Autor
Vesella Krësteva
Artikull
Për fëmijët bullgarë jashtë vendit
Botim i ri i ndihmësit mësimor "Bullgaria Jonë"
Dielë 26 Korrik 2026 10:00
Dielë, 26 Korrik 2026, 10:00
FOTO: Vesella Krësteva
Madhësia e shkronjave
Kur thërret hallin për ndihmë, e kupton se ti vetë je ndihma – këtë çdo bullgar e di mirë nga përralla e Ran Bosilekut. Se si vështirësia na mëson, për këtë janë bindur dy mësuese nga shkollat bullgare të së dielës jashtë vendit, të cilat prej vitesh, së bashku me kolegët e tyre, "i thërrasin hallit" të ofrojë ndihma mësimore në gjuhën bullgare për "fëmijët e tyre" – bashkatdhetarët tanë të vegjël, të cilët mësojnë leximin dhe shkrimin bullgar mijëra kilometra larg atdheut, në një mjedis të ndryshëm gjuhësor dhe kulturor. Kështu vazhdoi deri në momentin kur kuptuan mësimin e tyre dhe vendosën ta hartojnë e ta botojnë vetë një libër të tillë.
Autoret janë dr. Valentina Aleksandrova-Kirova, mësuese e historisë në shkollën e së dielës "Ivan Stançov" pranë Ambasadës së Bullgarisë në Londër dhe bashkëthemeluese e shkollës bullgare të së dielës "Sllovo" në Oksford, si dhe Margarita Rusanova nga shkolla bullgare "Vasill Levski" në Frankfurt am Main, Gjermani.
Takimi vjetor i ABUÇ në Veliko Tarnovo (2025)
FOTO: Shoqata e Shkollave Bullgare Jashtë Vendit
Pikërisht një vit më parë, gjatë Takimit Vjetor të Shoqatës së Shkollave Bullgare Jashtë Vendit (ABUÇ) në Veliko Tërnovo, të dyja prezantuan dhe u dhuruan pjesëmarrësve botimin pilot të ndihmësit mësimor për klasat III dhe IV "Bullgaria Jonë". Para Radio Bullgarisë, dr. Kirova shpjegoi atëherë se ai është një "zëvendësues" i përshtatur i tekstit mësimor të lëndës "Njeriu dhe Shoqëria", e cila mësohet në Bullgari, por edhe në shumë shkolla jashtë vendit. Qëllimi i ndihmësit është të zgjidhë një problem kryesor – mospërputhjen mes kohës së kufizuar që kanë fëmijët në shkollat bullgare të së dielës dhe vëllimit të madh të informacionit që mësohet në këtë lëndë në Bullgari. Me fjalë të tjera, orët mësimore jashtë vendit nuk mjaftojnë për të përfshirë të gjitha temat e ndihmave mësimore të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Dr. Valentina Aleksandrova-Kirova
FOTO: Vesella Krësteva
"Kështu lindi ideja me kolegen time Margarita Rusanova që të jemi të dobishme për kolegët tanë, duke krijuar një ndihmës të ri mësimor, të përshtatur sipas nevojave të nxënësve tanë. Këtë ndihmës e plotësuam edhe me një seksion krejtësisht të ri, krahas historisë dhe gjeografisë së Bullgarisë. Ky seksion i ri quhet 'Traditat', sepse mendojmë se, përveç historisë dhe natyrës sonë, fëmijët tanë duhet të kenë njohuri bazë edhe për traditat në Bullgari, në mënyrë që më vonë t'ua përcjellin edhe fëmijëve të tyre."
Ideja lindi në vitin 2019 dhe, pas periudhës së pandemisë shëndetësore, me mbështetjen e shtëpisë botuese të Universitetit të Pllovdivit "Paisij Hilendarski", në verën e vitit 2025 "Bullgaria Jonë" u botua në format të shtypur. Sot, një vit më vonë, sërish gjatë Takimit Vjetor të Shoqatës së Shkollave Bullgare Jashtë Vendit, dr. Valentina Aleksandrova-Kirova tregoi me krenari për botimin e ri – edicionin e dytë të përmirësuar të ndihmësit mësimor, tashmë nën kujdesin e një shtëpie të madhe botuese arsimore. Ai do të dalë nga shtypi brenda pak ditësh dhe që nga viti i ardhshëm shkollor do të jetë në ndihmë si për mësuesit e shkollave tona të së dielës, ashtu edhe për nxënësit e klasave përkatëse. Ai do të mund të blihet së bashku me ndihmat e tjera mësimore të miratuara nga Ministria e Arsimit, ndërsa shtëpia botuese do ta përfshijë edhe në bazën e saj elektronike të të dhënave, në mënyrë që të përdoret nga shumë mësues. Megjithatë, dr. Kirova thekson se në të janë përfshirë shumë ushtrime dhe detyra pas çdo mësimi, pasi ideja e autorëve është që ai të përdoret drejtpërdrejt nga vetë fëmijët: "Ata vetë, me duart e tyre, të plotësojnë, të lidhin dhe të vizatojnë në të." Pikërisht këto ushtrime shtesë në libër janë pjesa më e vlefshme dhe më ndihmuese për punën e mësuesve jashtë vendit – këtë mendim e shprehën kolegët e saj gjatë ditës së tretë të punës të Takimit të 19-të Vjetor të ABUÇ në Sofje.
Takimi i 19-të Vjetor i ABUÇ në Sofje
FOTO: mon.bg
"Fëmijët duhet të angazhohen në një mënyrë që t'u duket interesante, të kenë sukses dhe të jenë krenarë për veten. Kur kjo ndodh gjatë procesit të të nxënit, për ta nuk është vetëm e dobishme, por edhe shumë e këndshme të jenë në mësim."
Sa i përket seksionit të ri në ndihmësin mësimor, kushtuar traditave bullgare, Valentina Aleksandrova-Kirova shpjegon:
"Fëmijët tanë nga klasa I deri në klasën IV janë më të shumtët. Pas kësaj, si një piramidë, numri i tyre zvogëlohet gradualisht për një sërë arsyesh. Klasa jonë e parë zakonisht përbëhet nga rreth 20–25 fëmijë dhe pikërisht kjo është koha kur duhet t'u japim atyre këto njohuri themelore për Bullgarinë. Njohuri që më pas t'i frymëzojnë vërtet dhe t'i lidhin me shtetin tonë të mrekullueshëm, kulturën dhe traditat tona, në mënyrë që ata të kenë interes dhe më pas t'ua përcjellin edhe brezave të ardhshëm. Kemi përfshirë madje edhe një mësim për traditat e ushqimeve dhe kuzhinës bullgare dhe shpresojmë që kjo t'u jetë vërtet e dobishme edhe në të ardhmen."
FOTO: Vesella Krësteva
Detyra e radhës tashmë i është vënë edhe vetë mësueses. Në rend të ditës është realizimi i një ndihmësi të ri mësimor, të destinuar për fëmijët e klasave I dhe II në shkollat tona të së dielës.
"Ai do të mbështetet te lënda 'Bota përreth', e cila është e detyrueshme për shkollat në Bullgari, por do të ketë thekse shumë më të ndryshme, të lidhura sërish me festa dhe përvjetorë të ndryshëm, me tema të ndryshme për traditat dhe festimin e tyre. Kështu do të jetë sërish interesant dhe i dobishëm për fëmijët tanë, të cilët i mësojnë të gjitha këto në një mjedis të ndryshëm."
Më shumë mbi temën:
- Strategji të reja dhe dialog në takimin e ABUÇ-it në Sofje
- Shkollat bullgare nga tërë bota mblidhen në takimin vjetor në Sofje në korrik
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski