Artikull
Sofja pret që në Shkup të përmbushen angazhimet e marra ndaj BE-së
Enjte 11 Qershor 2026 10:47
Enjte, 11 Qershor 2026, 10:47
Presidentet e Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut
FOTO: president.bg
Madhësia e shkronjave
Bullgaria pret që Maqedonia e Veriut të përmbushë kriteret evropiane për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo u deklarua nga presidentja Ilijana Jotova gjatë një takimi me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska, njoftuan nga sekretariati për shtyp i kreut të shtetit.
Të dyja zhvilluan bisedime në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore në Sofje.
Jotova theksoi se Shkupi duhet të zbatojë propozimin francez të nënshkruar në vitin 2022, i cili u bë një qëndrim i përbashkët evropian për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Ajo nënvizoi se këto janë kritere evropiane për anëtarësim dhe jo kërkesa bullgare. Për të filluar negociatat, Shkupi duhet të përmbushë angazhimet e veta, duke përfshirë bullgarët në Kushtetutën e tij. Presidentja Ilijana Jotova bëri thirrje që të respektohen të drejtat e bullgarëve maqedonas dhe t’i vihet fund gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut.
Në bisedë, ku morën pjesë edhe Zëvendësministrja bullgare e Punëve të Jashtme Ivanka Tasheva dhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Timço Mucunski, kreu i shtetit ngriti çështjen e nevojës për trajtim për 23‑vjeçaren Iva Mihajllova, e cila u lëndua në një aksident. Asaj i janë marrë dokumentet e identitetit për shkak të hetimit që po zhvillohet për aksidentin dhe nuk ka të drejtë të largohet nga Koçani, ndërkohë që ka nevojë për trajtim në Bullgari, thuhet në njoftim.
E pyetur nga mediat bullgare se kur Shkupi do t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska deklaroi se “nuk është monarke për të ndryshuar kushtetutën; këtë mund ta bëjnë vetëm deputetët”. Ajo kërkoi shprehimisht që gazetarët bullgarë t’i drejtojnë pyetjet në gjuhën angleze, thekson BGNES.
Veçmas, para gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, Siljanovska deklaroi se në bisedën me Jotovën është bërë e qartë se “nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshimet në kushtetutë, por Bullgaria ka edhe kërkesa të tjera, që lidhen me protokollet që dalin nga puna e komisionit historik”.
Lexoni më shumë:
- Bullgaria ia dorëzoi presidencën e SEECP Rumanisë
- Presidentja: Një sistem rajonal sigurie dhe lidhjeje është e ardhmja e PBEJ
- Shqipëria është mike dhe partnere e besueshme e Bullgarisë
- Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut është në Sofje
- Presidentja e RMV vjen për një “bisedë të këndshme femërore” në Sofje
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva