Artikull
Enjte 2 Prill 2026 09:37
Enjte, 2 Prill 2026, 09:37
FOTO: Këshilli i Ministrave
Madhësia e shkronjave
Qeveria teknike publikoi në faqen e internetit të Këshillit të Ministrave marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e sigurisë midis Bullgarisë dhe Ukrainës. Marrëveshja 10‑vjeçare u nënshkrua më 30 mars në Kiev nga kryeministri teknik Andrej Gjurov dhe presidenti Vollodimir Zelenski.
Sipas tekstit, Bullgaria do të vazhdojë furnizimin me pajisje dhe armatim ushtarak bazuar në nevojat e paraqitura nga Ukraina dhe sipas mundësive bullgare. Sofja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje politike dhe praktike për Ukrainën, përfshirë në kuadër të NATO‑s dhe BE‑së, dhe do të mbështesë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në të dyja organizatat.
Bullgaria do të vazhdojë gjithashtu të ofrojë ndihmë humanitare dhe mbrojtje civile për popullsinë ukrainase që vuan, për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Parashikohet edhe krijimi i një mekanizmi për konsultime të menjëhershme mbi çështjet e dakorduara.
Në industrinë e mbrojtjes, Bullgaria do të punojë me Ukrainën për rritjen e kapaciteteve dhe aftësive në prodhimin e armëve dhe municioneve prioritare, si dhe për krijimin e linjave industriale për prodhim të përbashkët, përfshirë mjete ajrore pa pilot, sisteme kundër dronëve dhe sisteme të luftës radioelektronike, transferimin e teknologjisë, inovacionet dhe testimet e përbashkëta eksperimentale.
“Me qëllim garantimin e sigurisë dhe lirisë së lundrimit në Detin e Zi, Bullgaria dhe Ukraina do të forcojnë bashkëpunimin e tyre për kundërvënie ndaj kërcënimeve, përfshirë përmes përdorimit të instrumenteve, mekanizmave dhe iniciativave ekzistuese ose të reja, duke nxitur koordinim më të fortë midis partnerëve dhe aleatëve bregdetarë dhe një prani më të gjerë të NATO‑s në rajonin e Detit të Zi. Bullgaria do të bashkëpunojë me Ukrainën për çminimin e Detit të Zi.”
Marrëveshja dypalëshe konfirmon gjithashtu qëndrimin e përbashkët se Federata Ruse duhet të paguajë për rindërtimin afatgjatë të Ukrainës, ndërsa asetet sovrane ruse nën juridiksionin e Bullgarisë mbeten të ngrira, ashtu siç kërkohet nga regjimet e sanksioneve të BE‑së, deri sa Federata Ruse të ndalojë luftën e saj agresive kundër Ukrainës dhe të kompensojë atë për dëmet, humbjet dhe lëndimet e shkaktuara nga agresioni, thuhet në dokument.
Lexoni më shumë në arkivin tonë:
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva