Lajm
Ministrja e jashtme do të thërrasë ambasadoren ruse nëse vërtetohet sulmi
Enjte 8 Tetor 2026 13:09
Enjte, 8 Tetor 2026, 13:09
Ministrja Velisllava Petrova
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Nëse ka prova se sulmi me dron ndaj dy anijeve tregtare në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë në Detin e Zi është kryer nga Rusia, ministrja e jashtme Velisllava Petrova do të thërrasë Ambasadoren e Rusisë në Bullgari, Eleonora Mitrofanova.
“Nëse kemi prova të qarta se është kështu, sigurisht që kjo do të ndodhë”, siguroi ajo para gazetarëve.
E pyetur nëse ka pasur kontakte me Ukrainën, Velisllava Petrova u përgjigj se, deri në identifikimin e autorit kryesor të sulmit, komunikimi zhvillohet në nivel të shërbimeve të sigurisë dhe ministrive të mbrojtjes.
“Kolegët që punojnë për këtë rast janë në kontakt të vazhdueshëm me homologët e tyre nga pala ukrainase, por ajo që nuk ka pasur është një konfirmim nga ana jonë se sulmi ishte rus, siç pretendohej. Ata mbajnë kontakte me të gjitha palët që mund të kenë informacion, si me Rumaninë, ashtu edhe me Ukrainën”, shpjegoi Velisllava Petrova.
Ditën e incidentit, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se i gjithë informacioni ishte sqaruar me palën bullgare.
“Forcat tona detare kanë kontaktuar me kolegët e tyre në Bullgari. Është konstatuar se bëhet fjalë për një sulm të kombinuar rus me dronë detarë dhe ajrorë”, deklaroi ai, kujton BTA-ja.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Bullgaria ka kërkuar ndihmë për inspektimin e anijes së fundosur
- Këshilli i Sigurisë i Bullgarisë dënoi sulmet në Detin e Zi
- Kryeministri e cilësoi të papranueshëm sulmin me dronë ndaj anijeve
- Dronë goditën dy anije mallrash 80 milje detare nga bregu bullgar
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva