MUZIKË

Artikull

Pritje historike – eufori dhe qindra fansa prisnin DARA në aeroportin e Sofjes

Bullgarja shkroi histori në edicionin e 70-të të “Evrovizion”-it

Dielë, 17 Maj 2026, 19:53

Pritje historike – eufori dhe qindra fansa prisnin DARA në aeroportin e Sofjes

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Bullgaria priti “mbretëreshën e saj të Evrovizionit”. Tapeti i kuq, një flashmob me “Bangaranga” në Aeroportin “Vasill Levski” dhe qindra fansa me pankarta, me flamurin kombëtar dhe disa prej tyre të veshur me kostume autentike kukerësh, mirëpritën DARA-n në Sofje pas triumfit të saj të madh në Vjenë.

“Po sjell për fansat e mi diçka shumë të veçantë”, tha DARA teksa zbriste nga avioni me trofeun në duar. Aty ajo u prit personalisht nga kreu i Policisë Kufitare.

Jo thjesht fituese, por simbol i një momenti historik për kulturën bullgare, interpretuesja e “Bangaranga” u përshëndet edhe nga ministri i kulturës Eftim Milloshev dhe kryetari i bashkisë së Sofjes Vasill Terziev, përpara se të “zhytej” në detin e njerëzve që e prisnin.


FOTO: BTA

“Po marr mesazhe nga e gjithë bota me një ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale, gjë që më bëri të kuptoj se kemi bërë diçka të madhe” – tha producentja muzikore e DARA, Sanija Armutlieva, për BNT. “Pushim nuk ka! Tani është momenti i saj. Ajo ka një disiplinë të jashtëzakonshme pune. Ajo që të gjithë panë nuk është vetëm talent”, shtoi ajo.

“Mësimi i DARA-s është për të gjithë Bullgarinë – e ardhmja është te të rinjtë”, tha ministri i kulturës Eftim Milloshev për BNT nga aeroporti.

DARA u largua nga kryeqyteti austriak nën tingujt e “Bangaranga”-s dhe me duartrokitjet e pasagjerëve në avion. Ky ritual u përsërit në përmasa edhe më të mëdha në aeroportin e kryeqytetit bullgar.

FOTO: BTA

DARA është tashmë një fenomen për të cilin po flet e gjithë bota.

Darina Jotova, më e njohur si DARA, ka lindur më 9 shtator 1998 në Varna. Ëndrra e saj ka qenë të bëhej kampione e gjimnastikës artistike, por muzika i fitoi zemrën, duke filluar fillimisht me studimin e këngës popullore bullgare, ndërsa më pas ndryshoi rrënjësisht drejtimin. Por fati duket se e kishte shkruar rrugën e saj – gjatë garës së “Evrovizion”-it, pikërisht Federata e Gjimnastikës Artistike ishte ndër mbështetësit më aktivë të këngëtares bullgare.

Suksesi i saj është i merituar: në vitet e mëparshme DARA ka fituar titullin “Këngëtarja më e mirë” në BGRadio (2018), ndërsa tre vjet më vonë u bë edhe trajnerja më e re në reality show-n muzikor televiziv “Zëri i Bullgarisë”.

Verën e kaluar ajo hapi koncertin e yllit botëror Robbie Williams, ndërsa para më pak se një muaji një tjetër emër i madh i muzikës – Eros Ramazzotti – interpretoi refrenin e “Bangaranga”-s gjatë koncertit të tij në Sofje.

FOTO: BTA

Bullgaria fitoi për herë të parë Evrovizionin, dhe pritet që bursa të kapitalizojë këtë fitore.

DARA triumfoi në Vjenë më 16 maj, duke siguruar epërsinë më të madhe ndaj konkurrencës në historinë 70-vjeçare të “Evrovizion”-it.  BTA citon parashikime akademike sipas të cilave Bursa e Sofjes pritet t’i bashkohet festimeve në hapjen e sesionit të së hënës, më 18 maj. Një sondazh në vendet e vlerësuara me këtë çmim prestigjioz, i publikuar në revistën Journal of Banking & Finance në vitin 2022, tregon se tregu i aksioneve në vendin fitues të “Evrovizion”-it shënon një rritje prej rreth 0,35% në seancën e parë të tregtimit pas konkursit. Ky është efekti më i vogël ekonomik i fitores në këtë garë muzikore; ndikimi në bursë zbehet relativisht shpejt, por përfitime të tjera si krenaria kombëtare, rritja e njohjes së industrisë muzikore dhe turizmit mbeten të rëndësishme.

FOTO: BGNES

“DARA nuk fitoi thjesht “Evrovizion”. Sonte DARA bëri diçka shumë më të madhe për Bullgarinë”, shkroi ekonomisti dhe politikani Mihail Kambarov. “Me triumfin e saj të jashtëzakonshëm në “Evrovizion 2026”, DARA i solli Bullgarisë miliona euro për ekonominë dhe një sasi të pakufishme guximi për këdo që ëndërron dhe punon për ëndrrat e veta.”

Ëndrrat dhe planet tashmë janë në zhvillim – kryetari i bashkisë së qytetit Burgas menjëherë pas fitores shprehu dëshirën e tij të prerë që qyteti bregdetar të presë “Evrovizion 2027”. Se cili do të jetë qyteti pritës në Bullgari – mbetet për t’u parë.

Lexoni më shumë mbi temën:




Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova