Lajm
Dy anije të tjera tregtare u goditën pranë ujërave territoriale bullgare
Kryeministri zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë
Martë 13 Tetor 2026 11:48
Martë, 13 Tetor 2026, 11:48
Rumen Radev
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Anija tregtare “Chelsea 3”, që lundron nën flamurin maltez dhe është e regjistruar në portin e Odesës, u godit nga tre dronë ajrorë rreth 15 milje detare larg qytetit Bjalla, njoftoi kryeministri Rumen Radev. Alarmi u dha në orën 01:30. Të 12 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan në Varna, ndërsa pesë marinarë të plagosur morën ndihmën e nevojshme mjekësore. “Chelsea 3” ishte nisur nga porti turk i Giresunit, në Detin e Zi, me destinacion portin moldavian Gjurgjulesht. Sipas deklarimit, ngarkesa ishte destinuar për Moldavinë. Anija, 136 metra e gjatë, aktualisht është e anuar dhe po lëviz pa ekuipazh nën ndikimin e rrymave detare, përballë kepit Shën Atanas, raporton korrespondentja e Radios Kombëtare Bullgare në Varna, Daniella Stojneva.
Pesë marinarë nga ekuipazhi i anijes që u mbyt pranë Krapecit u shpëtuan, ndërsa 11 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Lajmi u bë i ditur nga Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA), duke iu referuar administratës së qarkut të qytetit Dobriç. Anija „Azov Concord“ u sulmua dhe u fundos rreth 17 milje detare larg bregdetit, përballë Krapecit. Katër nga marinarët u morën në bord nga një anije, ndërsa i pesti u shpëtua nga një tjetër anije që ndodhej në zonë. Kërkimet për të mbijetuar të tjerë vijojnë. Anija, e cila transportonte mallra të përgjithshme, lundronte nën flamurin e Shën Kitsit dhe Nevisit. Në përbërje të ekuipazhit kishte shtetas sirianë dhe egjiptianë.
Anija tregtare “Chelsea 3”
FOTO: vesselfinder.com
Kryeministri Rumen Radev e cilësoi plotësisht të papranueshëm sulmin e radhës ndaj anijeve tregtare në afërsi të ujërave territoriale të Bullgarisë. Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë pranë Këshillit të Ministrave, u raportua edhe për një tjetër anije të goditur. Sipas të dhënave paraprake, një anëtar i ekuipazhit ka arritur të shpëtojë.
Autoritetet bullgare kanë njoftuar për situatën përfaqësuesin e përhershëm të vendit në NATO dhe atë në Bashkimin Evropian.
„Do të zhvilloj një bisedë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte“, deklaroi Radev. Ai bëri të ditur gjithashtu se do të thërrasë për një takim ambasadoren ruse në Sofje, Eleonora Mitrofanova.
Anija tregtare "AZOV CONCORD"
FOTO: vesselfinder.com
Lexoni më shumë në arkivin tonë:
- Një anije e goditur nga droni, pa ekuipazh, po lëviz në ujërat pranë Shablës
- Dronë goditën dy anije mallrash 80 milje detare nga bregu bullgar
- Kryeministri e cilësoi të papranueshëm sulmin me dronë ndaj anijeve
- Këshilli i Sigurisë i Bullgarisë dënoi sulmet në Detin e Zi - Radio Bullgaria në gjuhën shqipe
- Sofja kërkon moratorium për sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi
- Pas sulmeve me dronë në Detin e Zi: Marta Kos shpreh solidaritet me Bullgarinë
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova