Zgjedhjet e zhgënjimit – sinjal paralajmërues për qeveritarët në Bullgari

Sociologia Borjana Dimitrova nga “Alpha Research” komenton mesazhet e votuesve në raundin e parë, posaçërisht për Radio Bullgarinë

Hënë, 26 Tetor 2026, 16:45

Zgjedhjet e zhgënjimit – sinjal paralajmërues për qeveritarët në Bullgari

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Bullgari dhe në mesin e diasporës bullgare u karakterizua nga një pjesëmarrje jashtëzakonisht e ulët në votime, e cila i befasoi sociologët dhe shënon rekorde në krahasim me të gjitha zgjedhjet e zhvilluara deri më tani në vend. Kandidatët për president dhe zëvendëspresident, Ilijana Jotova dhe Kirill Vëllçev, si dhe Andrej Gjurov dhe Georgi Kandev, do të përballen në raundin e dytë të dielën e ardhshme, më 1 nëntor, pasi nuk u përmbushën kushtet për zgjedhjen e presidentit të Bullgarisë në raundin e parë, përkatësisht marrja e mbi 50% të votave të vlefshme dhe një pjesëmarrje në votime mbi 50%.

Andrej Gjurov dhe Ilijana Jotova

Andrej Gjurov dhe Ilijana Jotova

FOTO: BGNES

Dallimi mes kandidatëve të parë dhe të dytë është vetëm rreth 3%, por analistët vërejnë dallime të konsiderueshme në përbërjen e elektoratit që qëndron pas këtyre rezultateve. Për çiftin presidencial Jotova–Vëllçev (34,76%, me 99,95% të procesverbaleve të qendrave të votimit të përpunuara) kanë votuar zgjedhësit më të moshuar në vend, personat me nivel më të ulët arsimor dhe banorët e vendbanimeve më të vogla. Ndërsa për Gurov–Kandev (31,95%) mbështetja ka ardhur nga votuesit më të rinj, banorët e qyteteve të mëdha të vendit, personat me arsim të lartë dhe bullgarët që jetojnë jashtë vendit.

Gjurov para Jotovës jashtë vendit: 45.79% kundrejt 22.79%

“Po, ka një rënie të përgjithshme të interesit dhe të dëshirës për të votuar, por duhet theksuar se kjo rënie nuk është e njëtrajtshme te mbështetësit e forcave të ndryshme politike”, komenton Borjana Dimitrova nga “Alpha Research”, njëra prej dy agjencive sociologjike partnere të Radios Kombëtare Bullgare (BNR) në mbulimin e zgjedhjeve.

Borjana Dimitrova

Borjana Dimitrova

FOTO: BTA

“Pas zgjedhjeve parlamentare në Bullgari, në prill të këtij viti, kur pati mobilizim dhe pjesëmarrje të lartë në votime, tani kemi një tërheqje të votuesve. Dhe duhet të themi shprehimisht se largimi më i madh nga votimi është vërejtur te zgjedhësit e ‘Bullgarisë Progresive’ (partia që fitoi zgjedhjet parlamentare në pranverë). ‘Bullgaria Progresive’, përmes kandidates së saj, zonjës Jotova, ka humbur afërsisht 900 000 vota. Kjo është një humbje jashtëzakonisht e madhe në krahasim me zgjedhjet e prillit”, thekson Dimitrova dhe shton: “Ka pasur mobilizim dhe rezultat më të lartë për çiftin Gurov–Kandev. Në fakt, në sondazhet tona paraelektorale përmendëm së fundmi se kishte mobilizim të kundërshtarëve të zonjës Jotova, si të Gjurov–Kandev, ashtu edhe të Kostadinov–Vollgin, si dhe një rënie të mbështetjes për të. Por kjo rënie u shfaq në përmasa shumë më të mëdha nga sa mund të parashikohej paraprakisht.”

Zgjedhjet e zhgënjimit – sinjal paralajmërues për qeveritarët në Bullgari

FOTO: BGNES

Disa analistë i interpretojnë rezultatet si një humbje personale për presidenten aktuale të Bullgarisë, Ilijana Jotova, por Borjana Dimitrova mban një qëndrim tjetër: sipas saj, ky është një sinjal paralajmërues i verdhë për qeveritarët në Bullgari.

“Gjatë muajve të fundit janë grumbulluar shumë zhgënjime: në aspektin financiar dhe ekonomik; po flas edhe për sigurinë kombëtare dhe sigurinë fizike. Janë grumbulluar mjaft sinjale që i kanë vendosur bullgarët përballë një niveli më të lartë pasigurie dhe mosrealizimit të pritshmërive me të cilat ishte ngarkuar zgjedhja e ‘Bullgarisë Progresive’. Ky proces ishte i dukshëm, por, në fakt, rezultoi të kishte përmasa shumë më të mëdha. Natyrisht, duhet të shohim se çfarë do të ndodhë në raundin e dytë, sepse atëherë mund të ketë një rimobilizim të grupeve të ndryshme shoqërore, të cilat mund të dalin për të votuar. Megjithatë, rezultati i raundit të parë është, në çdo rast, një sinjal shumë i fortë paralajmërues për vetë qeveritarët se ekzistojnë mangësi serioze, të cilat ata duhet t’i shqyrtojnë me kujdes.”

Bullgarët që jetojnë jashtë vendit patën mundësinë të votonin në 613 qendra votimi në 60 shtete, por edhe atje pjesëmarrja ishte e vakët.

Qendra e votimit në Melburn, Australi

Qendra e votimit në Melburn, Australi

FOTO: Manço Manev

“Rreth 88 000 vota janë hedhur për zgjedhjet presidenciale jashtë vendit. Kjo përbën një rënie në krahasim me zgjedhjet e prillit, kur patëm rreth 189 000 vota. Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, duhet të theksojmë se, nëse e krahasojmë me pjesëmarrjen në votime në Bullgari, e cila ishte jashtëzakonisht e ulët, jashtë vendit pjesëmarrja ishte disi më e lartë. Pra, interesi ishte më i dobët, ashtu si në Bullgari, por në të njëjtën kohë, veçanërisht në disa shtete, pati motivim dhe mobilizim më të madh për të votuar.

Bien në sy dy veçori. Në Evropën Perëndimore dhe në SHBA pati mobilizim më të lartë. Këtë herë, megjithatë, vërehet diçka që ndryshon nga zgjedhjet e tjera, në të cilat kemi komentuar pjesëmarrjen e lartë në votime në Turqi. Tani kemi një numër jashtëzakonisht të ulët, rreth 7 000 vota të hedhura në Turqi, krahasuar me 27 000–28 000 në zgjedhjet e mëparshme (në disa raste, ky numër ka arritur edhe në 50 000). Pra, prirja e votimit në Turqi është e ngjashme me atë që është vërejtur në Bullgari: Lëvizja për të Drejta dhe Liri, në thelb, i bojkoton zgjedhjet dhe nuk merr pjesë në to.

Zgjedhjet e zhgënjimit – sinjal paralajmërues për qeveritarët në Bullgari

FOTO: BGNES

Do të jetë jashtëzakonisht interesante të shohim se çfarë do të ndodhë në raundin e dytë. Tashmë është e qartë se çifti Gjurov–Kandev ka fituar me epërsi të konsiderueshme votat e bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit, duke marrë rreth 45% të votave, kundrejt 22% për çiftin Jotova–Vëllçev, pra pothuajse dy herë më pak. Në vendin e tretë, ashtu si në Bullgari, renditet çifti Kostadinov–Vollgin. Prandaj, nëse do ta përmblidhja në tri fjali: rënie e pjesëmarrjes në votime, por me një nivel më të lartë se në Bullgari; fitore e qartë e Gjurov–Kandev; dhe numër shumë i ulët votash të hedhura nga bashkatdhetarët tanë në Turqi.”

Të dhënat historike tregojnë se nga një e treta deri në gjysmën e zgjedhësve të kandidatëve që eliminohen nuk shkojnë të votojnë në raundin e dytë. Në këtë kuptim, është e vështirë të parashikohet nëse në raundin e dytë do të ketë një pjesëmarrje më të lartë në votime. Zhvillimi i një debati të hapur mes dy kandidatëve mund të ndikojë në qëndrimet e votuesve.

Jotova dhe Gjurov

Jotova dhe Gjurov

FOTO: BGNES (arkiv)

“Debati do t’u japë njerëzve mundësinë të shohin se çfarë qëndrimesh dhe çfarë vizioni për Bullgarinë e për të ardhmen e saj do të propozojë njëri apo tjetri çift presidencial. Në çdo rast, pas këtyre çifteve presidenciale qëndron një numër i konsiderueshëm votuesish, edhe pse pjesëmarrja në zgjedhje ishte e ulët. Rezultatet e tyre janë pothuajse të barabarta. Ata kanë të drejtë të paraqesin argumentet dhe qëndrimet e tyre, ndërsa votuesit kanë të drejtë të bëjnë zgjedhjen e tyre”, thekson Borjana Dimitrova.

“Dhe të mos harrojmë se këto janë zgjedhje me karakter mazhoritar, por edhe politik. Do të ketë rëndësi të madhe nëse do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre si GERB-i, ashtu edhe Lëvizja për të Drejta dhe Liri, sepse këto janë dy parti me një elektorat të konsiderueshëm dhe të disiplinuar. Nëse njëra ose të dyja partitë e ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe u bëjnë thirrje votuesve të vet që të votojnë, kjo mund të bëhet një faktor mjaft vendimtar”, thekson Borjana Dimitrova. “Duhet të kemi parasysh se diferenca mes kandidatit të parë dhe të dytit është rreth 37 000 deri në 40 000 vota. Do të shohim të dhënat përfundimtare. Kjo është një diferencë shumë e vogël. Prandaj, çdo mobilizim i votuesve në favor të njërit apo tjetrit çift presidencial mund ta rrisë pjesëmarrjen në votime dhe, çka është edhe më e rëndësishme, mund të përcaktojë rezultatin përfundimtar. Natyrisht, këtu përfshij edhe votat e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit.”


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski