Autor
Gergana Mançeva
Artikull
"Bilbilat" e Bratislavës dhe dashuria e tyre për folklorin dhe gjuhën bullgare
Shkolla e mesme "Hristo Botev" hap dyert e Bullgarisë për sllovakët
Hënë 16 Nëntor 2026 06:39
Hënë, 16 Nëntor 2026, 06:39
FOTO: Facebook / Българско средно училище "Христо Ботев" гр. Братислава
Madhësia e shkronjave
Fëmijë nga Sllovakia, të cilët që në klasën e parë nisin të shkruajnë pa gabime në gjuhën bullgare, ndërsa pas përfundimit të arsimit të mesëm disa prej tyre vazhdojnë të merren me bullgaristikë në Universitetin "Komenski" në Bratislavë. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm i Shkollës Shtetërore Bullgare "Hristo Botev" në kryeqytetin sllovak, ku prej gati tetë dekadash, krahas fëmijëve të bullgarëve, mësojnë edhe fëmijë nga familje sllovake.
FOTO: Facebook / Българско средно училище "Христо Ботев" гр. Братислава
Së fundmi në Sofje ishte për
vizitë grupi vokal "Sllavejçe", ku marrin pjesë nxënës të klasës së
tretë të shkollës bullgare në Bratislavë. Gjatë festivalit "Ritmet
folklorike nën çatinë e atdheut", ata interpretuan dy këngë popullore
bullgare.
E veçanta ishte se gjatë kësaj vizite në përbërjen e grupit nuk kishte as edhe një fëmijë bullgar. Fëmijët sllovakë interpretuan pa asnjë theks perla të folklorit bullgar si "Deno, mari" dhe "Sednallo e Xhore". Në fakt, "Sllavejçe" është grupi i nxënësve të shkollës bullgare në Bratislavë, por ai është bërë i njohur edhe për pjesëmarrjet në koncerte gjatë vizitave të interpretuesve të njohur bullgarë.
"Fëmijët në grup kanë lindur në Sllovaki. Disa janë nga martesa të përziera, ndërsa të tjerë, siç e quajnë vetveten, janë 100% sllovakë. Ata nuk kanë prejardhje bullgare, por pëlqejnë ritmet tona, pëlqejnë këngët tona", tregon Radmilla Ilieva, mësuese e ciklit fillor dhe themeluese e grupit.
FOTO: Facebook / Българско средно училище "Христо Ботев" гр. Братислава
"Ky është grupi i dytë me të cilin punoj. 'Bilbilat' e mëdhenj kanë një repertor tjetër, ndërsa të vegjlit tani marrin pjesë për herë të parë në një festival të tillë. Ata interpretojnë me dëshirë këngë të Rilindjes Kombëtare dhe këngë popullore, krahas këngëve nga libri mësimor i muzikës. Këndojnë edhe shumë këngë nxënësish që u kanë pëlqyer, ndërsa ka edhe këngë të krijuara posaçërisht për fëmijët tanë. Shumica e tyre vijnë gjatë verës në Bullgari si turistë, dëgjojnë muzikë bullgare, japin sugjerime dhe ne mësojmë edhe këngë nga estrada bullgare. Kjo i gëzon shumë, sepse e dinë kuptimin e këngëve, e kuptojnë mesazhin e tyre, përkthejnë atë që këndojnë dhe në interpretim përcjellin emocionin dhe gëzimin e tyre", thotë Radmilla Ilieva dhe shton:
"Ndoshta kjo është e vetmja shkollë, madje edhe në botë, ku fëmijët e klasës së parë mësojnë shkrim e këndim njëkohësisht në dy gjuhë".
FOTO: Facebook / Българско средно училище "Христо Ботев" гр. Братислава
"Në sllovakisht dhe në bullgarisht, me dy abetare. Për shumë njerëz kjo është një surprizë e madhe, por mund të konfirmoj se që në klasën e parë fëmijët zotërojnë si gjuhën bullgare, ashtu edhe atë sllovake. Diaspora jonë në Bratislavë është e vogël, ndërsa në Vjenë, në Gjermani, në Spanjë dhe në Itali bullgarët janë më të shumtë. Megjithatë, kjo nuk na pengon ta zhvillojmë dhe ta promovojmë kulturën tonë në këtë vend.
Në shkollën tonë fëmijët mësojnë sipas programeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe, ashtu si në çdo shkollë në Bullgari, përdorin tekstet mësimore të miratuara, ndërsa ne zgjedhim ato me të cilat do të punojmë. Kemi lëndë si gjuha bullgare, leximi, njohja e atdheut dhe lëndë të tjera.
FOTO: Facebook / Българско средно училище "Христо Ботев" гр. Братислава
Është shumë interesante kur mësimi në tekstin e njohjes së atdheut fillon me fjalët: ‘Atdheu im është Bullgaria’."
Shumë prej nxënësve janë sllovakë, por ata hyjnë në rolin e një fëmije bullgar dhe tregojnë se ku ndodhet Bullgaria, cilët janë lumenjtë dhe malet e saj, dhe këtë e bëjnë me shumë kënaqësi.
FOTO: Facebook / Българско средно училище "Христо Ботев" гр. Братислава
Në shkollë aktualisht ka 12 klasa, nga një për secilin vit shkollor. Numri i përgjithshëm i nxënësve është 105. Ata i nënshtrohen edhe vlerësimit kombëtar të jashtëm në klasën e katërt dhe të shtatë, ashtu si nxënësit në Bullgari. Gjithashtu japin provime shtetërore në gjuhën bullgare, si edhe në një lëndë të zgjedhur, qoftë anglisht, matematikë apo një lëndë tjetër. Ministria e Arsimit dhe Shkencës dërgon mësues shumë të përgatitur nga Bullgaria, tregon më tej Radmilla Ilieva.
Nxënësit marrin si diplomë sllovake, ashtu edhe diplomë bullgare. Kështu, para tyre hapen dyer si në Bullgari, ashtu edhe në Sllovaki. Me diplomën bullgare ata mund të aplikojnë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Bullgari. Po kështu, nxënësit bullgarë që diplomohen dhe dëshirojnë të qëndrojnë në Sllovaki, mund të vazhdojnë studimet në Universitetin "Komenski" në Bratislavë.
"Dhe me krenari mund të them se kam një nxënës që përfundoi shkollën dhe tani është student i degës së bullgaristikës në Universitetin 'Komenski'. Ky është sukses!", thotë Radmilla Ilieva.
Lexoni më tepër:
- Mësim për Bullgarinë… në Bratislavë, Sllovaki
- Në Bratislavë shënohen 100 vjet të studimit akademik të gjuhës bullgare
- Bullgaria dhe Sllovakia kanë potencial për partneritet në ekonomi dhe turizëm
- Krasimir Karailiev nga Bratislava: Duhet ta mbrojmë Bullgarinë dhe t'ia tregojmë botës
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva
- #gjuhë bullgare
- #Sllovaki
- #Bratislavë
- #bullgarët në Sllovaki
- #këngë bullgare
- #folklor
- #këngë
- #fëmijë bullgarë
- #bullgarët jashtë shtetit
- #"Bilbilat" e Bratislavës
- #bullgarët në Bratislavë
- #sllovakë
- #fëmijë sllovakë
- #shkolla "Hristo Botev" në Bratislavë
- #Radmilla Ilieva
- #festivali "Ritmet folklorike nën çatinë e atdheut"
- #Universiteti "Komenski"