KULTURË

Seksion

Mimoza Hasani-Pllana nderohet me titullin “Ambasadore e Kulturës Bullgare 2025”

“Në një botë që shpesh i thekson dallimet, kultura na kujton atë që kemi të përbashkët”

Shtunë, 20 Qershor 2026, 10:05

Mimoza Hasani-Pllana nderohet me titullin “Ambasadore e Kulturës Bullgare 2025”

FOTO: Kostandina Bello

Madhësia e shkronjave

Kur kultura shndërrohet në urë mes vendeve dhe njerëzve, puna e atyre që e ndërtojnë atë urë rrallë kalon pa u vënë re. Kështu ndodhi edhe me Prof. Mimoza Hasani-Pllana, studiuese, kritike letrare dhe pedagoge në Universitetin e Prishtinës, e cila u nderua në Sofje me titullin “Ambasadore Bullgare e Kulturës 2025”. Vlerësimi iu dha ceremoninë e organizuar nga Radioja Kombëtare Bullgare në Muzeun Kombëtar Arkeologjik në Sofje, në kuadër të fushatës me të njëjtin emër, nën patronazhin e zëvëndëspresidentes Iljana Jotova.


Mimoza Hasani-Pllanau vlerësua për kontributin e saj të veçantë në forcimin e marrëdhënieve kulturore dhe akademike ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, si dhe për angazhimin në hapjen e klasave për mësimin e gjuhës bullgare në Ballkanistikë dhe në Qendrën e Gjuhëve në Universitetin e Prishtinës. Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të rëndësishëm të jetës institucionale, akademike dhe diplomatike, ndër ta edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Bullgari, z. Haxhi Bajraktari. Çmimi iu dorëzua nga zëvendësministri bullgar i Arsimit dhe Shkencës, akademik Nikollaj Vitanov, ndërsa për Prof. Mimozën ky vlerësim erdhi si një surprizë e bukur dhe e papritur.

Prof. Mimoza Hasani-Pllana me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Bullgari z. Haxhi Bajraktari (në të majtë) dhe drejtorin e Radios Kombëtare Bullgare z. Milen Mitev (në të djathtë)

FOTO: Kostandina Bello

“Për mua, në momentin kur mora lajmin se do të jem Ambasadore e Kulturës Bullgare, ka qenë një nga befasitë më të mëdha dhe një nga lajmet që vërtet më la pa fjalë. Ka qenë një moment shumë i gëzueshëm, për faktin se unë asnjëherë nuk e kam pritur që do ta marr këtë titull dhe këtë nder nga Bullgaria. Jam shumë mirënjohëse dhe e gëzuar, por edhe ndihem me një përgjegjësi të lartë që të vazhdoj tutje bashkëpunimin akademik dhe kulturor ndërmjet dy vendeve tona., u shpreh ajo në intervistëpër Radio Bullgarinë.

FOTO: Kostandina Bello

Marrëdhënia e saj me Bullgarinë është ndërtuar gjatë më shumë se një dekade. Fillimisht përmes angazhimit diplomatik të bashkëshortit të saj në Sofje, e më pas si studente në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ku përfundoi studimet doktorale dhe postdoktorale. Pikërisht aty ajo krijoi lidhje të forta akademike dhe miqësore, të cilat vazhdojnë edhe sot.

Relacionet e mia nuk kanë qenë vetëm akademike, por edhe diplomatike e miqësore.Gjëja më e mirë që kujtoj nga Bullgaria është se takova njerëz të mrekullueshëm, njerëz të cilët më frymëzuan shumë, profesoreshat emija, ku posaçërisht mentorja ime, Rusana Bejleri, më ka frymëzuar që nga dita e parë dhe vazhdon të jetë mentorja ime në jetën akademike. Për çdo projekt që unë bëj, shpesh konsultohem me të dhe ajo më drejton. Kështu që lidhja ime me Bullgarinë nuk po shkëputet. Edhe me marrjen e këtij çmimi, kjo lidhje po vazhdon dhe pres projekte shumë interesante në vitin e ri akademik që po vjen, por edhe gjatë kësaj vere, në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që do të mbahet në Prishtinë.”, thekson ajo.

FOTO: Kostandina Bello

Një nga rezultatet më konkrete të këtij bashkëpunimi shumëvjeçar është hapja e klasave të para të studimit të gjuhës dhe kulturës bullgare në Universitetin e Prishtinës. Sipas Prof. Mimozës, procesi nuk ka qenë i lehtë, pasi është dashur të kalohen procedura administrative si në Kosovë ashtu edhe në Bullgari. Megjithatë, vullneti institucional dhe bashkëpunimi i ndërsjellë kanë bërë të mundur realizimin e këtij projekti.

“Ne patëm fatin që në thirrjen e hapur nga Ministria e Arsimit në Bullgari u paraqiten profesor të gjuhës bullgare, por njëkohësisht edhe njohës shumë të mirë të gjuhës shqipe. Për fat të mirë, tani kemi profesorin Raqi Bello, i cili është studiues i gjuhës bullgare dhe i gjuhës shqipe. Studentët e kanë pritur shumë mirë. Jo vetëm që ka interesim në Departamentin e Ballkanistikës, aty ku mësohet bullgarishtja si gjuhë e dytë e huaj ballkanike, por edhe në Qendrën e Gjuhëve në Fakultetin e Filologjisë, që është Qendra e Gjuhëve në Universitetin e Prishtinës, ku paralelisht vijojnë mësimet e bullgarishtes studentë jo vetëm nga Ballkanistika, por edhe nga dega e Letërsisë Shqipe dhe dega e Anglishtes.”, shpjegon ajo.

FOTO: BNR

Sot, interesimi për gjuhën bullgare në Universitetin e Prishtinës po rritet vazhdimisht. “Dy studentë të studimeve doktorale të Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, do të marrin pjesë në Seminarin e Gjuhës Bullgare në Veliko Tërnovo. Kjo tregon se raportet po intensifikohen shumë shpejt.”, shtoi profesoresha.

Përveç lektoratit, bashkëpunimi po zhvillohet edhe përmes programeve Erasmus dhe CEEPUS. Vizitat e përbashkëta akademike, projektet ndëruniversitare dhe marrëveshjet e reja të bashkëpunimit po krijojnë mundësi të reja për profesorët dhe studentët e të dy vendeve.

Ne synojmë gjithëpërfshirjen dhe diversitetin, si gjuhësor ashtu edhe kulturor”, thotë ajo, duke vlerësuar faktin që në këto programe po përfshihen studentë nga komunitete të ndryshme, duke e bërë bashkëpunimin edhe më domethënës.

FOTO: Kostandina Bello

Një nga momentet më të veçanta lidhet me pjesëmarrjen për herë të parë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare të përfaqësuesve nga Mandrica, fshati i njohur shqiptar në Bullgari.

Për herë të parë këtë vit, në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, do të kemi pjesëmarrës shqiptarë nga fshati Mandricë në Bullgari, një fshat shumë i vjetër, ku popullata ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare, sigurisht falë mbështetjes së shtetit bullgar, i cili u ka mundësuar të veprojnë dhe të zhvillojnë më tej gjuhën e tyre. Ata do të vijnë për herë të parë në seminarin e Prishtinës, gjë që është një lajm shumë sensacional”, shprehet Hasani-Pllana.

Për të, Mandrica përfaqëson jo vetëm një histori të ruajtjes së identitetit, por edhe një shembull të fuqisë së kulturës për të mbijetuar përtej kufijve dhe kohës. Pikërisht këto ura njerëzore e kulturore janëthemeli mbi të cilin duhet të ndërtohen marrëdhëniet e së ardhmes.

FOTO: BNR

Në një botë që shpesh i thekson dallimet, kultura na kujton atë që kemi të përbashkët. Dhe ne shqiptarët gjithmonë gjejmë pika të përbashkëta me bullgarët, në njëfarë forme po e kthejmë atë që Bullgaria ka bërë për shumë vite.”- përmbylli Ambasadorja e Kulturës Bullgare.