Artikull
Bullgaria përkulet para heronjve të saj
Më 2 Qershor nderohen Hristo Botevi dhe të gjithë dëshmorët e lirisë dhe pavarësisë së Bullgarisë
Martë 2 Qershor 2026 08:45
Martë, 2 Qershor 2026, 08:45
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Bullgaria mund të jetë e fortë dhe e bashkuar kur qëndron besnike ndaj idealeve të heronjve të saj. Këtë e deklaroi presidentja Ilijana Jotova gjatë ceremonisë përkujtimore të zhvilluar në qytetin e Vracës, me rastin e Ditës së Hristo Botevit dhe të Dëshmorëve të Lirisë dhe Pavarësisë së Bullgarisë. Gjatë ceremonisë së mbajtur në mbrëmjen e 1 qershorit në sheshin “Hristo Botev”, Jotova bëri homazhe për poetin dhe revolucionarin e pavdekshëm Hristo Botev, si edhe për të gjithë heronjtë e njohur dhe të panjohur që sakrifikuan jetën për lirinë e atdheut. Sipas saj, heronjtë e kombit i ndihmojnë bullgarët të mos harrojnë se kush janë dhe nga vijnë. “Kjo na kujton se në damarët tanë rrjedh gjaku i heronjve tanë kombëtarë, i atyre që na bënë të ndihemi krenarë që jemi bullgarë.” Na kujton se jetojmë në një tokë me histori të lavdishme, e cila ka përjetuar beteja të vështira, por madhështore, dhe ka nxjerrë njerëz të mëdhenj”, tha Jotova.
FOTO: BTA
Presidentja theksoi se mesazhi që ka lënë Hristo Botev është po aq i rëndësishëm edhe sot. “Ne mund të thyejmë çdo zinxhir që pengon mendjen dhe shpirtin e njeriut. Kjo është trashëgimia që na la Hristo Botev. Duhet të luftojmë kundër pajtimit me padrejtësinë, kundër apatisë, kundër largimit nga njëri-tjetri dhe kundër humbjes së ndjenjës së përkatësisë, sepse pavarësisht gjithçkaje, ne jemi një popull i vetëm”, tha ajo. Jotova u bëri thirrje bullgarëve të jenë të bashkuar dhe të mbrojnë drejtësinë dhe idealet kombëtare.
FOTO: BTA
Më 2 qershor, në të gjithë Bullgarinë mbahet një minutë heshtje dhe bien sirenat në nderim të Hristo Botevit dhe të të gjithë atyre që ranë për çlirimin dhe pavarësinë e vendit. Në qytete dhe fshatra vendosen lule dhe kurora pranë monumenteve dhe lapidareve të poetit, revolucionar dhe komandant luftarak.
Maja Okollçica
FOTO: Iva Antonova
Ngjarja kryesore përkujtimore mbahet në majën Okollçica, në malin e Stara Pllanina, ku përfundon marshimi përkujtimor “Nëpër gjurmët e Botevit”, që nis nga Kozlloduji dhe përfundon në Okollçica. Atje, duke filluar nga ora 11:00, do të mbahet një homazh mbarëkombëtar, një tubim përkujtimor për ata që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit, një lutje fetare dhe një rikrijim historik i betejave të zhvilluara në atë zonë.
Lexoni më shumë mbi temën:
- 150 vjet nga rënia e Hristo Botev dhe nga heroizmi içetës së tij
- Fletorja personale e Hristo Botevit dëshmon për vitin e fundit të jetës së tij
- Hristo Botev, Kryengritja e Prillit dhe "Komitetet Sllave"
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova