SHOQËRI

Artikull

Letra për Radio Bullgarinë:

BNR është një dritare drejt kulturës dhe njerëzve të Bullgarisë

Shtunë, 12 Shtator 2026, 10:00

BNR është një dritare drejt kulturës dhe njerëzve të Bullgarisë

FOTO: Desisllava Semkovska

Madhësia e shkronjave

Për Radio Bullgarinë, veçanërisht e çmuar është lidhja e gjallë me audiencën e saj, përmes letrave të dëgjuesve tanë. Gjatë muajit gusht morëm sërish mijëra fjalë të ngrohta, histori personale dhe emocione të ndara me ne nga kënde të ndryshme të botës.

"I dashur ekip i Radio Bullgarisë, moti është shumë i nxehtë, prandaj më pëlqen të qëndroj në hije, të dëgjoj radio dhe të shkruaj letra, poezi dhe gjëra të tjera. Emisionet tuaja janë gjithmonë shumë interesante dhe meritojnë të dëgjohen. Gëzohem veçanërisht që muzika popullore bullgare po dëgjohet sërish gjithnjë e më shpesh. Ansambli i Muzikës Popullore i Radios Kombëtare Bullgare është i mrekullueshëm." Helmut Matt, Gjermani.

"Të nderuara zonja dhe zotërinj, edhe një herë ju falënderoj për lajmet nga vendi juaj. Më vjen mirë që Bullgaria e fitoi “Eurovision”-in.  Duhet të them se kënga më pëlqeu shumë. Ju uroj çdo të mirë dhe ju dërgoj përshëndetje të përzemërta.” Dieter Feltes, Gjermani

BNR është një dritare drejt kulturës dhe njerëzve të Bullgarisë

FOTO: Desisllava Semkovska

"Përshëndetje të përzemërta nga dëgjuesi juaj argjentinas, David Iurescia. Shpresoj që të gjithë të jeni mirë. E shijoj shumë programin tuaj përmes podcasteve në faqen tuaj të internetit. Shfrytëzoj rastin t'ju falënderoj për kartolinat e mrekullueshme QSL që mora nga ju."

"Shërbimi në gjuhën angleze paraqiti një program të balancuar mirë, i cili ishte njëkohësisht informues dhe tërheqës. Më pëlqyen veçanërisht reportazhet që prezantonin historinë, kulturën, traditat, turizmin dhe ngjarjet aktuale në Bullgari. Programet u ofrojnë dëgjuesve në mbarë botën një mundësi të shkëlqyer për të mësuar më shumë rreth Bullgarisë, popullit të saj dhe trashëgimisë së saj të pasur kulturore. Prezantuesit flisnin me shqiptim të shkëlqyer dhe me një stil të këndshëm, gjë që ua lehtësonte dëgjuesve ndërkombëtarë ndjekjen e programit. Është gjithmonë interesante të dëgjosh për festat bullgare, monumentet historike, muzikën, artet, arsimin dhe jetën e përditshme. Këto reportazhe i ndihmojnë dëgjuesit si unë ta kuptojnë më mirë vendin tuaj të mrekullueshëm. Mendoj se Radioja Kombëtare Bullgare vazhdon traditën krenare të transmetimit publik, duke ofruar programe edukative, kulturore dhe informative." Malik Hokhar, Pakistan

BNR është një dritare drejt kulturës dhe njerëzve të Bullgarisë

FOTO: Desisllava Semkovska

"Dua t’ju përgëzoj për përmbajtjen interesante që paraqisni në podcastin dhe në faqen tuaj të internetit. Falë tyre, mund të mësoj më shumë për Bullgarinë dhe integrimin e saj evropian, si edhe për kalimin nga leva bullgare në euro.

Mora kartolinën QSL me pamjen e qytetit të Trjavnës dhe për mua ishte një kënaqësi e madhe të njihem me këtë vend të bukur dhe interesant. Shpresoj të mësoj më shumë për vende të ndryshme në Bullgari dhe për kulturën e vendit tuaj.

Ju falënderoj shumë dhe ju dërgoj përshëndetje të përzemërta nga Meksika. "

Salvador Rojas, Meksika

"Me shumë kënaqësi dhe interes vazhdoj të dëgjoj emisionet e Radio Bullgarisë."

Konstantin Pravotorov, Ukrainë

"Sa kënaqësi është të udhëtosh me tren nëpër vise të ndryshme të Bullgarisë! Kam bërë shumë udhëtime, veçanërisht në linjat Sofje-Ruse, Sofje-Burgas, Sofje-Sandanski, si edhe në Rodope, nga Septemvri deri në Bansko. Përjetimet janë të papërshkrueshme. Prapë do të udhëtoj vetëm me trena.

Kam pasur rastin së bashku me familjen time të udhëtoj me këtë tren kaq romantik dhe të paharrueshëm gjatë pushimeve tona në Velingrad, hekurudhën engushtë të Rodopeve. Kemi udhëtuar nga qyteti balnear Velingrad gjer në Bansko. Kemi pasur një udhëtim që ka lënë mbresa në jetën time.

Po ashtu udhëtuam nga Velingradi deri në Septemvri, ku më pas vazhduam pjesën e dytë të pushimit për në Burgas. Aq bukuri natyrore përshkon gjatë udhëtimit me tren, sa që kemi mbetur të mahnitur.

Nga viti 1992 gjer në vitin 2006 pushimet verore i kam kaluar në qytetin Burgas, në lagjen Llazur. Meqenëse Liqeni Atanasovsko e kisha afër, pothuajse çdo ditë vizitoja këtë liqen të bukur pranë plazhit të Burgasit. Fëmijët e mi në atë kohë ishin te vegjël dhe lyheshin me baltën shëruese që ka ky liqen.

Sa bukur që Eurovisioni do të mbahet në Burgas! Burgasi është qyteti më i bukur dhe më i dashur për mua. Jam gëzuar shumë, ngase e meriton. Për mua është qyteti im i dytë që e dua shumë. Kam bërë më se 15 vite pushime në lagjen e famshme “Llazur” në Burgas pranë bregdetit të bukur. Gjithsecili që do ta vizitoj këtë qytet gjatë mbajtjes se Eurovisionit 2027 do te mbetet i fasionuar. Burgasi është zemra e Bullgarisë." Fadil Ribari, Kosova

BNR është një dritare drejt kulturës dhe njerëzve të Bullgarisë

FOTO: Desisllava Semkovska

"E dashur Radio Bullgaria! Për mua është shumë interesante ta ndjek vendin tuaj përmes emisioneve dhe faqes suaj të internetit. Shpesh gjërat në Bullgari duken ndryshe nga sa janë në Danimarkë. Kjo më jep përvojë të vlefshme, ju falënderoj! Ju falënderoj edhe për kartolinat QSL. Ato mbërrijnë pa asnjë problem, edhe pse pas njëfarë kohe." Hans Lollike, Danimarka.

"BNR-ja është një dritare e vërtetë që ofron një pamje panoramike të kulturës, gjuhës, njerëzve dhe shumë aspekteve të tjera të Bullgarisë. Shpresoj që të tërhiqni edhe më shumë dëgjues, të cilët do të fitojnë njohuri të thelluara për Bullgarinë." Shen Xin, Kina

BNR është një dritare drejt kulturës dhe njerëzve të Bullgarisë

FOTO: Desisllava Semkovska

Çdo njëra prej këtyre letrave të mrekullueshme është dëshmi se zëri ynë dëgjohet dhe prek zemra në mbarë botën. Vazhdoni të na shkruani, sepse çdo fjalë e juaja na jep krahë për të vazhduar përpara!

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva