Lajm
160 vjet nga linja e parë hekurudhore
Hyrje falas në Muzeun e Transportit në Ruse
Shtunë 7 Nëntor 2026 04:33
Shtunë, 7 Nëntor 2026, 04:33
FOTO: bdz.bg
Madhësia e shkronjave
Më 7 nëntor shënohen 160 vjet nga vënia në funksion e linjës së parë hekurudhore në trojet bullgare, Ruse - Varna. Në këtë datë, në vitin 1866, valiu i atëhershëm i Ruses, Midhat Pasha, udhëtoi nga Ruse deri në Varna pa ndërruar kalë gjatë rrugës dhe e shpalli linjën zyrtarisht të hapur. Që atëherë, 7 nëntori konsiderohet si fillimi i transportit hekurudhor në territoret e sotme bullgare.
Me rastin e përvjetorit, Hekurudhat Shtetërore Bullgare (BDZH) ftojnë të gjithë të interesuarit të vizitojnë falas çdo të shtunë dhe të diel gjatë muajit nëntor Muzeun e Transportit në Ruse, i cili ndodhet në ndërtesën emblematike të stacionit të parë hekurudhor në territorin e Bullgarisë (rruga “Vëllezërit Obretenovi” nr. 5).
Vizitorët do të kenë mundësinë të shohin eksponate që lidhen me historinë e transportit hekurudhor në Bullgari, ndër të cilat lokomotivën e parë me avull që ka qarkulluar në vend, vagonin-sallon “Sultanie”, i përdorur nga sulltan Abdul Azizi, vagonët personalë të Car Ferdinandit dhe shumë objekte të tjera interesante e me vlerë historike, njoftojnë nga BDZH.
Lexoni më tepër në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Dy trenat e parë “Alstom” në Bullgari pritet të nisin qarkullimin në shtator
- Prezantohet treni i parë elektrik “Alstom” për Bullgarinë
- Trenat “Shkoda” i japin start modernizimit të hekurudhave bullgare
- Fillon rinovimi i trenave të Hekurudhave Bullgare
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella
Mançeva