Autor
Krasimir Martinov
Artikull
Vendet e shenjta të Rodopeve Lindore: Manastiri „Shën Joan Pararendësi”
Dielë 15 Nëntor 2026 09:53
Dielë, 15 Nëntor 2026, 09:53
Manastiri „Shën Joan Pararendësi” në Kërxhali
FOTO: Krasimir Martinov
Madhësia e shkronjave
Në zemër të Rodopeve Lindore, mes dy brigjeve të lumit Arda, shtrihet qyteti jugor bullgar Kërxhali. Banorët e tij mbajnë emra të ndryshëm, i përkasin besimeve të ndryshme fetare dhe ruajnë tradita të ndryshme. Por, ndryshe nga sa mund të pritej, këto dallime nuk i ndajnë. Përkundrazi, larmia është një nga tiparet më karakteristike të këtij rajoni. Pikërisht kjo larmi fetare dhe kulturore e bën rajonin e Rodopeve Lindore kaq të veçantë dhe tërheqës për t'u njohur më nga afër. Në këtë udhëtim mes vendeve të shenjta të rajonit, ndalemi te kisha ortodokse „Shën Joan Pararendësi” në Kërxhali, një dëshmi e çmuar e trashëgimisë së krishterë dhe e historisë mesjetare të këtyre trojeve.
Kisha mesjetare „Shën Joan Pararendësi” dikur ishte pjesë e një kompleksi të rëndësishëm manastiror. Sot, ajo vazhdon të tërheqë vizitorët jo vetëm për rëndësinë e saj fetare, por edhe për vlerat historike dhe artistike që mbart.
Që në çastin kur hyn në kishë, vizitori vëren ndërthurjen e veçantë të mureve mesjetare të ruajtura, afreskeve të mbijetuara pjesërisht dhe gjurmëve të restaurimeve të mëvonshme. Pjesa me muraturën prej guri dhe afresket e mbetura është ruajtur në formën e saj origjinale. Në kishë vijojnë të mbahen shërbesat fetare, por ajo është njëkohësisht edhe monument kulture, shpjegon ciceroni ynë, Georgi Kjuçukov:
Ciceroni Georgi Kjuçukov
FOTO: Krasimir Martinov
„Shën Joan Pararendësi” – kështu quhej kisha edhe gjatë Mesjetës. Këtë e mësojmë falë një gjesti të pahijshëm që një bullgar i kohës kishte bërë gjatë vizitës së tij në kishë. Në njërin prej afreskeve, me një mjet të mprehtë, ai kishte shkruar në gjuhën e vjetër bullgare: „Unë, Dobromiri, shkrova në Shenjtëroren Prodrom”. Kështu marrim vesh se vizitori quhej Dobromir, ndërsa kishën ku kishte lënë këtë mbishkrim e quante „Prodrom”, fjalë që e përkthyer nga greqishtja do të thotë „Pararendës”. Ky ishte një nga manastiret më të rëndësishme të krahinës së Ahridos, siç quhej në Mesjetë rajoni i sotëm i Kërxhalit.”
Manastiri kishte një rëndësi të veçantë për kohën dhe, me sa duket, ishte edhe mjaft i pasur, siç dëshmojnë gjetjet arkeologjike në këtë vend. Rëndësia e këtij kompleksi të shenjtë dëshmohet nga disa fakte:
„Dëshmia e parë u zbulua në vitin 1998, kur nisën punimet për restaurimin e manastirit – vijon rrëfimin Georgi Kjuçukov. – Punëtorët që po kryenin punimet brenda manastirit zbuluan një varr, që mendohet se i përkiste themeluesit të tij. Në varr u gjet tekstili më i vjetër kishtar i zbuluar ndonjëherë në Evropë. Bëhet fjalë për një epitrahil (shën. i red.: veshje liturgjike), të qëndisur me fije ari të pastër. Ka shumë të ngjarë që pikërisht ari të ketë bërë të mundur ruajtjen e këtij tekstili deri në ditët tona. Epitrahili u restaurua dhe do të ekspozohet në Muzeun Historik të Kërxhalit, sapo të sigurohet një vitrinë me kushte të përshtatshme klimatike për ruajtjen e tij. Arkeologët përllogarisin se një varrim i tillë, për kohën kur është kryer, ka kushtuar afërsisht sa ndërtimi i një qyteti të tërë mesjetar.
Dëshmia e dytë që tregon rëndësinë e këtij manastiri lidhet me vitin 1206. Në atë kohë, Perandoria Bizantine pushoi përkohësisht së ekzistuari dhe në vend të saj u krijua Perandoria Latine. Po atë vit, përgjatë luginës së lumit Arda, nisi një ekspeditë ushtarake e kalorësve latinë. Qëllimi i tyre ishte të çlironin kalorësin Renier de Tria dhe trupat e tij, të cilët ishin rrethuar nga ushtria bullgare e car Kalojanit në kështjellën e Stenimahosit, në qytetin e sotëm Asenovgrad. Pjesë e kësaj ekspedite ishte edhe Zhofrua de Vilarduen, një nga autorët që na ka lënë më shumë të dhëna për historinë e Perandorisë Latine. Në rrëfimin e tij ai shkruan: „Mbrëmja na zuri përpara kështjellës së ruajtur mirë të Monekut”. Bëhet fjalë për një kala mjaft të njohur mes adhuruesve të peizazheve piktoreske në rrethinat e Kërxhalit. Sipas dëshmive historike, kalorësit latinë qëndruan në këtë kala për rreth një javë. Pikërisht aty morën lajmin se perandori i tyre, Ballduini, ishte vrarë nga cari bullgar Kallojani në Tërnovo. Pikërisht në rrethinat e Monekut, me gjasë në kalanë e Vishegradit, e cila shërbente si qendër administrative e krahinës, u mblodh këshilli i baronëve. Ata vendosën që perandori i ardhshëm i Perandorisë Latine të ishte drejtuesi i ekspeditës, Anri, vëllai i Ballduinit. Sigurisht, kurorëzimi duhej të bëhej zyrtarisht në Kostandinopoje, prandaj ekspedita mori rrugën e kthimit. Por po ky Vilarduen përshkruan edhe një takim mes perandorit të sapozgjedhur latin Anri dhe mbretit të Selanikut, Bonifac Monferrati, i cili ishte nisur drejt trojeve të Ahridosit. Arsyeja e udhëtimit të tij ishte bindja se manastiret e kësaj krahine fshihnin pasuri të pallogaritshme. Dhe pikërisht ky është detaji që na intereson në këtë rrëfim.”
Histori të tjera interesante për manastirin mesjetar „Shën Joan Pararendësi” në Kërxhali mund të dëgjoni edhe gjatë një vizite në kishën me të njëjtin emër ose në Muzeun Historik të qytetit.
Në përmbyllje, vlen të theksojmë se përreth kishës së vjetër mesjetare, e cila u restaurua në periudhën 1991–2001, sot ngrihet një kompleks modern manastiror, ku ndodhen edhe një shkollë e së dielës dhe një kishë tjetër.
Zbuloni edhe objekte të tjera në malin Rodopa në arkivin e Radio Bullgarisë:
- "Rrota e aventurës" në Kërxhali i çon turistët në vende të papritura
- "Vemja e Rodopeve" - treni që përshkon kohën dhe malin
- Hekurudha e ngushtë e Rodopeve – 100 vjet magji mbi shina
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova