Enjte 13 Gusht 2026 13:46
Enjte, 13 Gusht 2026, 13:46
FOTO: Bashkia e qytetit Burgas
Madhësia e shkronjave
Burgasi u zgjodh nga Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT) dhe Bashkimi Evropian për Radio dhe Televizion (EBU) si qyteti pritës i edicionit të 71-të të konkursit “Evrovision”, i cili do të zhvillohet në maj të vitit 2027. BNT do të organizojë edicionin e ardhshëm të konkursit pas fitores së Bullgarisë në “Evrovizion 2026” me këngën e Dara-s, “Bangaranga”. Kjo fitore i dha Bullgarisë të drejtën për të pritur edicionin e ardhshëm të një prej eventeve muzikore televizive më të mëdha në botë. Finalja e madhe e edicionit të 71-të të “Evrovizion”-it do të zhvillohet të shtunën, më 15 maj 2027, në “Arena Burgas”, në një prej qyteteve më të njohura bullgare në bregdetin e Detit të Zi. Dy gjysmëfinalet do të zhvillohen më herët gjatë së njëjtës javë, përkatësisht më 11 maj, të martën, dhe më13 maj, të enjten.
Fansat do të kenë gjithashtu mundësinë të blejnë bileta për gjashtë shfaqje paraprake (“Preview Shows”), të cilat do të zhvillohen nga e hëna, 10 maj, deri të shtunën, 15 maj 2027. Personat që dëshirojnë të blejnë bileta duhet të regjistrohen si Eurofan, në mënyrë që të kenë akses në shitjen e biletave sapo ajo të nisë. Informacione të mëtejshme për shitjen e biletave pritet të publikohen gjatë muajve të ardhshëm.
Gjatë javës së “Eurovision”-it, Burgasi do të organizojë edhe një program të pasur me aktivitete dhe evente të ndryshme.
Detaje të tjera për Eurovision Village, EuroClub, si dhe për programin kulturor dhe argëtues që do të shoqërojë konkursin, do të bëhen publike gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, njoftoi BNT.
- Fjala “Bangaranga” mori jetë në gjuhën bullgare
- Fitorja e Bullgarisë në Evrovizion në faqet e para të mediave botërore
- Eufori е paparë në rrjetet sociale pas fitores së Bullgarisë në Eurovision 2026
FOTO: BTA
Zgjedhja e qytetit pritës u bë pas një procesi shumë konkurrues dhe me disa etapa, të zhvilluar nga BNT në bashkëpunim të ngushtë me EBU-n. Një grup pune ndërkombëtar, i krijuar posaçërisht për këtë proces dhe i përbërë nga përfaqësues të BNT-së, EBU-së dhe ekspertë ndërkombëtarë me përvojë në organizimin e “Evrovizion”-it gjatë viteve të fundit, shqyrtoi dokumentacionin e dorëzuar, vizitoi sallat e propozuara, zhvilloi takime të tjera me ekipet e bashkive dhe mbajti një sërë takimesh pune gjatë gjithë procesit të vlerësimit.
FOTO: "Arena Burgas"
Vlerësimi u përqendrua në pesë fusha kryesore: infrastrukturën e propozuar, sallat dhe kërkesat teknike; angazhimin e qytetit dhe kapacitetin e tij organizativ e financiar; sigurinë, mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë; transportin, lëvizshmërinë, mundësitë e akomodimit dhe logjistikën; si dhe planet për përfshirjen e qytetit në aktivitetet e “Evrovizion”-it, identitetin dhe promovimin e qytetit, komunikimin dhe përvojën e përgjithshme të “Evrovizion”-it.
Pas këtij procesi, mes katër qyteteve kandidate – Varna, Plovdiv, Sofja dhe Burgasi – u zgjodh Burgasi si qyteti pritës i “Evrovizion 2027”.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova