Lajm
Ljubo Kirov me një dhuratë për publikun e tij në ditëlindje
Videoklipi i këngës “Ti je këtu”
Enjte 29 Tetor 2026 07:08
Enjte, 29 Tetor 2026, 07:08
FOTO: @LuboKirov
Madhësia e shkronjave
Gjatë 25 viteve në skenën muzikore bullgare, Ljubo Kirov ka përshkuar një rrugë të jashtëzakonshme, duke u afirmuar si një nga artistët më të rëndësishëm dhe më me ndikim në vend. Me mbi 45 hite që kanë arritur vendin e parë në klasifikime, albume platin dhe koncerte të shitura plotësisht në sallat dhe skenat më të mëdha të Bullgarisë, ai është simbol i cilësisë së pakompromis dhe i përmasave të mëdha artistike. Ai është autor tekstesh dhe kompozitor, këngët e të cilit janë kthyer në kolonë zanore për mijëra admirues.
Përveç kësaj, ai është i vetmi artist muzikor që për të tretin vit radhazi renditet mes 10 të parëve në klasifikimin vjetor të Forbes “Top 70 të personazheve të famshëm bullgarë”.
FOTO: @LuboKirov
Tani Ljubo Kirov i ka bërë një dhuratë të veçantë publikut të tij: pikërisht më 26 tetor, në ditëlindjen e tij, u publikua videoklipi i këngës “Ti je këtu”, një nga kompozimet më të buta dhe më emocionale në albumin e tij “Futurofonia”. Në të, muzikanti tregon aftësinë për t’i shndërruar emocionet personale në muzikë, ku secili mund të gjejë një copëz të historisë së vet. Teksti i sinqertë është shkruar nga Ljubo Kirov, ndërsa muzikën e ka kompozuar së bashku me Angell Djullgerov, i cili është gjithashtu autor i aranzhimit. Me “Ti je këtu”, ata kujtojnë se ndonjëherë ndjenjat më të forta shprehen me fjalët më të thjeshta.
Videoklipi, i realizuar nga Vasill Stefanov, e plotëson mesazhin e këngës me një qasje vizuale që thekson tingëllimin e saj emocional. I kombinuar me zërin karakteristik dhe interpretimin e Ljubo Kirov, ai i jep këngës “Ti je këtu” një formë të plotë dhe tregon edhe një herë intuitën e artistit për të krijuar këngë që mbeten pranë dëgjuesit.
FOTO: @LuboKirov
Premiera e videos vjen vetëm pak ditë përpara dy koncerteve radhazi të këngëtarit në Sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK), më 13 dhe 14 nëntor, me të cilat ai do të vendosë pikën kulmore të turneut të tij të këtij viti. Pas takimeve me publikun në mbarë vendin, Ljubo Kirov kthehet në një nga skenat më emblematike bullgare për dy mbrëmje të veçanta, ku do të interpretojë këngët e tij më të dashura, si edhe muzikën nga albumi “Futurofonia”.
Shihni më shumë në arkivin tonë:
- "Vendimi i fundit" - Ljubo Kirov për zgjedhjet në dashuri
- Humor veror me "Atje" të këngëtarit Ljubo Kirov
- “Ndihet forca” – videoja e re e Ljubo Kirovit
- Ljubo Kirov fillon verën me një këngë dhe album të ri
- “Nëse jemi dy” – një këngë kushtuar miqësisë
- “Të flas seriozisht” – Ljubo Kirov “mbyll” vitin me një mesazh për sinqeritetin
Redaktoi: Diljana Traçeva
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva