SPORT

Artikull

Giro d’Italia filloi me një ceremoni në Bregdetin Bullgar të Detit të Zi

“Shpresoj që njerëzit në mbarë botën të shohin një Bullgari të vërtetë dhe të bukur me pamje të mrekullueshme”, thotë gazetari sportiv Kamen Alipiev

Enjte, 7 Maj 2026, 07:00

Giro d’Italia filloi me një ceremoni në Bregdetin Bullgar të Detit të Zi

FOTO: Giro d’Italia

Madhësia e shkronjave

Gjysmë miliard banorë të planetit tonë drejtuan shikimin drejt Bullgarisë, për të përjetuar fillimin e garës së njohur ndërkombëtare të çiklizmit Giro d’Italia. Ata kanë mundësinë të njihen me bukurinë e natyrës bullgare dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme kulturore-historike, ndërsa vendi ynë do të kapë shansin për të dëshmuar veten si një mikpritës i përgjegjshëm i ngjarjeve të përmasave botërore.

Starti i turit – i ashtuquajturi Grande partenza, u mbajt më 6 maj në Teatrin Veror të qytetit bregdetar Burgas, ku në një ceremoni zyrtare u prezantuan ekipet pjesëmarrëse në garë.

Kamen Alipiev

FOTO: Ani Petrova

Sipas gazetarit Kamen Alipiev, një nga arsyet kryesore që Giro d’Italia zhvillohet edhe në vendin tonë është për të bërë reklamë për Bullgarinë dhe për të treguar se, megjithëse në një cep pak më anësor të Evropës, ajo është pjesë e pandashme e saj dhe është gati të pranojë një sfidë të tillë.

Sipas tij, turi çiklistik është ngjarja më e madhe sportive që ka ardhur ndonjëherë në vendin tonë. Prandaj, thotë ai me shaka, është e rëndësishme të përmbushim shprehjen “Të mos turpërohemi para të huajve”, pasi do të na shikojnë jo vetëm në kontinentin tonë, por edhe nga Kolumbia deri në Australi.

Nesebër

FOTO: Giro d’Italia

Starti i vërtetë është më 8 maj, kur çiklistët do të nisen nga qyteti i lashtë bregdetar Nesebër, duke kaluar pranë dy prej kishave në Qytetin e Vjetër – pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO. Në Burgas ata do të kalojnë përgjatë rrugës së njohur “Regjimenti i 24-të i Detit të Zi”, pranë Kopshtit Detar dhe stadiumit “Çernomorec”.

Rreth Sozopol (i themeluar në shek. VII p.e.s.), garuesit do të bëjnë një xhiro prej 22 kilometrash dhe do të shijojnë një nga pamjet më të bukura detare – të ashtuquajturin “Plazhi i Shoferit”.

FOTO: Giro d’Italia

Rruga e çiklistëve kalon përmes shumë monumenteve natyrore dhe kulturore në një sërë vendbanimesh në Bullgari, për të arritur në sheshin qendror në Pllovdiv, ku i pret një sfidë në tunelin nën Teatrin Antik dhe shumë kilometra të tjera – deri te bulevardi “Carigradsko shose” në Sofie dhe finalja mbi kalldrëmet e verdha para ndërtesës së Parlamentit në kryeqytetin bullgar.

FOTO: sofia.bg

Gazetari sportiv paralajmëron qytetarët që duan të shohin nga afër pjesëmarrësit në Giro d’Italia të shkojnë më herët në vendet e përcaktuara dhe të marrin ujë dhe pak ushqim, sepse do të duhet të presin gjatë. Gjithashtu të mos kalojnë rrugën e garës, të mos përpiqen të kontaktojnë me çiklistët, të mos zgjasin duart për të marrë shishet e tyre, të presin që adrenalina të bjerë pas përfundimit të garës dhe vetëm atëherë të shkojnë të bëjnë fotografi me yjet sportivë. “Me fjalë të tjera, të shohim një publik më të edukuar, që i mbështet garuesit dhe nuk përpiqet të ndërhyjë në performancën e tyre”, përmbledh Kamen Alipiev në një intervistë për Radio Bullgarinë.

FOTO: giro2026.visitbulgaria.com

Besoj sinqerisht se qytetarët bullgarë do të shijojnë garën dhe do të dalin ta shohin – deklaroi edhe ministri i përkohshëm i sportit Dimitër Iliev, duke i thënë këto fjalë gjatë hapjes së orës që numëron ditët deri në fillimin e Giro d’Italia. – Përfitimet janë jashtëzakonisht të mëdha si për sportin, ashtu edhe për turizmin. Turi sjell me vete një fluks të madh turistik dhe do të ndiqet në rreth 190 vende nga miliona shikues. Me vendosjen e orës, Bullgaria simbolikisht konfirmon gatishmërinë dhe ambicien e saj për të qenë mikpritëse e startit dhe e tre etapave të para të kësaj gare prestigjioze çiklistike. Ky është një sinjal i qartë për angazhimin e vendit tonë për organizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të garës ndërkombëtare.”

FOTO: BTA

Çfarë “pas-shije” – nëse përdorim këtë term kulinar – do të lërë kjo ngjarje sportive e madhe jo vetëm tek shikuesit dhe tifozët e çiklizmit, por edhe si imazh i Bullgarisë?

“Mendoj se i gjithë ky organizim i madh dhe shpenzimi i kaq shumë burimeve njerëzore, financiare, logjistike dhe të tjera në territorin e vendit tonë është me qëllimin që kjo pas-shije të jetë si nga një verë e mirë – pasi e ke shijuar, të zbulosh gjithnjë e më shumë gjëra të reja – përgjigjet Kamen Alipiev. – Si një njeri që gjithmonë është përpjekur të flasë për sportin si pjesë e kulturës së një populli, është e rëndësishme që një vend me tradita jo të këqija në çiklizëm si Bullgaria të mbetet me një shije të mirë dhe gara të ndezë sa më shumë njerëz që të merren me çiklizëm dhe të bëjnë sport.”

FOTO: Giro d’Italia

Kur shpirti i një fëmije magjepset, në të zgjohet një shtysë nga e cila lind ëndrra e madhe. Kush e di nëse pas një apo dy dekadash ndonjë fëmijë, që sot qëndron për një foto pranë një kampioni të Giro d’Italia, nuk do të hidhet në garën që ka pushtuar ëndrrat e tij dhe e ka ngjitur në biçikletën e tij të parë…

Shihni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski