Autor
Diana Cankova
Artikull
Mërkurë 4 Shkurt 2026 20:00
Mërkurë, 4 Shkurt 2026, 20:00
FOTO: sofia2018.bg
Madhësia e shkronjave
Ajo është e vetmja bullgare në elitën botërore të patinazhit artistik. Dhe megjithëse nuk përballet me konkurrencë në vendin tonë, çdo ditë është në akull, duke ndërtuar mbi atë që ka arritur dhe duke e tejkaluar veten tashmë prej 18 vitesh.
Aleksandra Fejgin fitoi kuotë për Lojërat Olimpike në Milano – Cortina d’Ampezzo në Kampionatin Botëror të Patinazhit Artistik në Boston, me renditje në vendin e 21-të. Për realizimin e ëndrrës së saj më të madhe ajo tha: “Katër vitet e fundit ishin jashtëzakonisht të vështira për mua – e tejkaloja veten, kalova nëpër shumë gjëra dhe deri në fund mendoja se nuk do të arrija ta merrja kuotën, por puna shpërblehet.”
FOTO: AP/BTA
Në Itali, patinatorja do të paraqesë kompozime jotradicionale, të krijuara nga koreografi i njohur francez Benoît Richaud. Në programin e shkurtër, mbi motivet orientale të The Feeling Begins të Peter Gabriel, ajo hyn në rolin e një gjarpri në shkretëtirë. Ndërsa në programin e lirë, që është i preferuari i saj, ajo mishërohet në një vampir. “Programi e zbulon Aleksandrën në një dritë të ndryshme, pasi të dy figurat nuk janë përdorur deri më tani dhe kërkojnë artistikë”, deklaroi trajnerja e ekipit tonë kombëtar, Ina Lutaj.
Aleksandra Fejgin ka lindur në vitin 2002 në Jerusalem, por rritet në Bullgari, ku në moshën gjashtëvjeçare fillon të stërvitet në patinazhin artistik. Në Kampionatin Botëror në Stokholm në vitin 2021 ajo përfundon në vendin e 17-të dhe siguron kuotë për Lojërat Olimpike në Pekin. Në kryeqytetin kinez arrin deri në programin e lirë, duke garuar me gju të operuar.
FOTO: AP/BTA
Renditjet e saj më të mira nga shtatë pjesëmarrjet në kampionatet evropiane janë vendi i 11-të në vitin 2019 në Minsk, vendi i 16-të në vitin 2023 në Espoo dhe vendi i 14-të në vitin 2025 në Talin. Për fat të keq, në janar të këtij viti, në kampionatin e Kontinentit të Vjetër në Sheffield, ajo nuk arriti të kualifikohej për programin e lirë dhe mbeti në vendin e 25-të.
Rezulton se në prag të Lojërave Olimpike patinatorja më e mirë bullgare stërvitet në “kushte çnjerëzore”. Në një video të shpërndarë nga Federata Bullgare e Patinazhit, shihet se si atletja jonë elitare patinon e veshur me një pallto të gjatë dimërore dhe nga goja e saj del avull. Kjo ndodh në një pistë të vogël në kryeqytetin bullgar, pasi pista e madhe është e angazhuar për ndeshjet e Kampionatit Botëror të Hokejit mbi Akull për juniorë.
“Në praktikë Aleksandra nuk mund të zhvillonte stërvitje normale, pasi kushtet nuk i lejonin të kryente kërcime treshe. Në ditët e fundit para lojërave, ajo duhet të përgatitej në kushte sa më të afërta me ato në Milano”, komentoi presidenti i federatës, Hristo Turllakov.
FOTO: BGNES - arkiv
Pavarësisht vështirësive, Aleksandra Fejgin niset për në Itali me ndjenjën e lumtur se më e vështira – fitimi i kuotës – tashmë është pas saj. “Është koha të shijoj akullin olimpik”, shtoi patinatorja për BNT.
Në Milano, ku do të zhvillohen garat e patinazhit artistik, ajo do të mbështetet te aleatët e saj më të fortë: këmbëngulja, motivimi, puna, vendosmëria për të luftuar deri në fund. Aleksandra Fejgin është realiste dhe e konsideron fitimin e një medaljeje olimpike si të pamundur, pasi nuk kryen rrotullimet maksimale në disa nga kërcimet. “Qëllimet e mia janë një paraqitje e pastër dhe të jem e kënaqur me atë që kam bërë”, tha ajo.
FOTO: EPA/BGNES
Pas Lojërave Olimpike në Milano – Cortina d’Ampezzo, Aleksandra Fejgin do të marrë pushim, ashtu siç bëri edhe pas Pekinit 2022. Atëherë do të vendosë nëse do të vazhdojë karrierën e saj garuese apo do të ndjekë një rrugë të ngjashme, por tashmë si trajnere, pasi, sipas fjalëve të saj, ka çfarë t’i japë brezit të ri. Ndërkohë, ajo do të përjetojë emocionin të valëvitë flamurin bullgar në stadiumin “San Siro” në Milano – një privilegj që u jepet më të përkushtuarve ndaj kauzës “Lojërat Olimpike Dimërore”.
Shihni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Shpresat bullgare në snowboard-in alpin në Olimpiadën në Itali
Më shumë biatlonistë bullgarë në garat olimpike
Dërgojmë ekipin më të fortë të dekadave të fundit në Lojërat Olimpike Dimërore
Skiatorët bullgarë në Olimpiadën 2026
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski