POLITIKË

Artikull

Situata politike në Bullgari me dy fjalë: "Prit të papriturën"

Premte, 12 Dhjetor 2025, 15:05

Situata politike në Bullgari me dy fjalë: "Prit të papriturën"

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Bullgaria po shkon drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme pasi më 11 dhjetor 2025 qeveria e kryeministrit Rosen Zheljazkov dha dorëheqjen. Kjo ndodhi mu para votimit të mosbesimit të gjashtë, i lidhur me politikën buxhetore dhe ekonomike. "Dëgjojmë zërin e qytetarëve që protestojnë", tha vetë Zheljazkov gjatë dorëheqjes së tij para parlamentit. Vendimi është rezultat i pakënaqësisë së akumuluar shoqërore, e shprehur përmes protestave masive në dhjetëra qytete të vendit dhe mes komuniteteve bullgare jashtë kufijve, të cilat vunë në pikëpyetje mënyrën e qeverisjes së vendit dhe kërkuan më shumë llogaridhënie ndaj qytetarëve.


Bozhidar Bozhanov

FOTO: BGNES

Qeveria dha dorëheqjen për të shmangur një konsolidim edhe më të madh të energjisë shoqërore, por gjithashtu edhe për të kaluar “pataten e nxehtë” dhe përgjegjësinë në duart e opozitës, komentuan analistët menjëherë pas ngjarjes. “Përgjegjësia që Bullgaria po shkon sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme u takon atyre që refuzuan të izolonin liderin e DPS-Fillimi i Ri, Deljan Peevski, refuzuan të bashkoheshin me kordonin sanitar dhe në këtë mënyrë e dënuan këtë qeveri me një delegjitimim të plotë në këtë afat të shkurtër, në të cilin kjo ndodhi” – kundërshtoi bashkëkryetari i “Po, Bullgaria” Bozhidar Bozhanov. Partia e tij është pjesë e koalicionit “Po e Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike” (PP-DB), me iniciativën e të cilit u organizuan protestat që u shndërruan në aksionin më të madh të pakënaqësisë shoqërore në dekadën e fundit.

FOTO: Borisllav Todorov

Shoqëria civile këmbëngul për fytyra të reja në politikë dhe zgjedhje të ndershme; pyetja që mbetet pa përgjigje për momentin është – si mund të justifikohet kjo dëshirë nga subjektet politike ekzistuese dhe nga ku do të dalë “shpëtimtari” i ri. Në këtë kuptim, dhjetori po paraqitet si shumë turbulent për politikanët në Bullgari. Deklaratat fillestare si nga forca më e madhe parlamentare GERB, ashtu edhe nga opozita në personin e “PP-DB”, janë të qarta se nuk do të kërkohen variante për riformatimin e pushtetit, në mënyrë që të mund të formohet një qeveri brenda përbërjes aktuale të Kuvendit Popullor. Teknikisht, megjithatë, një mundësi e tillë ekziston.

Edhe pse llogaritjet tregojnë se mund të gjendet një konfigurim qeverisës brenda Legjislaturës së 51-të të Kuvendit Popullor, ai do të ishte absolutisht i papranueshëm në sytë e shoqërisë, për shkak se zgjedhjet e fundit të tetorit 2024 u komprometuan nga shkeljet, ndërsa përbërja e parlamentit ka një përfaqësim jashtëzakonisht të ulët, pasi u zgjodh në kushte të një pjesëmarrjeje shumë të dobët – vetëm 38 % votues. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në pranverë shihen si një mundësi për të “rimbushur me legjitimitet” sistemin politik dhe për të rritur besimin tek institucionet.

Kaos politik, anarki para futjes së euros, bllokimi i politikës së të ardhurave të parashikuar në projektbuxhetin për vitin 2026 janë vetëm një pjesë e parashikimeve të zymta për të ardhmen, të cilat duken si kundërpikë ndaj energjisë pozitive dhe ndjesisë se ndryshimi është i mundur mes njerëzve të brezit të ri në protestat.

Petër Ganev

FOTO: BNR

Sipas ekonomistit Petër Ganev nga Instituti për Ekonomi të Tregut, situata do të jetë e nxehtë dhe, që të konsiderohen politikanët nga shoqëria si një alternativë, “nuk do të mjaftojë më thjesht të jesh kundër Peevskit dhe i sjellshëm”: “Kundërshtimi ndaj Deljan Peevskit mund të shërbejë si një platformë e përbashkët për bashkim, por marrja e votave kërkon që partitë të sqarojnë se cili është vizioni i tyre – a do të rrisin taksat, a do të reformohet administrata shtetërore, si do të tërheqin investime, a do të kthehemi tek pyetja ‘e përjetshme’ për Prokurorin e Përgjithshëm…

Nëse nuk ka vizion, nuk do të bëhet – tashmë jemi në një fazë ku secili duhet të thotë si e sheh këtë vend. Kjo do t’u jepte njëfarë mbrojtjeje qytetarëve, sepse gjithsesi kjo energji protestuese nisi për shkak të rritjes së barrës fiskale mbi punëtorët – aktualisht kjo është e shkruar në kornizën afatmesme për vitet 2027-2028. Dhe unë do të doja që ata që duan të fitojnë besimin e njerëzve dhe të protestës, të ofrojnë një alternativë ku ka edhe ndershmëri, edhe drejtësi, por edhe një buxhet që nuk rrit taksat, por që ndryshon mënyrën se si shteti ynë shpesh shpërdoron paratë tona” – komentoi Ganev për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT).

FOTO: BGNES

Nga këtu e tutje çfarë pason?

Do të nisë “ruleta parlamentare”, në të cilën presidenti duhet të japë mandatin për formimin e një qeverie të re. Nëse parlamenti aktual nuk arrin të nxjerrë një këshill ministror, pason emërimi i një kryeministri teknik dhe një kabineti me detyrën kryesore – organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Situata në të cilën gjendet shteti me dorëheqjen e qeverisë, në prag të një transformimi historik të lidhur me futjen e monedhës së përbashkët evropiane, nuk do të thotë mungesë pushteti. Derisa qytetarët të shprehen gjatë zgjedhjeve të parakohshme, pushteti ushtrohet nga qeveria në dorëheqje, e më pas nga një kabinet teknik.

“Parashikohen zgjedhje, të cilat me shumë gjasë do të jenë në fillim të marsit” – prognozoi për BNR gazetari Ivan Bakallov. Shumëkush pyet nëse Presidenti Rumen Radev ka mundësi të përfshihet në to si lider i një projekti të ri politik, në të cilin qytetarët të shohin “shpëtimtarin” e ri.

“Gjatë këtij periudhe të shkurtër Presidenti Radev do të humbasë pjesëmarrjen në to, sepse ai do të duhej të jepte menjëherë dorëheqjen dhe të krijonte një parti. Nëse ndërmerr këtë hap radikal, nuk jam i bindur nëse do të mbledhë më shumë pozitive apo negative” – theksoi në analizën e tij Bakallov.

“Tranzicioni nuk ka përfunduar, duhet të vazhdojmë ta ndjekim, të jemi aktivë. Është mirë që objektivi i ardhshëm, rreth të cilit do të bashkohemi, të mos jetë anti, por diçka pozitive” – këmbënguli për BNR Xhem Jumerov, student i gazetarisë me pozicion aktiv qytetar. Si përfaqësues i energjisë së re, mbi të cilën vendosen shpresat për rinovim, dialog politik dhe zgjidhje të problemeve të shtresave të ndryshme shoqërore, ai theksoi se mbetet në gatishmëri protestuese, ndërsa një nga gjërat më të rëndësishme është mundësia që çdo qytetar të mund të votojë ashtu siç ia dikton ndërgjegjja e vet.

Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva