Artikull
Letra për Radio Bullgarinë: “Na jepni informacion të dorës së parë”
Hënë 25 Maj 2026 10:40
Hënë, 25 Maj 2026, 10:40
FOTO: Desisllava Semkovska
Madhësia e shkronjave
Edhe në prill Kutia Postare e Radio Bullgarisë u mbush me përshëndetje të ngrohta dhe komente të këndshme për punën tonë. Audienca jonë i kushton vëmendje momenteve të rëndësishme nga jeta politike dhe shoqërore në vendin tonë, por gjithashtu shprehet e impresionuar nga kultura bashkëkohore, festat dhe ngjarjet historike që shënojnë përditshmërinë e bullgarëve.
Dëshmi për këtë është letra e Horst Cersovsky nga Gjermania, i cili ndjek faqen gjermane të Radio Bullgarisë:
“E nderuara redaksi gjermane, sot në Bullgari po mbahen sërish zgjedhje parlamentare dhe aktualisht po informohem përmes faqes suaj të internetit. Edhe në Gjermani mediat i pasqyrojnë këto zgjedhje të teta brenda pesë viteve. Megjithatë, unë me kënaqësi përdor faqen tuaj për informacion të dorës së parë. Më gëzon fakti që lajmet gjatë ditës së zgjedhjeve përditësohen vazhdimisht, për shembull për pjesëmarrjen aktuale të votuesve. Po ashtu dëgjova edhe programin gjerman të disponueshëm në internet. Në ‘Bullgaria sot’ u njoftua se Bullgaria është pritëse e tre etapave të para të ‘Giro d’Italia’. E gjeta këtë veçanërisht interesante dhe nuk e dija më parë. Nisja e këtij garimi tradicional të çiklizmit është padyshim një ngjarje historike sportive.”
“Edhe sot do të doja t’ju dërgoja përshëndetje dhe falënderime për emisionet tuaja në gjuhën gjermane. I dëgjoj me kënaqësi dhe gjithmonë mësoj diçka të re” – shkruan Thomas Voelkner, Gjermani.
“Gëzohem duke ndjekur programet tuaja informative. Më pëlqeu shumë emisioni ‘Bulgaria today’ (Bullgaria sot) më 9 dhe 10 prill. Më pëlqejnë lajmet, por sot më pëlqeu shumë programi juaj muzikor. Në fakt, i gjithë programi ishte shumë, shumë i mirë!” – shkruan Ratan Pol nga India.
“Me shumë kënaqësi dhe interes vazhdoj të dëgjoj emisionet e Radio Bullgarisë!” – Konstantin Pravorotov, Ukrainë
“Më ishte shumë interesant materiali juaj për gazetaren e re Milica Tekelieva dhe për rrugëtimin e saj drejt identitetit – nga fshati Zmejovo deri në Berlin. Edhe unë vetë gjatë viteve 1980 udhëtoja çdo vit me tren nga Dresdeni për në Sofje dhe gjatë rrugës kisha ndalesa interesante në atëkohë Çekosllovaki, Hungari dhe Rumani” – shkruan Andreas Fessler nga Gjermania.
Kartolina nga Andreas Fessler
FOTO: Desisllava Semkovska
“E dëgjoja emisionin tuaj, duke imagjinuar skena nga festivali kulturor ‘Ditët Bullgare në Malaga’. Fakti që një festival i tillë zhvillohet në Spanjë dhe që ‘Ditët Bullgare në Malaga’ organizohen në Bullgari, më bëri të mendoj nëse Malaga dhe Bullgaria kanë pasur lidhje të ngushta prej kohësh. Dëgjimi i emisionit më zgjoi pikërisht këtë interes...” – Hiroshi Katayama, Japoni.
Hiroshima
FOTO: Hiroshi Katayama
Miqtë e Radio Bullgarisë festojnë së bashku me ne festat më të bukura bullgare:
Kemi urime edhe për festën më të madhe të krishterë ortodokse:
“Dua t’ju uroj Ditë të Gëzuara të Pashkëve. Shpresoj të keni mjaft kohë për t’i shijuar!” – na shkruan Eckhard Röscher nga Gjermania.
“Krishti u ringjall! Vërtet u ringjall! Gëzuar Pashkët!” – shkruan Lek Bushpepa, Shqipëri.
“Gëzuar Pashkët popullit bullgar. Shëndet e mbarësi paçit në familjet tuaja. Krishti u ringjall!” – Sabedin Bushati, Shqipëri.
Përshëndetje nga India e largët:
“Qofshi ju dhe të afërmit tuaj gjithmonë të mbushur me bekimet më të mira të të Gjithëfuqishmit. Ju dërgoj urime të përzemërta me rastin e së Premtes së Madhe. Uroj që Jezu Krishti t’i dëgjojë të gjitha lutjet tuaja në këtë ditë të shenjtë të së Premtes së Madhe! Uroj që të gjitha dëshirat tuaja të realizohen” – Siddhartha Bhattacharjee
Kartolinë për Pashkët nga Andreas Fessler
FOTO: Desisllava Semkovska
"Në fillim të pranverës, kur natyra zgjohet, njerëzit janë të lumtur për një ditë. Lumturia është shkruar në fytyrat e tyre, Jezusi ka ardhur dhe nuk do të na lërë. U uroj të gjithë punonjësve në Radion Kombëtare Bullgare Pashkë të Gëzuara!" – Miodrag Ristiç, Serbi
"Sonte, në këtë natë të shenjtë, ju urojmë paqe, shëndet dhe begati në familjet tuaja! Gëzuar Pashkët!" - na shkroi në shqip dëgjuesi i rregullt Fadil Osmani nga Kosova.
“Gëzuar Pashkët Radio Bullgaria dhe gjithë populli bullgar. Paçi mirësi, begati e lumturi në familjet tuaja” – na shkroi në faqen e Facebook të Redaksisë Shqipe Selvi Pupuleku Canga.
"Faleminderit shumë për QSL-në për janarin me rastin e përvjetorit të Radio Bullgarisë.
Përshëndetje të ngrohta për Pashkët!" – Hans Verner Lollike, Danimarkë.
“Përgëzoj mbarë popullin bullgar për Pashkët ortodokse! Artikulli juaj e lehtëson njohjen me gatimettradicionale të tryezës bullgare për Pashkë, por edhe me vështirësitë e sotme. Shumë mirë! Gëzuar dhe deri herën tjetër.” – Hugo Longhi, Argjentinë
“Urime për Ngjalljen e ndritshme të Krishtit! Uroj që shpirti juaj të jetë i mbushur me hir dhe gëzim nga kjo festë e madhe. Qoftë gëzimi i Pashkëve ai që ngroh zemrën, ndërsa besimi t’ju japë forcë për vepra të mira. Krishti u ngjall! Faleminderit për programet interesante. Ju uroj sukses në punën tuaj. Valë të pastra dhe 73!” – na shkroi në gjuhën bullgare Aleksandër Golubev nga Rusia.
Ja edhe letra e Martina Pohl nga Gjermania:
"Ju falënderoj shumë për kartolinat e mrekullueshme QSL për periudhën janar–mars. U gëzova shumë kur i mora. Ditët e Pashkëve tashmë mbetën pas nesh. U mahnita nga vezët e Pashkëve në faqen tuaj të internetit, të cilat janë zbukuruar me dyll shumëngjyrësh. Ato janë vërtet vepra të vogla arti!"
Vazhdojnë edhe urimet për 90‑vjetorin e programit shumëgjuhësh të radios publike – Radio Bullgaria!
“Urime për 90‑vjetorin tuaj. Më vjen keq që tashmë nuk ka emisione në valët e shkurtra” – shkruan Ulrich Wicke nga Gjermania.
FOTO: Desisllava Semkovska
“Mirëdita ekipit në gjuhën spanjolle të Radio Bullgarisë! Para së gjithash dua t’ju uroj për 90‑vjetorin e radios suaj dhe për përditësimin e faqes suaj të internetit. Jam shumë i lumtur që vazhdoni të dërgoni kartolina QSL në letër. Zakonisht e dëgjoj rregullisht ‘Bullgaria sot’, edhe pse po ju shkruaj për herë të parë. Unë jam një prezantues radiofonik argjentinas dhe student i komunikimit social; kam një kanal në TikTok për radiostacionet ndërkombëtare, ku përdor emisionet tuaja si burim të besueshëm lajmesh. Përveç kësaj, drejtoj një ekip prodhues të një podkasti për hetime gazetareske në Universitetin e Quilmes, ‘Bota në UNQ Radio’, ku në episode 15‑minutëshe analizojmë proceset dhe konfliktet aktuale botërore. Informacioni që ofroni nga Radio Bullgaria na është shumë i dobishëm.” – Mauricio Valeze, Argjentinë.
“Përshëndetje të përzemërta, miq të Radio Bullgarisë, me rastin e këtij jubileu të bukur të cilin e festoni me shumë madhështi së bashku me gjithë audiencën tuaj – kështu fillon letra e Miguel Ramon Bauset nga Valencia, e cila na preku shumë. – Nëntë dekada transmetime në gjuhë të ndryshme do të thotë shumë vite gjatë të cilave keni përhapur zërin e Bullgarisë, në mënyrë që dëgjues nga e gjithë bota ta njohin më mirë vendin. E çfarë kënaqësie më të madhe sesa të shohim se puna juaj ka dhënë rezultate të shkëlqyera dhe se falë jush njerëzit e njohin Bullgarinë shumë më nga afër.
Ju dëgjoj prej shumë vitesh dhe ju falënderoj nga zemra për gjithçka që më keni treguar për vendin tuaj, të cilin e dua dhe e respektoj kaq shumë.”
Letra nga Miguel Ramon Bauset
FOTO: Desisllava Semkovska
Miqtë tanë për kartolinat QSL që u dërgojmë dëgjuesve:
“Përshëndetje, miq të Radio Bullgarisë! Ju lutem pranoni mirënjohjen dhe falënderimet e mia më të thella që më dërguat setin e kartolinave QSL të Teodor Ushevit. Ky është një set i bukur kartolinash që e kam dëshiruar prej kohësh. Kur hapa zarfin, isha jashtëzakonisht i lumtur të shihja këtë set të çmuar.” – z. Muralidhar, Suedi
“Dua edhe një herë të theksoj – seria QSL e vitit 2025 doli shumë e bukur! Ndërsa seria jubilarе e vitit 2026 është shumë informuese – ju falënderoj që përshkruani me hollësi se çfarë paraqitet në kartolina!” – Dmitri Elagin, Rusi
“E nderuara redaksi gjermanishtfolëse e Radio Bullgarisë, do të doja të konfirmoja marrjen e kartolinës suaj QSL dhe t’ju falënderoja sinqerisht për të. Radio Bullgaria ka publikuar këtë vit, me rastin e 90‑vjetorit të saj, një seri veçanërisht interesante kartolinash QSL. Ndërkohë lexova në faqen tuaj të internetit informacionin për kartolinën e marrë. Më pëlqejnë ideja dhe dizajni i tyre. Përshëndetje të përzemërta nga Horst Cersovsky, Gjermani.”
“Të dashur miq, drejtues të emisioneve të Radio Bullgarisë në gjuhën spanjolle,
ju dërgoj një përshëndetje të përzemërt dhe njëkohësisht ju lutem për një kartolinë QSL me rastin e 90‑vjetorit tuaj.” – Javier González Nungaray, Meksikë.
“Ju falënderoj shumë për kartolinat e reja QSL që më dërguat. Ato kanë një dizajn shumë të bukur dhe tema është shumë interesante.” – Wolfgang Maschke, Gjermani.
FOTO: Norbert Feinoth
“Unë jam 51 vjeç, kam lindur dhe jetoj në Shën Petersburg. Para më shumë se 30 vitesh një nga hobet e mia të preferuara ishte DX‑i (monitorimi i valëve të shkurtra). Në vitet ’90 nuk kishte internet, letrat ishin të gjata dhe korrespondenca ndërkombëtare ishte mjaft e kushtueshme për një student. Ndër të tjera, kam një kartolinë QSL të marrë nga Radio Sofia në vitin 1995.” – ndan me ne Konstantin Barsenkov nga Rusia.
“Po ju shkruaj me një zemër plot mirënjohje, për t’ju falënderuar sinqerisht për mirësinë dhe bujarinë tuaj. Mora katër kartolina të bukura QSL dhe nuk mund ta përshkruaj sa pafundësisht i lumtur më bënë ato. Angazhimi juaj ndaj dëgjuesve si unë pasqyron një shpirt të mrekullueshëm dhe forcon lidhjen midis Radio Bullgarisë dhe audiencës së saj.
Ju lutem pranoni mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe për faktin që e bëni këtë hobi kaq kuptimplotë dhe të gëzueshëm. Përpjekjet tuaja janë vërtet të admirueshme dhe ndihem shumë me fat që jam një dëgjues që merr kaq shumë vëmendje dhe mirësi.” – Faleminderit shumë për fjalët e mrekullueshme, Mohammad Bashir nga Pakistani!
Në letrat e tyre drejtuar Radio Bullgarisë, dëgjuesit tanë ndajnë edhe përshtypje dhe kujtime të mrekullueshme të lidhura me Bullgarinë:
“Prej kohësh kam dashur t’ju shkruaj… Faqja e internetit e Radio Club du Perche më merr mjaft kohë. Që kur u lidhët me mua, kam përgatitur disa raporte dëgjimi… U thellova në arkivat e mia nga vitet 1993 deri në 2012 – megjithatë, gati 20 vjet gjatë të cilave e dëgjoja ‘Radio Bullgarinë’ shumë rregullisht në valët e shkurtra. Sinjali zakonisht ishte shumë i mirë dhe siguronte dëgjim të këndshëm. Mund të kaloja orë të tëra në këto arkiva… kartolina QSL, tabela me orare dhe frekuenca, letra gjithashtu… Skanova pak sipas parimit të rastësisë… Por në të vërtetë duhet t’i skanoj të gjitha… të gjitha këto kujtime…”
Na shkroi Paul Jamet nga Franca, dhe ne e falënderojmë për gjestin e jashtëzakonshëm që na dhuroi një pjesë të madhe të arkivit të tij për 90‑vjetorin që Radio Bullgaria feston në vitin 2026.
FOTO: Paul Jamet
Mos ndaloni së na shkruari, miq të dashur! Mesazhet tuaja janë jashtëzakonisht të vlefshme për gjithë ekipin e Radio Bullgarisë. Do të gëzonim shumë të ndanit edhe dëshirat tuaja për tema që ju interesojnë – kështu ekipi ynë do të ketë edhe një shtysë tjetër frymëzimi!
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva