

“Jam i lumtur t’ju njoftoj se e dëgjova programin tuaj radio. Dhe jam aq i gëzuar që mund ta dëgjoj edhe këtu në Japoni! Mësova për këtë në një grup në Facebook që merret me informacion rreth radios botërore! Edhe pse jam japonez, më pëlqen shumë muzika bullgare dhe e adhuroj. Shpresoj që radiostacioni juaj t’i vazhdojë këto transmetime përgjithmonë! Edhe unë festoj 90vjetorin e radiostacionit tuaj, ndan me ne Satoshi Tanaka nga Japonia.

Dhe ja letra e Hector Goicoechea nga Uruguai:

“Përshëndetje, me këtë letër ju njoftoj se jam një DXist nga Uruguai. Po ju shkruaj për tju paraqitur një përmbledhje të programeve që kam dëgjuar. 

“Një kujtim i dashur ndahet nga Norbert Reiner nga Gjermania:

“Që nga viti 1962 – kur isha 11 vjeç – jam radioamator. Një nga thesaret në koleksionin tim është një kartolinë QSL për dëgjimin e programit gjerman të Radio Sofjes, transmetuar në 6070 kHz në nëntor 1962.”

FOTO: Desisllava Semkovska

Morëm dhe shumë fjalë të mira për punën tonë dhe emisionet e Radio Bullgarisë:

“Ju dërgoj një raport mbi dëgjueshmërinë e podcastit në gjuhën spanjolle të Radios Kombëtare të Bullgarisë. Do të doja t’ju përgëzoj për përmbajtjen dhe cilësinë e programeve tuaja, si dhe për profesionalizmin e prezantueseve tuaja – Hristina dhe Soraida. Do t’ju isha mirënjohës nëse do të më dërgonit kartolinat tuaja QSL – si të rejat, ashtu edhe të vjetrat. Me urimet më të mira nga Zaragoza, Spanja.”  

Sergio Andreu Gracia, Spanja

“Ashtu siç bëj çdo muaj, dhe me shpresën se do të vazhdoj ta bëj edhe për shumë kohë, po ju dërgoj raportin tim për dëgjimin e radios suaj. Dua t’ju falënderoj sinqerisht për përgjigjet që më dërgoni – është një gjest që e vlerësoj shumë dhe që më inkurajon të mbaj kontakt me ju. Ju dërgoj përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe urimet më të mira për këtë muaj mars. Shpresoj që të jeni të gjithë mirë dhe të vazhdoni me energjinë dhe entuziazmin që transmetoni çdo ditë. Përqafime.”

Juan Carlos Pérez Montero, Spanja

“Në vitin 2026 do të vazhdoj të jem po aq besnik dhe i palodhur në dërgimin e letrave të mia, të lidhura me Redaksinë time të dashur Gjermane të Radio Bullgarisë. Bota, pa programin tuaj në gjuhën gjermane, do të ishte pak më gri, pothuajse si një ditë e stuhishme dimri pa borë. Por edhe më keq do të ishte nëse një ditë kontakti ynë me letra, për ndonjë arsye, do të ndërpritej, prandaj shpresoj që gjithçka të vazhdojë po aq mirë sa deri tani. Do të ishte një përvojë e mrekullueshme radiofonike nëse programi juaj një ditë do të kthehej sërish në valët e shkurtra, por mendoj se kjo është po aq reale sa bora në verë. Megjithatë, e them këtë me një farë nostalgjie.

Emisioni gjerman i 2 janarit më gëzoi shumë, sepse trajton një temë që më është shumë për zemër – banjat termale, të cilat për mua janë simbol i pushimit dhe mirëqenies shpirtërore. Jam shumë i lumtur që kartolinat që më dërgoni janë më të bukurat në koleksionin tim të madh deri tani. Sepse kur i vendos në një katror të madh, ato formojnë një mozaik të mrekullueshëm të Bullgarisë me atraksionet më të bukura turistike të vendit. Kështu mund ta njoh Bullgarinë pa bërë gati valixhen për udhëtim. Megjithatë, asgjë nuk mund të zëvendësojë një udhëtim personal në vendin tuaj, sepse vetëm kështu mund të njoh ngrohtësinë dhe mikpritjen tuaj. Shumicën e vendeve të paraqitura në kartolina i kam vizituar vetë.”

Michael Lindner, Gjermania

FOTO: Desisllava Semkovska

Më pëlqejnë këngët tuaja të bukura bullgare. Bullgaria është një vend i mrekullueshëm!”

REGINALDO ANUNCIAÇÃO, Brazili

“Jam dëgjues i rregullt i programeve tuaja dhe ato më pëlqejnë vërtet shumë. Lajmet dhe reportazhet tuaja për ngjarjet aktuale bazohen gjithmonë në fakte të besueshme dhe dallohen për cilësinë e lartë gazetareske. I lexoj me shumë interes, sepse më ndihmojnë të kuptoj ngjarjet botërore në një mënyrë të thjeshtë dhe të qartë...” – na lavdëron Muhammad Bashir nga Pakistani.

“Kopshti Botanik pranë Akademisë së Shkencave të Bullgarisë ofron një arratisje nga dimri, me azalet dhe orkidetë në lulëzim që sjellin ngjyra gjatë muajve më të ftohtë në Sofje. Më pëlqeu shumë ta lexoja këtë në internet. Ju falënderoj për përmbajtjen e shkëlqyer.” 

Kanu Kumar Paul, Australi

FOTO: Desisllava Semkovska

“Namaste nga India për ju dhe për të gjithë miqtë e mi të Radio Bullgarisë!

Vëmendjen ma tërhoqi një nga lajmet tuaja kulturore, e cila m’u duk jashtëzakonisht tërheqëse dhe me rëndësi. Kam parasysh poetin besarab Nikо Stojanov, 80vjetori i lindjes së të cilit ishte në qendër të vëmendjes – thotë Jayanta Chakrabarty nga India.

“Programi i Radio Bullgarisë në gjuhën gjermane ishte sërish shumë i këndshëm dhe i larmishëm. Jam veçanërisht i mahnitur nga muzika popullore bullgare dhe nga seria e mrekullueshme ‘Kryevepra të kulturës muzikore bullgare’. Thjesht është fantastike që në Radio Bullgaria ende transmetohen programe kaq të bukura.

Sa i përket librit tim, i cili në fakt është pothuajse gati: ai mban titullin ‘Këtu flet Radio Sofia’ me nëntitullin ‘Rruga e gjatë drejt lirisë’.” 

Helmut Matt, Gjermani

FOTO: Rosica Radullova

Dhe në fund, një vëzhgim shumë i rëndësishëm nga Malik Khokhar nga Pakistani, i cili i dëgjon programet tona në anglisht online, por ne jemi të bindur se fjalët e tij vlejnë për të gjitha gjuhët e Radio Bullgarisë:

“Programet radiofonike në gjuhën angleze luajnë një rol shumë të rëndësishëm në përhapjen e dijes, kulturës dhe informacionit në mbarë botën. Për shumë dëgjues si unë, këto programe nuk janë vetëm një burim argëtimi, por edhe një mënyrë e shkëlqyer për të mësuar më shumë rreth vendeve të ndryshme, traditave dhe ngjarjeve botërore.

“Një element i çmuar është rubrika e ndërveprimit me dëgjuesit. Shumë radiostacione transmetojnë programe të veçanta, në të cilat lexojnë letra dhe emaile nga dëgjues nga e gjithë bota. Këto programe u japin mundësi dëgjuesve të ndajnë mendimet e tyre, raportet e pranimit dhe sugjerimet për transmetimet. Kjo krijon një lidhje të fortë midis stacionit dhe audiencës së tij. Dëgjuesit ndihen të lumtur dhe krenarë kur letrat e tyre lexohen në eter. Shpresoj sinqerisht që këto programe të vlefshme të vazhdojnë të transmetohen edhe për shumë vite dhe të arrijnë tek edhe më shumë dëgjues në mbarë botën.” 

Ekipi i Radio Bullgarisë e vlerëson jashtëzakonisht shumë lidhjen me audiencën tonë në mbarë botën. Çdo letër na emocionon dhe na frymëzon, prandaj – mos ndaloni së shkruari, miq të dashur!

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva