Autor
Diljana Traçeva
Artikull
Grupi Ostava me singlin e ri “Plumbat” dhe dy koncerte të mëdha
Mërkurë 9 Shtator 2026 06:05
Mërkurë, 9 Shtator 2026, 06:05
FOTO: Facebook / Ostava
Madhësia e shkronjave
Muzika e grupit “Ostava” gjithmonë arrin të pulsojë në ritmin e shoqërisë, duke trajtuar temat më të ndjeshme në një mënyrë poetike. Këtë e dëgjojmë edhe në singlin më të ri “Plumbat”, pjesë e albumit “Zemër | Faj”, një histori për zhgënjimet, kohën dhe rrugën për t’u rikthyer te njëri-tjetri.
Autor i muzikës dhe tekstit është Georgi Georgiev, kitarist dhe vokalist, së bashku me Svilen Noev, një nga autorët e këngëve të grupit. Fillimisht, ideja e tij ishte që kjo të ishte një këngë më e ngadaltë, prandaj ritmi i saj rritet gradualisht gjatë gjithë kompozimit. Gjithashtu, gjatë provave, Dani, bateristi i grupit “Ostava”, propozoi një ritëm dy herë më të shpejtë, duke formësuar kështu tingullin përfundimtar indie-alternativ të “Plumbat”.
Mesazhi i këngës është frymëzuar nga protestat e mëdha shoqërore të kohëve të fundit dhe nga zhgënjimi ndaj premtimeve boshe politike. Por, siç shpjegon Zhoro, kjo nuk është e vetmja shtresë e kuptimit:
FOTO: Facebook / Ostava
“Teksti ka edhe një dimension shumë personal. Flitet për këto zhgënjime, por edhe për mënyrën se si ne dalim më të fortë prej tyre, sepse nuk lejojmë që këto fjalë boshe, me të cilat na bombardojnë në mënyrë agresive çdo ditë, të na godasin. Ndonjëherë përpiqemi të ecim përpara dhe e gjithë kjo kalon pranë nesh. Në përgjithësi, shpëtimi është te dashuria, ashtu siç këndohet edhe në këngë.”
Premiera e videoklipit të “Plumba” vjen vetëm pak ditë përpara koncertit vjeshtor të grupit “Ostava”, i cili tashmë është kthyer në një traditë dhe me të cilin grupi feston ditëlindjen e tij.
Këtë vit koncerti do të mbahet më 9 shtator në “Majmunarnika”, në Kopshtin e Borisit (Borisovata Gradina) në Sofje. Para daljes së “Ostava”-s në skenë, publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë edhe grupin e ri “Skarlet”.
Tre ditë më vonë, më 12 shtator, “Ostava” do të mbajë edhe një koncert tjetër në kinemanë verore “Orfej” në Plovdiv.
Kështu, me dy koncerte të mëdha në ambiente të hapura, grupi “Ostava” do t’i japë lamtumirën stinës së verës.
Shihni më tepër në arkivin e Radio Bullgarisë:
- “Ostava” me një “Kujtim” melankolik
- OSTAVA me një "Test" për botën tonë sot dhe dashurinë
- Grupi “Ostava” prezanton albumin e fundit
- Grupi “Ostava” feston ditëlindjen në fund të verës
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva