Enjte 11 Qershor 2026 09:14
Enjte, 11 Qershor 2026, 09:14
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Samiti i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) përfundoi në Sofje me një mesazh të përbashkët për më shumë unitet rajonal, siguri, lidhshmëri dhe perspektivë evropiane për vendet e rajonit, njofton BGNES.
Forumi shënoi 30-vjetorin e themelimit të SEECP, i iniciuar nga Bullgaria në vitin 1996. Takimi ishte faza përmbyllëse e presidencës bullgare të formatit, të cilën vendi ynë e mori vitin e kaluar nga Shqipëria. Në forum, Bullgaria ia dorëzoi postin e kryesimit fqinjës së saj veriore, Rumanisë.
FOTO: BTA
Pas përfundimit të takimit, deklarata të përbashkëta dhanë drejtuesit e delegacioneve të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.
Presidentja Ilijana Jotova deklaroi se nga vendet e rajonit varet që formati të marrë një dimension më të qartë praktik.
Ajo kujtoi se fillimi i SEECP u vendos pikërisht në Sofje me miratimin e Deklaratës së Sofjes për fqinjësi të mirë, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në Ballkan. Presidentja theksoi se Evropa Juglindore nuk duhet të perceptohet më si periferi. Ndër projektet e rëndësishme, Jotova veçoi ndërtimin e përshpejtuar të Korridorit nr. 8, i cili duhet të lidhë Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe rëndësinë e boshtit të Danubit, nevojën për një urë tjetër midis Bullgarisë dhe Rumanisë, si edhe lidhjen Silistra–Këllërash.
Preidentja bullgare Ilijana Jotova
FOTO: BTA
Në fushën e sigurisë energjetike, Presidentja theksoi rolin e interkonektorit të gazit me Greqinë, Korridorit Vertikal të Gazit dhe Korridorit të ardhshëm të Energjisë së Gjelbër, i cili duhet të lidhë Gjeorgjinë, Azerbajxhanin, Turqinë dhe Bullgarinë, e prej andej edhe vende të tjera të rajonit.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se Tirana po punon për zgjerimin e BE‑së në Ballkanin Perëndimor dhe se vetë Shqipëria synon të bëhet pjesë e BE‑së deri në fund të dekadës.
FOTO: BTA
Ministrja e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Oana Țoiu, vendi i së cilës merr presidencën e SEECP, tha se para 30 vitesh mezi dukej e mundur që vendet e rajonit të arrinin nivelin aktual të sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe aftësinë për të kapërcyer dallimet në emër të qëllimeve të përbashkëta. Ajo theksoi se në takim janë diskutuar shkëmbimet tregtare, investimet dhe lidhshmëria në një rajon me më shumë se 150 milionë banorë.
Lexoni më tepër:
- Presidentja: Një sistem rajonal sigurie dhe lidhjeje është e ardhmja e PBEJ
- Shqipëria është mike dhe partnere e besueshme e Bullgarisë
- Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut është në Sofje
- Presidentja e RMV vjen për një “bisedë të këndshme femërore” në Sofje
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva