Rumen Radev:

Priten prova për të përcaktuar se kush qëndron pas sulmeve në Detin e Zi

Premte, 30 Tetor 2026, 09:46

Rumen Radev

Rumen Radev

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Një avion francez patrullimi zbuloi dronët të paktën gjysmë ore para sulmit ndaj anijes “Contship Jet”, e cila u fundos në Detin e Zi. Këtë e bëri të ditur kryeministri bullgar Rumen Radev, në një deklaratë lidhur me sulmin ndaj anijes, më 28 tetor, rreth 21 milje detare në juglindje të Shabllës. Sipas tij, avioni dha informacion edhe për drejtimin në të cilin po lëviznin dronët. Kryeministri bëri të ditur se aktualisht po përgatiten të gjitha ekspertizat dhe se pritet të sigurohen prova që do të përcaktojnë se kush i kreu sulmet. Ai garantoi se, nëse vërtetohet origjina e dronëve, ministri i jashtëm do të thërrasë menjëherë ambasadorin e vendit përkatës për t'i dorëzuar një notë proteste.

I pyetur nëse anija erdhi nga lindja, Radev u përgjigj: “Sigurisht, anijet lundrojnë pranë bregdetit, ndaj është e natyrshme që të ketë ardhur nga lindja. Por nga është nisur, këtë ende nuk e dimë me siguri”. “Që nga ky moment, ekziston vetëm një zgjidhje për të qenë të sigurt se sulmet do të ndalen: armëpushimi dhe ulja në tryezën e negociatave për paqe”, tha edhe Rumen Radev. Ndërkohë, ai ngriti para sekretarit të përgjithshëm të NATO-s çështjen e nevojës për mbështetje shtesë nga aleatët.

Duke komentuar kritikat e mediave rumune lidhur me deklaratën e tij për sulmet, kryeministri tha: “Bullgaria nuk ka drejtuar akuza të prera ndaj asnjë vendi, pasi deri më tani nuk kemi pasur prova të sakta. Rumania deklaroi se agresori dhe burimi i këtyre dronëve është Rusia, por kjo nuk arriti ta mbrojë. Të nesërmen, dronët fundosën një anije, madje në ujërat e saj territoriale”.

Lexoni më shumë mbi temën:


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova