SHOQËRI

Artikull

Fitore bullgare me jehonë globale – reagime pas triumfit në Eurovision 2026

Presidentja dhe Kryeministri përshëndetën në territorin tonë mbajtjen e garës muzikore

Dielë, 17 Maj 2026, 17:38

Fitore bullgare me jehonë globale – reagime pas triumfit në Eurovision 2026

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Fitorja historike e Bullgarisë dhe DARA-s në “Eurovision 2026” shkaktoi interes të madh shoqëror dhe një valë emocionesh në rrjetet sociale dhe në media.

Presidentja e vendit, Ilijana Jotova, e përkufizoi paraqitjen e jashtëzakonshme të DARA-s si një triumf – për të dhe për vendin tonë – dhe me postimin e saj në Facebook përshëndeti Eurovision 2027 në Bullgari:

“Urime për gjithë ekipin që qëndron pas kësaj fitoreje të padiskutueshme, urime për Televizionin Kombëtar Bullgar, BNT! Faleminderit për emocionet e forta dhe frymëzimin! Eurovision Song Contest, welcome to #Bulgaria!”.

Kryeministri Rumen Radev e përkufizoi arritjen historike të këngëtares sonë ekspresive si një “fitore bullgare me jehonë globale!”.

“Këtë na e solli DARA / Darina Yotova në Eurovision. Urime për vajzën që me talentin dhe profesionalizmin e saj theu të gjitha konsideratat dhe paragjykimet e ndërlikuara të votimit. Dara është edhe një dëshmi tjetër se Bullgaria mund të fitojë. Urime për BNT dhe gjithë ekipin që kontribuoi për fitoren! Bullgaria pret Evropën dhe botën në Eurovision 2027!”

Dara është frymëzim për Bullgarinë dhe dëshmi se çdo bullgar, me përpjekje dhe punë, mund të arrijë sukses, tha kryetarja e parlamentit, Mihaella Docova:
“Bravo, DARA! Jemi krenarë me ty dhe me suksesin tënd!” – shkroi ajo në Facebook, pasi Bullgaria fitoi edicionin e sivjetshëm të “Eurovision”. – “Ti je shembull i një personi që beson në veten dhe në talentin e vet, frymëzim se puna e palodhur, besimi në ëndrra dhe përgatitja gjithmonë japin rezultat! Ti je frymëzim për Bullgarinë dhe dëshmi se çdo bullgar me përpjekje dhe punë mund të ketë sukses”, shtoi Mihaella Docova.

Bullgarët jashtë vendit realizuan një “revolucion” të vërtetë në rrjetet sociale, pasi thirrjet për mbështetje të këngës bullgare në Eurovision krijuan një valë patriotike dhe një bashkim të paparë.

Këtu janë pamjet e mbështetjes nga bashkatdhetarët tanë në Munih – pjesëmarrës në tubimin “Në sheshin e Bullgarisë tjetër”, nga 21 shtete:

Drejtoresha e përgjithshme e BNT-së, Milena Millotinova, falënderoi të gjithë bashkatdhetarët jashtë vendit që besuan në ëndrrën e DARA-s dhe të Bullgarisë, dhe gjithashtu përshëndeti mbajtjen e konkursit në atdheun tonë gjatë konferencës për shtyp pas finales në Vjenë:

 “Jam shumë krenare, aq shumë krenare për performancën e kësaj mbrëmjeje, performancën e DARA-s. Ajo që bëri ajo është e pabesueshme. Dhe jam krenare t’ju them: mirë se vini në Sofje vitin e ardhshëm. Dua të falënderoj gjithë ekipin që qëndron pas DARA-s, partnerët tanë, ekipin e Televizionit Kombëtar Bullgar. Ju faleminderit, njerëz!” – tha Millotinova, transmetoi BTA.

FOTO: BTA

“Përgëzoj Dara-n për fitoren e saj në konkursin e këtij viti ‘Eurovision’ dhe të gjithë interpretuesit për faktin që bashkuan kaq shumë njerëz përmes fuqisë së muzikës. Me padurim pres që vendi im, Bullgaria, të jetë mikpritës i edicionit të ardhshëm”, deklaroi në një publikim në rrjetet sociale drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, e cituar nga BTA.

FOTO: Eurovision Song Contest

Guxim, sinqeritet, shumë talent, punë e jashtëzakonshme dhe një pikë çmendurie – e gjitha kjo është DARA dhe ajo e dëshmoi me praninë e saj të plotë në Vjenë. Mediat janë të mbushura me pamje dhe reagime pas konkursit në Vjenë, ndërsa fansat e përshkruan suksesin si “një nga momentet më të forta muzikore për Bullgarinë gjatë viteve të fundit”.

Vendi ynë fiton për herë të parë konkursin e këngës dhe kjo ndodhi gjatë edicionit të tij të 70-të. Shumë e sinqertë, në intervistat pas fitores DARA theksoi faktin se muzika i ka bashkuar njerëzit në Ballkan në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe nuk harroi të ndajë lumturinë e saj se ka kontribuar që bota të “shohë” Bullgarinë dhe krijuesit e shumtë të talentuar që bëjnë muzikë dhe art këtu.

DARA mori një njohje shumë të madhe edhe nga bashkësia e krijuesve në Bullgari.

Tani Bullgaria pret kthimin e Dara-s, për t’i shprehur gjithë mirënjohjen dhe dashurinë e saj.

 

Redaktoi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva