Autor
Diana Cankova
Artikull
Mërkurë 4 Mars 2026 20:00
Mërkurë, 4 Mars 2026, 20:00
FOTO: BNR
Madhësia e shkronjave
Një fushatë kombëtare "Jepni Votën Tuaj", e mbështetur nga organizatat joqeveritare "Rrjetet në Veprim", "Rrjeti Kombëtar për Zhvillim" dhe "Liga e Votuesve të Rinj", synon të motivojë qytetarët të kuptojnë rëndësinë e votimit dhe të jenë aktivë në proceset politike. Në periudhën e shkurtër deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare më 19 prill të këtij viti, ata do të organizojnë debate me anëtarë të parlamentit, takime edukative dhe anketa kërkimore.
Sipas sondazheve të fundit, pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme të ardhshme do të jetë dukshëm më e lartë se në vitet e fundit (38.94% në votimin e fundit parlamentar në tetor 2024). Dëshira e më shumë qytetarëve për të shkuar në votime shpjegohet me shfaqjen e një lojtari të ri politik - ish-Presidentit Rumen Radev, i cili e zëvendësoi rolin e tij si një unifikues mbipartiak i kombit me atë të një politikani.
FOTO: Çavdar Vllëçkov
"Një pjesëmarrje kaq e rritur në votime është e përkohshme, jo e qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe shpesh çon në zhgënjim", komentoi Çavdar Vllëçkov, përfaqësues i Rrjetit Kombëtar për Zhvillim. "Prandaj, është e rëndësishme që votimi të mos jetë një akt i çastit, por pjesë e modelit tonë të sjelljes dhe, paralelisht, që ne si qytetarë të angazhohemi në shumë aktivitete të tjera."
FOTO: BTA
"Politika gjatë 20 viteve të fundit është zhvendosur nga përmbajtja në politikanizim", thotë Çavdar Vllëçkov. "Me fjalë të tjera, po flasim për politikë, jo për politika. Si ekonomist, është e vështirë për mua të them se kush për çfarë po lufton dhe çfarë platforme ka - ekonomike apo sociale. Kjo paqartësi midis të majtës dhe të djathtës si ideologji po fillon të shndërrohet në një lloj metafore për luftën midis së mirës dhe së keqes, por nuk ka kërkesë për ndryshimin e shoqërisë në një drejtim apo në një tjetër. Fatkeqësisht, zhgënjimi sistematik dhe zhvendosja e fokusit nga politikat te personalitetet çon në një ulje të pjesëmarrjes në votime derisa të shfaqet një personalitet i ri, i cili, çfarëdo që të jetë, vështirë se mund ta ruajë besimin e shoqërisë për një kohë të gjatë."
Një nga qëllimet e fushatës "Jepni Votën Tuaj" është të përqendrohet në leximin kritik të lajmeve dhe perceptimin e informacionit publik përmes seminareve edukative në të gjithë vendin. Megjithatë, si mund të riedukohet mungesa e kulturës elementare politike, besimi në komplote, pamundësia për të fshehur sulmet hibride dhe mungesa e vetëdijes për përgjegjësinë tonë si qytetarë në pak javët para zgjedhjeve?
FOTO: fushata kombëtare "Jepni Votën Tuaj"
“Do të fillojmë tani, por ky është një proces afatgjatë që nuk do të përfundojë me këto zgjedhje”, përgjigjet aktivisti qytetar. “Mediat sociale dhe kanalet e informacionit po na përmbytin me lajme të rreme, me sulme hibride të jashtme. Ka shumë profile të rreme - të ashtuquajturat ‘ferma trollësh’ - që nxisin pikëpamje të caktuara. Largimi nga mediat që i përmbahen parimeve gazetareske gjithashtu krijon një problem, sepse njerëzit nuk mund të informohen siç duhet. E gjithë kjo do të thotë që dialogu duhet të shkojë jashtë rrjeteve sociale, pasi është jashtëzakonisht jo përfaqësues”.
Është e nevojshme të kthehemi te bisedat reale rreth përmbajtjes, rreth politikës ekonomike, rreth vizionit të përgjithshëm për Bullgarinë. Një shkëndijë shprese në këtë drejtim dhanë protestat në vigjilje të Vitit të Ri, duke përcaktuar kërkesa konkrete në lidhje me buxhetin e shtetit për vitin 2026. "Shpresojmë që interesi publik të zhvendoset në këtë drejtim dhe që qytetarët do të kuptojnë pse është e rëndësishme të mësojnë se cilat politika do të zbatojnë njerëzit të cilëve duan t'u besojnë", theksoi Çavdar Vllëçkov.
FOTO: BTA
Në momente kur kemi nevojë për reagim qytetar, por ndiejmë vetëm një fllad të lehtë, dëgjojmë shprehjen e njohur “Populli bullgar është në gjumë”. Megjithatë, Çavdar Vllëçkov e sheh këtë largësi më tepër si një reagim mbrojtës, që të na ruajë si qenie njerëzore në një shoqëri ku “qershia mbi tortë” është rasti “Petrohan”, i pasuruar me përbërës si dhuna ndaj njerëzve dhe kafshëve.
Kjo është arsyeja pse organizatat joqeveritare i vunë vetes detyrën të na zbulojnë mekanizmat dhe me to të përpiqemi të përballojmë të gjitha vuajtjet përreth nesh. "Është e rëndësishme të tregojmë se ekziston një masë kritike, se mund të ndryshojmë diçka, duke filluar nga komuniteti ynë i vogël dhe duke kërkuar më shumë nga personalitetet që ai nxjerr", shton ai.
Si qytetar që ka jetuar në Bruksel për vite me radhë dhe ka marrë pjesë në, sipas fjalëve të tij, organizimin e vështirë të procesit zgjedhor atje, Çavdar Vllëçkov nuk kursen fjalë të ashpra për vendimin e Asamblesë Kombëtare për të kufizuar qendrat e votimit në vendet jashtë Bashkimit Evropian në 20.
FOTO: arkiv
"Cinizmi se kush është më bullgar në varësi të vendit në të cilin jeton është i tepruar", është kategorik ai. "Në vend që të përpiqemi të përfshijmë komunitetet, brezat e të cilave rrezikojmë t'i humbasim tërësisht, ne po bëjmë të kundërtën dhe po u themi atyre: 'Keni më pak të drejta, nuk jeni aq bullgarë sa bullgarët gjetkë'. Dhe ky është një tjetër politizim i një çështjeje parimore. U tha gjithashtu se vendimi për të zvogëluar seksionet është jokushtetues."
Sipas aktivistit qytetar Çavdar Vllëçkov, kufizimi mund të shkaktojë efekt të kundërt
dhe bullgarët jashtë vendit të votojnë masivisht, edhe me çmimin e
udhëtimeve shumëorëshe dhe vështirësive organizative. Dhe nëse pas vendosmërisë
së tyre – jo vetëm jashtë vendit, por edhe tek ne – qëndron një votë e
informuar, kjo do të jetë shenja e shumëpritur se qytetarët janë gati të
paguajnë çmimin për zbatimin e reformave të vërteta.
FOTO: arkiv personal
“Institucionet
janë zbrazur nga përmbajtja, sepse ashtu si shoqëria, edhe ato janë viktimë e
paqëndrueshmërisë politike dhe mospërputhjes në politikat ekonomike dhe sociale
të qeverive gjatë 10–15 viteve të fundit,” shpjegon Çavdar Vllëçkov.
“Bullgaria në shumë fusha ka nevojë për një reformë të thellë. E pamë çfarë
ndodhi me ujin këtë verë,
një problem i grumbulluar prej dekadash, ndërsa arsimi dhe sistemi shëndetësor
gjithashtu kanë shumë mangësi. Dhe për të realizuar një reformë kaq të
vështirë, do të duhet të paguhet një çmim politik dhe shoqëror, por jo në
kurriz të më të varfërve. Kur bëhet fjalë, për shembull, për politikën
ekonomike, le të flasim për tatim progresiv mbi të ardhurat, e jo për rritjen e
taksave të tjera që godasin më të cenueshmit.”
Në përfundim, Çavdar Vllëçkov deklaron se kemi nevojë për burrështetas që nuk bëjnë diçka për të fituar edhe një mandat, por për të arritur një ndryshim të qëndrueshëm, edhe nëse kjo u kushton hyrjen në pushtet herën tjetër.
Përgatiti në shqip: Vesella
Mançeva