Lajm
Parlamenti Evropian kritikon qeverinë për reagim të dobët ndaj kërcënimit rus
Enjte 22 Tetor 2026 18:03
Enjte, 22 Tetor 2026, 18:03
FOTO: Parlamenti Evropian
Madhësia e shkronjave
Në një rezolutë të miratuar me shumicë dërrmuese, Parlamenti Evropian deklaron se Bashkimi Evropian duhet të shqyrtojë mundësinë e një operacioni detar në rajonin e Detit të Zi dhe kritikon qeverinë bullgare për reagimin e saj të dobët ndaj kërcënimit rus. Në të njëjtën kohë, shprehet vlerësim për përpjekjet e shpejta të shërbimeve bullgare dhe rumune të shpëtimit detar, policisë kufitare dhe anijeve tregtare që kalonin në zonë për t’u ardhur në ndihmë të të dëmtuarve nga sulmi me dronë.
Në tekst thuhet gjithashtu se Bashkimi Evropian duhet të shqyrtojë vendosjen e një operacioni detar në Detin e Zi. U bëhet thirrje shteteve anëtare, në bashkëpunim me NATO-n, të mbështesin Bullgarinë dhe Rumaninë në zbulimin e hershëm dhe gjurmimin e dronëve armiqësorë që kërcënojnë lundrimin në Detin e Zi. Po ashtu, kërkohet që BE-ja të vërë në funksion iniciativën për një qendër të sigurisë detare dhe që fondet e papërdorura të instrumentit SAFE të përdoren për të ndihmuar të dy vendet.
Eurodeputetët shprehin keqardhje për vonesën e pjesëmarrjes së vendit tonë në nismën e NATO-s për kundërveprimin ndaj dronëve dhe i bëjnë thirrje qeverisë që ta konfirmojë zyrtarisht pjesëmarrjen deri më 30 tetor. Tetë nga gjithsej 17 eurodeputetë bullgarë e mbështetën rezolutën, njoftoi korrespondentja e Radios Kombëtare Bullgare në Bruksel, Angelina Piskova.
Lexoni më tepër në arkivin e Radio Bullgarisë:
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva