Autor
Elena Karkallanova
Artikull
Hristo Botev dhe amanetet e tij 150 vjet më vonë – pelegrinazh në Austri
Bullgarë nga disa shtete vendosën lule para monumentit në qytetin Gols
Martë 2 Qershor 2026 19:30
Martë, 2 Qershor 2026, 19:30
FOTO: Elena Karkallanova
Madhësia e shkronjave
"Nuk ka pushtet mbi atë kokë që është gati të ndahet nga supet në emër të lirisë dhe për të mirën e të gjithë atdheut”…
Saktësisht në orën 12:00, çdo vit më 2 qershor, në Bullgari zhurma e sirenave kujton heroizmin e Hristo Botevit dhe të rënëve për lirinë e atdheut tonë.
FOTO: Elena Karkallanova
“Hristo Botev nuk është thjesht një figurë historike, emri i së cilës është shkruar në panteonin e nderit kombëtar bullgar. Ai është një simbol titan i shpirtit bullgar, në të cilin poezia, publicistika dhe heroizmi jetësor shkrihen në një tërësi të pandashme dhe të zjarrtë. Në krijimtarinë e tij liria pushon së qeni thjesht një kategori politike, ose një synim për pavarësi kombëtare. Ajo shndërrohet në formën e vetme të mundshme të ekzistencës për njeriun e denjë…” – shkruan studenti i bullgaristikës në Universitetin e Vjenës, Ebru Ahmed, në një ese të posaçme kushtuar heroit kombëtar bullgar, poetit dhe publicistit.Me këtë tekst ai mori pjesë në konkursin e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Austri për studentin më të mirë bullgarist. Ndërsa në prag të Ditës së Hristo Botevit dhe të rënëve për lirinë e Bullgarisë, teksti u lexua gjatë pelegrinazhit para të vetmit monument të heroit kombëtar bullgar në Austri – atij në parkun VIP të qytetit Gols. Tekstin e prezantoi Galina Ninova, sekretare e parë në misionin tonë diplomatik, duke kujtuar se “liria është forma e vetme e mundshme e ekzistencës për njeriun e denjë”.
“Në historinë 1300‑vjeçare të Bullgarisë ka pasur shumë periudha sprovash, por Botev është ai që e formulon më qartë çmimin e dinjitetit njerëzor. Thirrja e tij për autenticitet, për jetë pa maska dhe për besnikëri ndaj idealit personal është më aktuale se kurrë. Në epokën e vetmisë moderne në turmë dhe të çorientimit shpirtëror, Botev na kujton se njeriu është i lirë vetëm atëherë kur është gati të vërë gjithçka në rrezik në emër të së vërtetës. Ai e shndërron tragjedinë e vet personale në një mesazh universal, i cili vazhdon të prekë zemrat, sepse ngre pyetjet e përjetshme për kuptimin, zgjedhjen dhe forcën e pathyeshme të shpirtit njerëzor. Botev nuk është thjesht një autor nga e kaluara, ai është ndërgjegjja e kombit, që gjithmonë na pyet: Çfarë bëtë me lirinë tuaj?”
FOTO: Еlena Karkallanova
150 vjet nga rënia e Hristo Botevit – 150 vjet pavdekësi
“Data 2 qershor është një ditë në të cilën ne kujtojmë pavdekësinë e heroizmit të Botevit dhe amanetin e tij” – theksoi ambasadorja e Bullgarisë, Desisllava Najdenova‑Gospodinova, para bullgarëve të mbledhur dhe përfaqësuesve të administratës së komunës austriake Gols.
Sh. e Saj Desisllava Najdenova-Gospodinova
FOTO: Еlena Karkallanova
“Ky është monumenti i vetëm i Botevit në territorin e Republikës së Austrisë, pranë të cilit prej gati 30 vitesh mblidhen bullgarë nga e gjithë Austria, por edhe nga shtetet fqinje, për të shënuar këtë ditë.”
“Vendet e tilla përkujtimore dhe personalitetet që kanë kontribuar për lirinë tonë janë simbole të rëndësishme bashkuese për bullgarët jashtë atdheut” – theksoi nga ana e saj drejtoresha e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit Rajna Manxhukova. Ajo shprehu mirënjohje ndaj Organizatës Kulturore‑Arsimore Bullgare “Kirill dhe Metodij” në Vjenë për faktin se prej dekadash organizon çdo vit këtë pelegrinazh dhe i dorëzoi një certifikatë të veçantë mirënjohjeje kryetarit të saj, Bojço Damjanov.
Rajna Manxhukova dhe Bojço Damjanov
FOTO: Еlena Karkallanova
“Para heroizmit të Hristo Botevit dhe të rënëve për lirinë e Bullgarisë u përkulën përfaqësues të organizatave bullgare nga më shumë se 10 shtete, të cilët ishin ndër pjesëmarrësit në një seminar dyditor në Vjenë, kushtuar aspekteve organizative të jetës së shoqatave bullgare jashtë vendit.
“Para 150 vitesh, në mbrëmjen e 1 qershorit, Hristo Botev hyri në pavdekësinë e tij” – na kujtoi mësuesja e gjuhës bullgare në Paris, Rumjana Shibileva. Dhe amanetet e tij jehojnë edhe sot në mendimet dhe veprat e bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën.”
FOTO: Еlena Karkallanova
Anketë:
Kamelija Konakçieva‑Tribulen, drejtuese e shkollës bullgare në Paris:
“Duhet të mësojmë të jemi së pari njerëz, pastaj bullgarë, pastaj
patriotë.”
Vlladisllav Marinov, përfaqësues i shoqërisë studentore bullgare në Holandë:
“Shembulli i Botevit, të cilin ndoshta e ndjekim në jetë, është të luftojmë për qëllimet tona. Dhe këto të jenë qëllime që nuk i shërbejnë vetëm interesit personal, por edhe atij të përbashkët. Si bullgarë jemi mjaft të bashkuar nga fakti se vijmë nga një atdhe i përbashkët, por është shumë e rëndësishme të mos harrojmë se, përveç se jemi individë të veçantë në këtë jetë, ne i përkasim komuniteteve, i përkasim Bullgarisë, dhe për këtë arsye duhet të ndjekim këtë shembull të ndritshëm – të përputhen qëllimet personale dhe ato të përbashkëta, në mënyrë që të jemi më të lumtur në jetën tokësore.”
Daniell Dimov, kryetar i shoqatës gjermano‑bullgare në Dyseldorf:
Daniell Dimov
FOTO: Еlena Karkallanova
“Ndonjëherë ndryshimi vjen edhe jashtë kufijve të Bullgarisë dhe shpresoj që njerëz të tillë të shërbejnë si shembull për të gjithë ne, në mënyrë që të vazhdojmë të punojmë, kështu që Bullgaria të jetë edhe më e mirë se dita e djeshme.”
Mariola Georgieva, drejtoreshë e shkollës bullgare në Itali:
“Amaneti i Botevit është të besojmë në vetvete, të jemi të fortë, të jemi të lirë dhe të besojmë në të ardhmen.”
Genço Banev, lektor i gjuhës bullgare në Universitetin e Athinës:
Genço Banev
FOTO: Elena Karkallanova
“Amaneti i Botevit që unë ndjek në jetën time sot? Kryesisht amaneti për bashkimin, për aleancën vëllazërore dhe të barabartë për të cilën ai flet, e cila na mundëson të kapërcejmë çdo vështirësi.”
Aneta Geranlieva, mësuese në shkollën bullgare të së dielës në Vjenë:
“Në dymbëdhjetë pa pesë lindi fëmija im i parë – një djalë, i cili, ashtu si Botevi, është dashamirës i lirisë, shumë i përgjegjshëm dhe i përkushtuar, dhe aktualisht merret me vullnetarizëm – ndihmon fëmijët e sëmurë. Për mua Botevi është shembull për t’u ndjekur dhe jam e lumtur që fëmijët e mi kanë trashëguar një pjesë të madhe të cilësive të tij. Ndërsa unë, në shkollën bullgare, përpiqem ta paraqes ashtu siç do të doja të ishin nxënësit e mi.”
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
- 150 vjet nga rënia e Hristo Botev dhe nga heroizmi i çetës së tij
- Historia e këngës “Danubi i qetë dhe i bardhë”
- Bullgaria përkulet para heronjve të saj
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Elena Karkallanova
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva