Dëgjues indian mbetet besnik ndaj Radio Bullgarisë për mbi gjysmë shekulli

Premte, 26 Qershor 2026, 07:00

Dëgjues indian mbetet besnik ndaj Radio Bullgarisë për mbi gjysmë shekulli

FOTO: Kolazh i Elizabet Radkova

Madhësia e shkronjave

Para 55 vitesh, për herë të parë në jetën e tij, një djalosh i zgjuar nga India kap një sinjal nga një galaktikë e largët – ndoshta kështu i është dukur në vesh programi në valë të shkurtra nga… Bullgaria. Në vijë ajrore, Nju Delhi është vetëm 5000 kilometra larg Sofjes. 5000 kilometra që ndajnë dy universe. Njëri nga dëgjuesit më besnikë të Radio Bullgarisë jeton pikërisht atje, në kryeqytetin e Indisë. Historia e dashurisë së të riut Jayanta Chakrabarti me Bullgarinë fillon me një radiomarrës.

Më 11 shkurt 1971, në shtëpinë e tij në Nju Delhi, 11vjeçari Jayanta është i lumtur. Ai rrotullon butonin e programeve të radios së tij krejt të re – një dhuratë nga i ati. Një nga stacionet e para që kap transmeton në gjuhën angleze, por vjen nga një vend pothuajse i panjohur – nga Bullgaria ekzotike. Imagjinata e djalit ndizet. Ai bëhet dëgjues i rregullt i emisioneve të Radio Sofjes, i pushtuar nga një interes i pashuar për një vend të panjohur dhe të largët. Interes që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës.

“Që fëmijë jam interesuar për kulturat e vendeve të ndryshme. Interesi im për Bullgarinë është veçanërisht i madh, sepse edhe në kohën e komunizmit ajo ishte dukshëm më e zhvilluar se shumë vende të tjera të bllokut lindor – me industri të fortë dhe trashëgimi të pasur kulturore. Isha i mahnitur. Kjo kureshtje filloi që në vitet e mia të shkollës dhe me kalimin e kohës u rrit”, na shkruan ai.

FOTO: Arkivi personal i Jayanta Chakrabarti

Edhe sot e kësaj dite, Jayanta Chakrabarti ndjek emisionet e Radio Bullgarisë. Ai di për gjeografinë, historinë dhe proceset politike në vend më shumë se çdo bullgar mesatar.

“Si dëgjues i rregullt prej shumë vitesh i stacionit tuaj, ju dërgoj përshëndetjet e mia më të përzemërta me rastin e 90vjetorit tuaj,  na shkruan ai. – Jam krenar që jam dëgjues besnik prej gati 56 vitesh, që nga koha kur Radio Bullgaria quhej Radio Sofja.”

Pikërisht një vit më parë, në një bisedë me Radio Bullgarinë, Jayanta Chakrabarti ndau se ëndrra e tij është të vizitojë vendin për të cilin ka dëgjuar kaq shumë.

Dhe ja çfarë shkroi ai më tej në letrën e tij me rastin e përvjetorit të Radio Bullgarisë në shkurt, kur shënuam nëntë dekada nga transmetimet e para në valë të shkurtra për jashtë vendit:

“Radio Bullgaria për mua ishte një dritare drejt Bullgarisë së bukur, përmes së cilës mblidhja njohuri të vlefshme për historinë e saj të trazuar, kulturën, traditat dhe zhvillimin e saj ekonomik modern. Jam shumë mirënjohës edhe për faktin që Radio Bullgaria më ndihmoi të përmirësoj njohuritë e mia të anglishtes, e cila nuk është gjuha ime amtare.”

Z. Chakrabarti është radioamator dhe ky nuk është aspak i vetmi program që ai dëgjon. Pikërisht në sfondin e njohurive të tij të gjera dhe vëzhgimeve të thelluara mbi programe të ndryshme radiofonike nga e gjithë bota, vlerësimi i tij është edhe më i rëndësishëm për ne.

FOTO: Kolazh i Elizabet Radkova

“Radio Bullgaria ka përshkuar një rrugë të gjatë dhe të pasur me ngjarje që nga nisja e programit të saj ndërkombëtar në vitin 1936. Me kalimin e viteve ajo u shndërrua në një stacion serioz radiofonik, që ofron lajme dhe reportazhe autentike dhe të paanshme për ngjarjet në Bullgari dhe vendet fqinje të Ballkanit. Duke kaluar përmes tronditjeve politike dhe ndryshimeve teknologjike, ajo nuk e harroi kurrë rolin e saj si operator publik – të ruajë identitetin kulturor, duke mbajtur marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore me audiencën e saj globale.”

FOTO: Desisllava Semkovska

“I uroj Radios Kombëtare Bullgare (BNR) çdo të mirë në vitet e ardhshme dhe mezi pres të festojmë 100vjetorin e saj të ardhshëm. Mësova se BNR po përgatit një seri kartolinash QSL, të cilat me siguri do të kthehen në kujtime të çmuara për dëgjuesit e saj.

Po bashkëngjis një fotografi të radiomarrësit tim (National Panasonic). Ky marrës ishte një dhuratë nga babai im për ditëlindjen time të njëmbëdhjetë, dhe Radio Sofja ishte një nga stacionet e para ndërkombëtare që dëgjoja. Nëse kujtesa nuk më tradhton, Radio Sofja transmetonte në 11725 kHz në atë kohë.”

“Me përshëndetje të ngrohta nga India,

Jayanda Chakrabarti”

FOTO: Arkivi personal i Jayanta Chakrabarti

Falënderojmë z. Chakrabarti për fjalët e tij të mira dhe për besnikërinë e pandryshuar ndër vite. Ne jemi mirënjohës edhe për interesin e tij të qëndrueshëm ndaj vendit tonë. Historia e tij është një dëshmi tjetër për lidhjet që krijon radioja midis njerëzve dhe kulturave, pavarësisht distancave.

 

Lexoni më tepër:

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva