KULTURË

Seksion

Përtej gjuhës: një udhëtim drejt Bullgarisë

Bullgaria përmes syve të tri studenteve shqiptare

Shtunë, 29 Gusht 2026, 20:50

Bullgaria përmes syve të tri studenteve shqiptare

FOTO: arkiva personale

Madhësia e shkronjave

Për tre studente shqiptare, dy nga Kosova dhe një nga Shqipëria, të përzgjedhura nga lektorët e bullgarishtes në Tiranë dhe në Prishtinë, qëndrimi në Veliko Tërnovo gjatë Seminarit të 49-të Ndërkombëtar Veror të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare u bë më shumë se një mundësi për të mësuar gjuhën bullgare. Përmes tre javëve të kaluara në Bullgari, ato patën mundësinë të njihnin nga afër historinë, traditat, folklorin dhe jetën kulturore të vendit, por edhe të krijonin kontakte me të rinj nga vende të ndryshme të botës.

Leonora Hajra dhe Rrezarta Morina, të dyja studente në Universitetin e Prishtinës, të nivelit PhD në Letërsi, njëkohësisht edhe mësimdhënëse të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, e shihnin udhëtimin drejt Bullgarisë si një mundësi për të njohur më nga afër një tjetër kulturë ballkanike.

“Për Seminarin Veror të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare, të zhvilluar në Veliko Tërnovo, jemi informuar nga profesoresha Mimosa Hasani-Pllana. Si organizim, m’u duk mjaft interesant. Ishte një mundësi e mirë për të parë më nga afër një mentalitet të përafërt me mentalitetin tonë dhe një mundësi shumë e mirë për t’u njohur nga afër me një kulturë ballkanike dhe, njëkohësisht, në kuadër të lëndëve që ndjekim në studime. Na zgjoi kureshtje pikërisht dëshira për të parë më nga afër si jetojnë, çfarë kulture kanë, çfarë gjuhe dhe çfarë teknikash mësimdhënieje kanë fqinjët tanë. Meqë kemi edhe letërsi komparative në kuadër të studimeve të doktoratës, është gjithmonë një interes të njohim më nga afër një popull që është edhe gjeografikisht afër me ne”, u shpreh Leonora në një intervistë për Radio Bullgarinë.

“Para ardhjes këtu, kemi filluar kursin e profesorit Raqi Bello. Këtë seminar e kemi parë si një mundësi të mirë ku mundemi, përveç gjuhës, të shikojmë ndikimin kulturor dhe atë folklorik, si dhe sesi mund të na shërbejë në studimet tona të doktoraturës”, na tregoi Rrezarta.


Leonora (në të majtë) dhe Rezarta (në të djathtë)

Leonora (në të majtë) dhe Rezarta (në të djathtë)

FOTO: arkiva personale

Për dy vajzat, një nga sfidat e para ishte alfabeti cirilik. Megjithatë, ajo që në fillim dukej si vështirësi u shndërrua shpejt në një përvojë interesante.

„Për ne ka qenë një eksperiencë goxha interesante të takohemi me një alfabet që nuk është latin. Përkatësisht, njohja e alfabetit cirilik ka qenë si sfidë në fillim, por është një sfidë e bukur“, u shpreh Leonora.

Interesi i tyre për Bullgarinë lidhej edhe me afërsinë gjeografike dhe kulturore me trevat shqiptare. Veliko Tërnovo, qyteti ku zhvillohej programi, u la përshtypje të veçantë pikërisht për këtë arsye. Ato e krahasojnë atmosferën e tij me atë të qyteteve shqiptare si Prizreni dhe Berati, duke vënë në dukje arkitekturën, historinë dhe karakterin ballkanik të qytetit.

Por ngjashmëritë nuk u kufizuan vetëm te qytetet. Gjatë aktiviteteve kulturore, studentet vunë re afërsi edhe në folklor, veshje, këngë dhe valle.

Programi u dha atyre mundësinë të shihnin një Bullgari që shkon përtej asaj që mund të mësohet nga librat. Një pjesë të rëndësishme të përvojës e përbënin vizitat në muze dhe njohja me mënyrën se si ruhen dhe promovohen historia dhe trashëgimia kulturore.

“Është interesant promovimi që i bëhet kulturës dhe historisë bullgare. Mendoj që është një promovim që duhet t’u jepet të gjitha vendeve të tjera. Ne, javën e parë, kemi parë një shfaqje përmes dritave, audios dhe zërave nga kalaja “Carevec” e Veliko Tërnovos. Mënyra sesi, në mënyrë të mrekullueshme, u paraqit vizualisht historia e Bullgarisë ka qenë diçka mbresëlënëse, që as vendet e zhvilluara nuk mendoj se i kanë kushtuar një rëndësi aq të madhe historisë. Ka qenë interesante të shohësh sesi një popull është aq i interesuar për të paraqitur kulturën e tij dhe për t’u shpalosur para të tjerëve të gjitha bukuritë që ka Bullgaria”, tregoi Rrezarta.

„Më ka bërë përshtypje se si kanë arritur t’i ruajnë vlerat ndër breza“, shtoi Leonora, duke vlerësuar kujdesin që i kushtohet trashëgimisë kulturore bullgare.

Bullgaria përmes syve të tri studenteve shqiptare

FOTO: arkiva personale

Nga ana tjetër, për Erinda Nelën nga Tirana, studente për Master në të Drejtën e Biznesit, vizita kishte edhe një dimension më personal: lidhjen e saj familjare me komunitetin bullgar dhe dëshirën për t’u afruar më shumë me rrënjët e saj.

Ajo e kishte nisur mësimin e bullgarishtes vetëm një semestër më parë në Universitetin e Tiranës me pedagogen e gjuhës bullgare, Dr. Miranda Bello. Zgjedhja e gjuhës, megjithatë, nuk ishte e rastësishme. Stërgjyshja e saj kishte origjinë bullgare, nga zona e Oreshkës, dhe pikërisht përmes gjuhës Erinda thotë se ka filluar të njohë më thellë historinë dhe kulturën e Bullgarisë.

„Kur mëson një gjuhë, nuk mëson vetëm gjuhën, por edhe mënyrën sesi një shoqëri e sheh botën“, shprehet Erinda në intervistën për Radio Bullgarinë.

Për të, ky udhëtim ishte një mënyrë për ta përjetuar gjuhën përtej klasave. Për tri javë, programi ndërthuri mësimin intensiv të bullgarishtes me aktivitete kulturore, ekskursione, vizita në muze, ligjërata për historinë dhe folklorin, si dhe muzikë e valle tradicionale.

“Nëpërmjet ekskursioneve vizituam edhe vende të ndryshme, njohëm nga afër historinë dhe kulturën bullgare. Ne shkuam në Ruse, vizituam muzetë atje, pamë historinë dhe traditat bullgare. Gjithashtu, vizituam edhe Kazanllëkun, ku ndodhet Lugina e Trëndafilave. Ishte shumë interesante të njihnim një traditë me kaq shumë karakteristika”, tregon ajo.

Një pjesë tjetër që e tërhoqi ishte folklori dhe mitologjia bullgare:

“Mbresa më lanë dhe orët e mitologjisë, që mësuam për figurat e folklorit bullgar, për samodivat, vampirët. Samodivat ishin një figurë e mitologjisë bullgare. Ne folëm për legjendat që lidheshin me to, për lidhjet e tyre me pyjet, me malet, për muzikën, vallëzimet që ato bënin, historitë e dashurisë me barinjtë dhe të tjera. Gjithashtu, kishim edhe orë vallëzimi, ku mësuam valle bullgare, ndër të cilat ishte dhe “Bjalla Roza”. Vallet bullgare ishin shumë të bukura, pak të shpejta, por më kanë pëlqyer shumë.”

Për Erindën, ky ishte një udhëtim drejt origjinës. „Nuk ishte thjesht një mësim, por ndjeva diçka emocionale“, shprehet ajo.

Erinda Nela (në të majtë) me studentët e tjerë

Erinda Nela (në të majtë) me studentët e tjerë

FOTO: Universiteti i Veliko Tërnovos "Shën Kirill dhe Metodij"

Një tjetër pjesë e veçantë e programit ishte kinematografia bullgare. Studentet nga Kosova tregojnë se filmat që panë gjatë qëndrimit u lanë përshtypje jo vetëm për nivelin artistik, por edhe për temat dhe mesazhet e tyre.

Në të njëjtën kohë, mikpritja e njerëzve ishte një nga elementet që të tria e përmendin si pjesë të rëndësishme të përvojës.

“Sa i përket popullit bullgar, është një popull jashtëzakonisht mikpritës; janë të sjellshëm, të dashur, të kujdesshëm dhe eruditë si popull”, tregoi Leonora.

“Nuk ndiheshim sikur ishim thjesht pjesëmarrës të një seminari, por sikur ishim mysafirë“, shton Erinda.

Bullgaria përmes syve të tri studenteve shqiptare

FOTO: arkiva personale

Në fund të qëndrimit, përvoja u shoqërua edhe me një rezultat personal për Erindën. Në testin përfundimtar të gjuhës bullgare, ajo mori pikët maksimale, rezultati më i lartë ndër pjesëmarrësit. Si kujtim, mori një kuti në formën e një libri, brenda së cilës kishte fotografi dhe kartolina me pamje nga qytetet bullgare.

Për të tria, megjithatë, vlera e kësaj përvoje nuk matet vetëm me rezultatet në gjuhë. Ajo lidhet me mundësinë për të parë një vend nga afër, për të kuptuar më mirë kulturën e tij dhe për të krijuar ura komunikimi me njerëz të tjerë.

„Është një seminar me shumë ngjyra, që ofron shumë informacion dhe është i mbushur me aktivitete kreative“, shprehen studentet nga Kosova.

Bullgaria përmes syve të tri studenteve shqiptare

FOTO: arkiva personale

Përtej mësimit të një gjuhe, qëndrimi në Veliko Tërnovo u dha atyre mundësinë të shohin Bullgarinë përmes qyteteve dhe historisë së saj, përmes muzikës e folklorit, përmes muzeve dhe traditave, por mbi të gjitha përmes njerëzve. Dhe pikërisht këto kujtime, më shumë se çdo mësim i marrë në klasë, janë ato që mbeten pas përfundimit të një udhëtimi.