Artikull
Premte 6 Shkurt 2026 06:15
Premte, 6 Shkurt 2026, 06:15
FOTO: olympics.com
Madhësia e shkronjave
Nga 6 deri më 22 shkurt, Alpet shndërrohen në zemrën sportive të planetit. Olimpiada Milano–Cortina 2026 mbledh atletët më të mirë të sporteve dimërore në botë, ndërsa Bullgaria merr pjesë me një ekip që ndërthur përvojën, talentin dhe shpresat për suksese të reja.
Vendi ynë del në skenën olimpike me një delegacion prej 51 anëtarësh, i cili do të mbrojë ngjyrat bullgare në gjashtë sporte dimërore. Në përbërje të delegacionit përfshihen 20 sportistë, si edhe trajnerët e tyre, drejtuesit, specialistët mjekësorë dhe teknikë. Olimpikët bullgarë do të garojnë në biatlon, ski alpine, ski vrapim, kërcim me ski, snowboard dhe patinazh artistik – disiplina në të cilat vendi ynë ka tradita, emra të afirmuar dhe yje të rinj.
Rruga olimpike e ekipit bullgar do të nisë me simbolikë të fortë. E vetmja përfaqësuese e Bullgarisë në patinazhin artistik, AleksandraFejgin, do të jetë flamurtare në ceremoninë e hapjes në Milano, ndërsa në Cortina d’Ampezzo flamurin bullgar do ta mbajë biatlonisti Vlladimir Iliev – një nga sportistët tanë më me përvojë në sportet dimërore.
FOTO: olympics.com
Përveç dy ceremonive kryesore të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, ceremoni të tilla do të zhvillohen edhe në dy lokacionet e tjera malore – Livigno dhe Predazzo, ku ndodhen edhe ekipet bullgare të snowboard-it dhe ski-vrapimit. Garuesit tanë kryesorë në snowboard, Radosllav Jankov (për të cilin këto me shumë gjasë do të jenë paraqitjet e fundit olimpike në karrierë) dhe Tërvell Zamfirov, regjistruan një mesazh video në mbështetje të ruajtjes së sllallomit gjigant paralel në programin olimpik – një vendim që pritet të merret pas përfundimit të Olimpiadës, njoftoi BNT.
Mes 20 sportistëve të nominuar për çmimin “Pjotr Nurovski”, të cilët do të marrin pjesë në Milano–Cortina, është edhe 16-vjeçarja MalenaZamfirova – fituese e votimit të komiteteve olimpike kombëtare në Evropë.
Delegacioni olimpik bullgar do të dallohet në pistat me uniforma të ndritshme, ku dominon ngjyra e kuqe. Megjithatë, dizajni përfshin edhe të tre ngjyrat e flamurit kombëtar – të bardhën, të gjelbrën dhe të kuqen. Veshjet u krijuan posaçërisht për ekipin bullgar nga kompania italiane VIST dhe ndërthurin funksionalitet sportiv me identitetin kombëtar.
Aleksandra Fejgin me uniformën e ekipit bullgar për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike
FOTO: Komiteti Olimpik Bullgar
Përgatitja dhe përbërja e ekipit tonë olimpik prezantohen në një udhërrëfyes të posaçëm prej 48 faqesh, botuar nga Komiteti Olimpik Bullgar. Në të u përfshin biografitë e të gjithë sportistëve dhe informacione për trajnerët. Në faqet e tij paraqitet edhe historia olimpike e Bullgarisë në Lojërat Dimërore, e cila daton që nga viti 1936, ndërsa përmes një kodi QR është publikuar edhe i gjithë programi i Lojërave të 25-ta Olimpike Dimërore në Itali.
Kryetarja e Komitetit Olimpik Bullgar, Vesela Leçeva, me udhërrëfyesin olimpik
FOTO: БТА
“Mos harroni kurrë parimet olimpike. Garoni me ndershmëri dhe integritet, dhe bëhuni shembull për të tjerët në gjithçka që bëni – si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Jam e bindur se Milano–Cortina 2026 do të mbetet një nga kujtimet më të çmuara jo vetëm në karrierën tuaj sportive, por edhe në jetën tuaj. Jepni më të mirën nga vetja, mos ndaloni kurrë së luftuari dhe vazhdoni të ëndërroni gjëra të mëdha!”, theksoi në fjalinë e saj drejtuar sportistëve kryetarja e Komitetit Olimpik Bullgar, Vesella Leçeva.
FOTO: REUTERS
Presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, gjithashtu do të mbështesë sportistët bullgarë dhe do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së forumit ndërkombëtar olimpik.
Me pjesëmarrjen e saj në Milano–Cortina 2026, Bullgaria hyn në edicionin tjetër olimpik me ambicien për të konsoliduar vendin e saj ndër pjesëmarrësit aktivë dhe të njohur në sportet dimërore.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova