KULTURË

Seksion

SINTRAK, aty ku fjala kthehet në lëvizje dhe trupi kthehet në varg

Premte, 9 Tetor 2026, 17:20

SINTRAK, aty ku fjala kthehet në lëvizje dhe trupi kthehet në varg

FOTO: Adnan Beci & Silvio Spahiu

Madhësia e shkronjave

Në Tiranë, fjala dhe lëvizja u takuan në një skenë të përbashkët. SINTRAK, festivali i krijuar nga Milena Selimi, solli së bashku letërsinë, poezinë, përkthimin dhe kërcimin bashkëkohor, duke krijuar një hapësirë ku historitë u kthyen në emocion, imazhe dhe lëvizje.

Ideja e SINTRAK-ut kishte kohë që jetonte tek Milena Selimi. Dy botë – lëvizja dhe fjala – kërkonin të takoheshin. Dashuria për kërcimin vinte nga i ati, Skënder Selimi, koreografi i parë shqiptar, ndërsa lidhja me fjalën, përkthimin dhe kulturën e tjetrit nga e ëma, Janka Selimi, përkthyese e mirënjohur. “Lëvizja dhe fjala qenë dy ide të kahershme, që endeshin tek unë, pa e gjetur sesi mund të lidheshin”, tregon Selimi. “Si duket erdhi çasti që të dyja këto gjini të bashkoheshin rreth një skene, ku poetë, shkrimtarë dhe kërcimtarë rrëfyen historitë tona njerëzore. Sintrak është vija e thyer ku poezia dhe koreografia bashkëkohore ndërpresin rrjedhën e zakonshme të sistemit. Pa ndjekur rrugët e rrahura SINTRAK krijon një trak të ri, një hapësirë ku zëri merr peshë fizike dhe trupi kthehet në varg. Sintrak është ndërhyrja që çmonton strukturat e vjetra për të lëshuar në skenë një energji të papërpunuar”, shprehet Milena Selimi në një intervistë për Radio Bullgarinë.

Milena Selimi

Milena Selimi

FOTO: Adnan Beci & Silvio Spahiu

Për tri ditë, Tirana u kthye në një “kohëstrehim” artistik, sic e përshkruan edhe Milena, ku letërsia, përkthimi dhe kërcimi bashkëkohor u takuan në një platformë ndërkombëtare. Dëshira e organizatores ishte e thjeshtë dhe njëkohësisht e madhe: “të krijohej një vend ku njerëzit të mblidheshin për të dëgjuar histori dhe për të parë se si ato histori mund të shndërroheshin në imazhe, koreografike”. Për të, arti dhe libri janë më shumë se forma të bukura shprehjeje. Janë një mënyrë për t’i dhënë njeriut një strehë në kohë pasigurie. “Misioni ynë, i njerëzve të letrave është të nxisim dhe përçojmë kulturën, librin, artin – një ilaç për pasigurinë në kohërat ku po jetojmë”, shtoi ajo.

SINTRAK, aty ku fjala kthehet në lëvizje dhe trupi kthehet në varg

FOTO: Adnan Beci & Silvio Spahiu

Një nga vlerat e festivalit ishte prania e autorëve dhe poetëve përtej kufijve, sepse takimi me tjetrin është gjithmonë edhe një mënyrë për të njohur më mirë veten. “Është e rëndësishme ardhja e poetëve dhe shkrimtarëve përtej kufirit. Në përballjen me tjetrin, të gjithë zbulojmë veten dhe udhëtojmë brenda vetes për të shkuar tek tjetri”, thotë Milena Selimi, e cila beson se Tirana e meriton një festival të tillë ndërkombëtar.

Edicioni i parë nuk ishte një sipërmarrje e lehtë. Pas perdes si gjithmonë fshihen shumë lodhje, përkushitm, koordinime datash, pjesëmarrësish, financimesh dhe shumë punë të padukshme. Por ajo që mbeti mbi të gjitha ishte emocioni. “Ky festival më solli shpresë, më frymëzoi, më bëri të besoj se lexuesi është, jeton dhe emocionohet nga autori”, tregon Selimi. Ndër momentet më të bukura ishin interpretimet e poezive nga balerinët e Shkollës së Baletit, me koreografi të Blerina Arbanës, në një skenë me pothuajse 25 kërcimtarë. Për organizatoren, disiplina, përkushtimi, pasioni dhe dashuria e tyre për artin e kërcimit ishin një nga surprizat e festivalit. Po aq emocionuese ishte të shihje poetët përballë veprave të tyre që merrnin jetë në skenë.

SINTRAK, aty ku fjala kthehet në lëvizje dhe trupi kthehet në varg

FOTO: Adnan Beci & Silvio Spahiu

Por një nga pamjet më të bukura të këtij edicioni ishte ajo e lexuesve që prisnin në radhë të takonin Georgi Gospodinovin. Radhët për autografin e tij u bënë një dëshmi e gjallë se letërsia ende ka fuqinë të mbledhë njerëzit. “Befasia ime më e madhe ishin radhët e lexuesve në pritje të autografit nga autori Georgi Gospodinov”, kujton Selimi. Ai i priti lexuesit me shumë dëshirë dhe kuriozitet, duke pyetur secilin për emrin, profesionin, librin që kishte lexuar. Madje pati edhe lexues që kishin ardhur për miqtë e tyre jashtë Shqipërisë dhe komunikonin me autorin përmes kamerës. Tirana e mirëpriti Gospodinovin me dy sesione autografesh, ndërsa një tjetër moment i paharrueshëm ishte heshtja e sallës pas përfundimit të bisedës me të. “Kur u ndezën dritat e ndjeva energjinë e sallës që nuk pipëtinte e më pas u derdh në duartrokitje. Ishte magjike”, thotë Selimi.

SINTRAK, aty ku fjala kthehet në lëvizje dhe trupi kthehet në varg

FOTO: Adnan Beci & Silvio Spahiu

Georgi Gospodinov ishte i ftuari i nderit i edicionit të parë, një zgjedhje që për Milenën kishte një kuptim të veçantë. Lexuesi shqiptar tashmë e njeh përmes katër romaneve të përkthyera në shqip, por ardhja e tij në Tiranë krijoi mundësinë që ai të dëgjohej drejtpërdrejt, përtej faqeve të librave. Gospodinov e ka nisur krijimtarinë si poet dhe për të fjala mbetet gjithmonë thelbësore. Selimi e përshkruan si një autor që nuk beson në historitë e ndërtuara si “tabela periodike”, ku çdo gjë dihet që në fillim. Ai shkruan histori natyrale, njerëzore, ku personazhet humbasin dhe gjenden, ku rrëfimi nuk ecën gjithmonë nga pika A në pikën B. “Unë doja që lexuesi i tij shqiptar t’i dëgjonte këto mendime nga afër, në një bisedë aq të thjeshtë dhe universale njëherazi, në një skenë të ngrohtë siç është Teatri i Kukullave në Tiranë, dikur ndërtesa e parë e parlamentit shqiptar. Jam e lumtur që kjo ndodhi,” vijon ajo.

SINTRAK, aty ku fjala kthehet në lëvizje dhe trupi kthehet në varg

FOTO: Adnan Beci & Silvio Spahiu

Në fjalën e tij në hapjen e SINTRAK-ut, Gospodinov u kthye te një nga gjestet më të lashta të njerëzimit: njerëzit që mblidhen rreth një historie, një poezie apo një vallëzimi. “Të rrëfesh histori rreth zjarrit prehistorik dhe të vallëzosh është përpjekja e parë për të ndarë me të tjerët një botë të panjohur, tërheqëse dhe kërcënuese. Përpjekja e parë për të krijuar një bashkësi apo për t’i kërkuar Zotit diçka të mirë për atë rreth të vogël njerëzish rreth zjarrit. Përpjekja e parë për të ndarë dijen. Përpjekja e parë për të krijuar kujtesë duke rrëfyer një histori. Dhe për ta zbutur sadopak këtë botë dhe tufën e frikërave brenda vetes.” – u shpreh ai.

Frika, sipas Gospodinovit, është një nga arsyet themelore përse shkruajmë. Ai tregoi se gjëja e parë që kishte shkruar dikur ishte një makth që i përsëritej në fëmijëri. Pasi e shkroi, makthi nuk u kthye më. “Ne i rrëfejmë historitë edhe për këtë arsye: për të zbutur frikërat tona”, tha ai. Pikërisht këtu ai falënderoi edhe krijuesen e festivalit, duke e cilësuar organizimin e tij në një kohë të përçarë, mes luftërash dhe katastrofash, si “një mrekulli dhe një akt të vërtetë guximi”, një “koreografi të veçantë të kuptimit”.

Georgi Gospodinov

Georgi Gospodinov

FOTO: Adnan Beci & Silvio Spahiu

Gospodinov foli për një botë të thyer dhe për një nga gjërat më të thyera të saj: komunikimin. “Shpërbërja e një shoqërie nis nga shpërbërja e komunikimit brenda saj”, tha ai. Në këtë realitet, letërsia dhe poezia kanë një rol të veçantë, sepse, siç u shpreh ai, punojnë “të zgjojnë njeriun brenda njeriut”. “Letërsia është një antidot natyror ndaj helmit të propagandës. Historitë tona, bisedat mes nesh, janë i vetmi mjet që mund të na ngjitë e të na bëjë bashkë sërisht. Për sa kohë njerëzit flasin me njëri-tjetrin, për sa kohë janë ende të aftë të mblidhen rreth një poezie dhe një kërcimi, të merren me përmasat më të larta të njerëzores, jo gjithçka ka humbur.”

Në fjalën e tij nuk mungoi as thirrja për më shumë empati. “Mendoj se bota sot ka nevojë urgjente për këtë bisedë, për të kapërcyer mungesën e thellë të empatisë. Na duhet një alfabetizim i ri i zemrës.Gjumi i arsyes lind përbindësha, thoshte Goya. Mund të shtojmë se gjumi i zemrës i bën këta përbindësha edhe më të mëdhenj. Dhe në fund vijnë diktatorët, të lindur nga gjumi i shoqërisë”, tha ai.

Në një botë ku nuk ka më qendër dhe periferi, ku kemi luftëra apo katastrofa, qendra e dhimbjes është kudo. “Ajo që dhemb atje, tashmë dhemb kudo”, u shpreh Gospodinov, duke e përshkruar botën si një trup të vetëm dhe një rrjet të vetëm. Prandaj sipas tij përkthimi i zërave që vijnë prej andej, përkthimi i historive që vijnë prej andej, është jetik. “Bota prej kohësh është bërë një trup i vetëm dhe një rrjet i vetëm. Dhe nuk mund të jesh i lumtur apo i qetë në njërin skaj të rrjetit, ndërkohë që dikush thërret për ndihmë në skajin tjetër.”- tha Gospodinov.

SINTRAK, aty ku fjala kthehet në lëvizje dhe trupi kthehet në varg

FOTO: Adnan Beci & Silvio Spahiu

Një surprizë e veçantë e festivalit ishin edhe poezitë e Georgi Gospodinovit, të lexuara për herë të parë në publik dhe të përkthyera në shqip nga Janka Selimi, përkthyesja e parë e Gospodinovit në gjuhën shqipe.

Në fund, ajo që mbeti nga ky edicion i parë ishte ndjenja se SINTRAK kishte arritur të krijonte atë për të cilën ishte menduar: një bashkim mes njerëzve, gjuhëve dhe formave të ndryshme të artit.

“Mendoj se SINTRAK frymëzoi, mendoj se SINTRAK bashkoi, mendoj se shkëmbimet letrare ndërkombëtare mes poetëve ndodhën”, thotë Milena Selimi. Dhe kur pyetet për një përkufizim të vetëm të festivalit, ajo i rikthehet fjalëve të Gospodinovit, të cilat duket se përmbledhin edhe shpirtin e SINTRAK-ut.

SINTRAK, aty ku fjala kthehet në lëvizje dhe trupi kthehet në varg

FOTO: Adnan Beci & Silvio Spahiu

SINTRAK e mbylli edicionin e parë me një ndjenjë bashkimi dhe shprese, por kjo histori sapo ka nisur. Milena Selimi është e bindur se festivali do të vazhdojë, ndërsa Georgi Gospodinov, “kumbar i festivalit”, do të mbetet një gur i çmuar në themelet e tij. Tashmë, mbetet të presim edicionin e dytë të SINTRAK – festivalin ku fjala kthehet në lëvizje dhe trupi kthehet në varg.


Lexoni më tepër: