Artikull
Martë 9 Dhjetor 2025 21:45
Martë, 9 Dhjetor 2025, 21:45
Protesta në Razgrad
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Protestuesit
mbushën sheshet në një numër qytetesh, duke ngritur sloganin "Jo
urrejtjes!" Tubimet u organizuan nga "DPS-Fillimi i Ri" - partia
e Deljan Peevskit, e cila është partneri i katërt joformal i koalicionit trepartiak
që formoi qeverinë aktuale.
Demonstratat
u zhvilluan në prag të një votimi mosbesimi kundër politikës ekonomike të
kabinetit, për të cilën pritet të votojnë deputetët, dhe një mitingu të thirrur
kundër qeverisjes së vendit nga koalicioni opozitar "Po e Vazhdojmë
Ndryshimin - Bullgaria Demokratike".
Sipas qendrës së shtypit të
partisë “DPS-Fillimi i Ri”, demonstratat janë kundër tensionit politik të
mbjellë nga opozita, provokimeve dhe përpjekjeve për të destabilizuar shtetin
para futjes së euros dhe miratimit të buxhetit të shtetit.
Më parë, Zëvendëspresidentja Ilijana Jotova e quajti ngjarjen një “kundërprotestë partiake” dhe deklaroi se duhet bërë gjithçka që është e mundur për të ruajtur paqen civile. Ajo e cilësoi si shqetësuese përdorimin e kartës etnike: “Për mua është jashtëzakonisht e pamatur të nxirren argumente të tilla sot, aq më tepër që ato nuk ekzistojnë.”
Në Kërxhali, ku tradicionalisht shumë njerëz votojnë për Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë (DPS), mijëra njerëz u mblodhën, raportoi Galina Kjuçukova nga BNR Kërxhali. Gjatë protestës u vunë re disa autobusë me qytetarë që mbërritën, megjithëse transporti i organizuar nuk ishte njoftuar zyrtarisht. Disa njerëz nuk ishin në dijeni të qëllimit të protestës, ndërsa disa të tjerë theksuan se ishin atje për të mbështetur mesazhet e unitetit.
Protesta në Kërxhali
FOTO: BNR-Kërxhali
“Protesta është në mbrojtje të stabilitetit në shtet, në mbështetje të qeverisë së Republikës së Bullgarisë”, thanë organizatorët nga foltorja në shesh. Në të morën pjesë udhëheqësi rajonal Rushen Fejzula, kryetarët e shtatë komunave dhe deputeti Elvan Gjurkash. Lideri i “DPS-Fillimi i Ri” Deljan Peevski nuk u shfaq në foltore.
Më herët gjatë ditës,
kryetari i bashkisë së Botevgradit, Ivan Gavaljugov, ndaloi një miting të
"DPS-Fillimi i Ri" për shkak të valës në rritje të pakënaqësisë midis
qytetarëve, qëllimit të tyre për të thirrur një kundërprotestë dhe supozimit të
arsyeshëm se në këtë ngjarje do të merrnin pjesë mbështetës nga vendbanime të
tjera, pasi qytetit i mungon një strukturë aktive partiake.
“Bullgarët janë të indinjuar nga arroganca dhe mendjemadhësia, nga provokimet që oligarkët po organizojnë për të diskredituar protestën e njerëzve të lirë”, komentoi gjithashtu Presidenti Rumen Radev për ngjarjen. Ai shtoi se partia në pushtet ka shpikur një zhanër të ri – një protestë në mbështetje të qeverisë: “Në atë kohë, ne e quanim këtë manifestime, por ajo nuk mund ta fshehë të dukshmen – pakënaqësia është masive.”
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BTA, BNR