Lajm
Takimi Botëror i Mediave Bullgare: Hungaria vë në pah rolin e diasporës
Hënë 19 Tetor 2026 18:40
Hënë, 19 Tetor 2026, 18:40
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Më 19 tetor, në Ditën e Miqësisë Bullgaro-Hungareze, që shënohet në Hungari, dhe në ditën kur Kisha Ortodokse Bullgare përkujton Shën Ivan Rilskin, në Budapest dhe Estergom nisi Takimi i 21-të Botëror i Mediave Bullgare, i organizuar nga Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA). Këtë vit, takimi mbahet me moton „Mediat dhe udhëheqësit“.
„Dita e sotme e Miqësisë Bullgaro-Hungareze ka një rëndësi të veçantë për ne. Nga njëra anë, kujtojmë se në Hungari jetojnë shumë bullgarë, të cilët, si në të kaluarën, ashtu edhe sot, shërbejnë si urë lidhëse mes dy popujve. Na gëzon shumë fakti që Simeon Varga mund të jetë zëri i mendimeve, shqetësimeve dhe gjithçkaje që lidhet me ta“, tha Zolltan Tar, ministri i marrëdhënieve publike dhe i kulturës i Hungarisë. Atij iu dhurua një pllakë përkujtimore me imazhin e Shën Ivan Rilskit, të cilën ia dorëzoi Simeon Varga, përfaqësues i komunitetit kombëtar bullgar në Parlamentin e Hungarisë.
„Komuniteti bullgar që jeton në Hungari pasuron jetën kulturore të vendit tonë dhe përbën një urë të rëndësishme lidhëse mes dy shteteve. Ruajtja dhe përcjellja e trashëgimisë sonë të përbashkët ndihmon edhe brezat e rinj të njohin këtë lidhje të pasur“, tha Andre Paloc, kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Bullgaro-Hungareze në Parlamentin hungarez, në fjalinë e tij përshëndetëse në hapjen e ekspozitës kushtuar Ditës së Miqësisë Bullgaro-Hungareze. Ekspozita është vendosur në hollin e ndërtesës së zyrave „Barankoviç“ në Budapest, njoftoi Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).
Me rastin e veprimtarisë, Laura Gjonej, zëvendës avokatja e popullit për të drejtat e pakicave kombëtare në Hungari, u përcolli përshëndetje të veçanta bashkatdhetarëve të saj me origjinë bullgare, pjesëmarrësve në takim dhe përfaqësuesve të pranishëm të autoriteteve bullgare.
„ Ndonëse rrënjët e marrëdhënieve mes popujve tanë humbasin në mjegullën e historisë së lashtë, shumë dëshmi tregojnë se paraardhësit tanë kanë pasur kontakte që përpara se të vendoseshin në trojet ku jetojnë sot, duke ndikuar te kulturat e njëri-tjetrit“, tha ajo dhe shtoi: „Lidhjet mes dy popujve vazhduan edhe më vonë. Gjatë pushtimit osman, bullgarët u vendosën në Hungari në disa valë, veçanërisht në Transilvani dhe Banat.“ Gjonej përmendi edhe figurën e Ishtvan Dunjovit, i njohur gjithashtu si Stefan Dunjov, të cilin e cilësoi si një personalitet të historisë së përbashkët që përmendet padrejtësisht rrallë. I lindur në një familje bullgarësh të Banatit, ai mori pjesë në Revolucionin Hungarez dhe në luftën për liri të viteve 1848–1849. Më vonë, u bë kolonel në ushtrinë e Garibaldit dhe më pas bashkëpunëtor i Lajosh Koshutit gjatë mërgimit.
Në kuadër të takimit, mitropoliti i Evropës Perëndimore dhe Qendrore, Antonij, së bashku me At Çaba, delegatin e peshkopit për Bazilikën e Estergomit, mbajti një shërbesë lutjeje në katedralen „Fjetja e Shën Mërisë dhe Shën Adalberti“ në Eztergom. „Popujt janë vërtet të mëdhenj jo kur përpiqen të mposhtin njëri-tjetrin, por kur dinë të mbështesin njëri-tjetrin; jo kur ngrenë mure mes tyre, por kur ndërtojnë ura; jo kur harrojnë Zotin, por kur kërkojnë drejtësinë dhe paqen e Tij“, theksoi mitropoliti Antonij. Ai u kujtoi gjithashtu bashkatdhetarëve tanë se atdheu nuk është thjesht një nocion gjeografik, por jeton edhe në zemrat e njerëzve, në kujtesën e tyre historike dhe në veprimet e përditshme.
Pas shërbesës së lutjes, u vendosën lule pranë pllakës përkujtimore kushtuar Shën Ivan Rilskit, në katedrale.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Java në Budapest– nën shenjën e Bullgarisë dhe miqësisë bullgaro-hungareze
- Bisedë për kujtesën me Tosho Donçev
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova