Violinistja Joanna Kamenarska promovon muzikën klasike bullgare përpara botës

Martë, 14 Korrik 2026, 07:00

Joanna Kamenarska

Joanna Kamenarska

FOTO: Joan Kolev

Madhësia e shkronjave

Më shumë se 40 violinistë bullgarë janë ndër ata artistë, që me talentin, punën dhe përkushtimin ndaj instrumentit kanë zënë disa nga pozicionet më prestigjioze, ëndrra e çdo muzikanti – koncertmaestër në orkestrat më të njohura evropiane. Krahas emrave të Allbena Danaillovës,  VaskoVasilevit, Svetlin Rusevit  dhe Vesko Eshkenazit,  të njohur brenda dhe jashtë vendit, si ndër bashkatdhetarët tanë, ashtu edhe ndër të huajit, mund të shtojmë edhe një emër tjetër – violinisten Joanna Kamenarska.

Talenti dhe përkushtimi i saj ndaj violinës i hapën dyert e një prej orkestrave më prestigjioze në Gjermani – Orkestrës Filarmonike Shtetërore të Hamburgut, ku ajo jeton tashmë prej 18 vitesh. Joanna Kamenarska tregon se është ndër fatlumët që e fituan vendin që në përpjekjen e parë, ndërsa që nga viti 2008 mban postin e koncertmaestres së orkestrës.

Dashurinë për muzikën ia atribuon nënës së saj, e cila është pianiste, si dhe mësuesve të saj të violinës, profesor Josif Radionov dhe Joakim Atanasov. Ajo pranon se i konsideron ata pjesë të familjes së saj dhe se prej tyre ka përvetësuar jo vetëm mësime muzikore, por edhe shumë mësime të vlefshme për jetën: 

FOTO: philharmoniesalzburg.at

"Fillova me piano dhe pastaj kalova në violinë, pa e kuptuar pse. Njerëzit rreth meje më kanë parë se si i kam dëgjuar violinistët e tjerë me gojë hapur dhe frymë të mbajtur dhe kanë thënë se këtij fëmije i duhet një violinë sepse është shumë i etur të luajë në këtë instrument. Violina, përveçse është instrumenti më i vështirë, është edhe më tërheqësja midis instrumenteve klasike. Tingulli është ajo që e tërheq atë."

Bullgaria zë një vend të veçantë në jetën e Ioannës, megjithëse ajo pranon se nuk e përcakton veten si patriote në kuptimin e vërtetë të fjalës.

FOTO: Facebook /Joanna Kamenarska

"Bullgaria më ka dhënë shumë në aspektin e arsimit, por ka edhe diçka shumë të veçantë në muzikën bullgare dhe në shpirtin bullgar - ndan violinistja. - Kjo më kujton diçka që më "ndjek" për të paktën dy dekada. Është se muzika bullgare ende nuk e ka zënë vendin e saj të merituar në trashëgiminë muzikore evropiane. Popullarizimin e muzikës klasike bullgare e konsideroj si një nga detyrat e mia."

Bullgaria është krenare për një numër të madh kompozitorësh të talentuar si Panço Vlladigerov, Ljubomir Pipkov, Parashkev Haxhiev,  Marin Goleminov  dhe Dimitër Nenov,  emrat e të cilëve janë pothuajse të panjohur për publikun evropian. Prandaj, Joanna është jashtëzakonisht mirënjohëse që në vitin 2024 ajo pati mundësinë të përmbushë ëndrrën e saj - të luajë një vepër nga Panço Vlladigerov në Hamburg. Shfaqja ishte e veçantë për një arsye tjetër - Koncerti i tij për Violinë Nr. 1 u interpretua për herë të parë që nga premiera e tij botërore në qytet në vitet 1920:

"U interpretua si pjesë e një cikli abonimesh të ekzekutuar nga Orkestra e Dhomës së Hamburgut, e cila e zgjeroi programin e saj posaçërisht për këtë rast. Koncerti ishte pjesë e programit, i cili ishte hartuar për të krijuar një lidhje artistike midis Joseph Haydn dhe Panço Vlladigerov. Në shikim të parë, kjo vështirë se do të dukej e mundur, por meqenëse ideja është se si ne, njerëzit, kombinojmë kulturat, do t'ju tregoj se çfarë i bashkoi dy veprat. Në Simfoninë nr. 104 të Haydn, të cilën publiku e njeh, një këngë popullore kroate u përdor për pjesën e fundit. Kjo ishte lidhja që na lejoi të thoshim se ndoshta Haydn e njihte Ballkanin, të paktën përmes muzikës, edhe pse nuk ka udhëtuar kurrë në malet Stara Pllanina, Rilla apo Pirin. Kroacia nuk është aq larg botës sonë, dhe ja ku kemi një urë të tillë. Kanë kaluar dy vjet që atëherë dhe është koha të mendojmë për një sfidë të re të ngjashme, dhe idetë për të tashmë po piqen."

Aktualisht, bashkëkombësja jonë e talentuar është në një farë pushimi, të cilin po e shfrytëzon për të menduar se sa energji dhe kohë mund dhe duhet t’i kushtojë angazhimeve të saj që tani e tutje, por ajo siguron se nuk po heq dorë nga muzika dhe së shpejti do të vazhdojë koncertet.

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva