Artikull
Bullgaria në gatishmëri:
Një përpjekje për heqjen e një teksti kyç nga raporti evropian për RMV-në
"Ka shumë mekanizma për të mbrojtur identitetin dhe interesat tona në Bruksel" – thotë ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme Milen Keremedçiev
Mërkurë 17 Qershor 2026 12:10
Mërkurë, 17 Qershor 2026, 12:10
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Parlamenti Evropian sot duhet të votojë raportin për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit evropian. Megjithatë, votimi paraprihet nga një rast i debatueshëm, për të cilin sinjalizoi zëvendëspresidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova – përpjekja për të hequr pikën 73 të raportit, e cila u bën thirrje historianëve dhe studiuesve, e jo politikanëve të RMV-së dhe Bullgarisë, të përcaktojnë se si interpretohet historia e përbashkët dhe si duhet të ndryshohen tekstet shkollore, në mënyrë që të mos nxitet urrejtje midis dy shoqërive.
Siç dihet, Bullgaria e mbështet anëtarësimin e fqinjit të saj jugperëndimor në Bashkimin Evropian, por këmbëngul që vendi të përmbushë angazhimet e marra, të përfshira në kornizën evropiane të negociatave dhe në marrëveshjet dypalëshe midis dy shteteve. Pas të ashtuquajturit "propozim francez" në vitin 2022, kushtet që lidhen me ndryshimet kushtetuese (të cilat duhet të përfshijnë bullgarët si popull shtetformues me të drejta të barabarta me komunitetet e tjera në vend) dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë u përfshinë në kornizën negociuese evropiane të RMV-së. Bullgaria thekson se këto marrëveshje nuk mund të rinegociohen, ndërsa pjesë e Marrëveshjes dypalëshe për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të vitit 2017 është edhe Komisioni i Përbashkët Multidisiplinar i Ekspertëve për Çështjet Historike dhe Arsimore.
Milen Keremedçiev
FOTO: Stefan Kunçev
"Kontestet dypalëshe janë pjesë e procesit negociues. Ne nuk duhet të ikim prej tyre", komentoi për BNR Milen Keremedçiev, ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Sipas tij, politikanët maqedonas po bëjnë përpjekje të mëdha që në çdo mënyrë të anashkalojnë propozimin francez, i cili u votua dhe u nënshkrua nga të gjitha shtetet anëtare dhe nga Maqedonia e Veriut.
"Maqedonia e Veriut dhe politikanët e saj duan ta tërheqin Bullgarinë në një konflikt dypalësh dhe ta shndërrojnë moszbatimin e marrëveshjes së nënshkruar me të gjitha shtetet anëtare pothuajse në një akuzë ndaj Bullgarisë, sikur ajo të jetë i vetmi shtet që e ndalon Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj evropiane. Nuk duhet të shqetësohemi në këtë drejtim", mendon ai.
FOTO: europarl.europa.eu
Ekziston rreziku që pika 73 e raportit të hiqet, gjë që kërkon aktivizim të fortë të eurodeputetëve bullgarë në të gjitha grupet parlamentare.
"Por edhe nëse kjo pikë hiqet, ky është një raport që në asnjë mënyrë nuk e heq veton, e cila është vendosur nga të gjitha shtetet anëtare për fillimin e procesit negociues për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE", shpjegoi Keremedçiev në një intervistë për programin "Horizont" të BNR-së.
"Politikanët maqedonas luftojnë me Bullgarinë në të gjitha frontet. Shohim këtë thirrje për urrejtje, këtë sharje të vazhdueshme ndaj Bullgarisë, tregimin me gisht si fajtorja e vetme për ndalimin e anëtarësimit evropian të Maqedonisë, e cila tashmë po hedh rrënjë të thella në shoqërinë maqedonase. Ka shumë akte agresioni ndaj Bullgarisë. Kjo urrejtje, që derdhet si nga mediat në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe nga politikanët maqedonas, depërton deri në shtresat më të thella të komunitetit maqedonas", komentoi ai.
Makinat e djegura përpara ndërtesës së ambasadës bullgare në Shkup
FOTO: BGNES
- Në Shkup u dogjën automjete diplomatike para Ambasadës së Bullgarisë
- MPJ-ja bullgare proteston ndaj Shkupit pas djegies së makinave diplomatike
- Shoqatat bullgare në Maqedoninë e Veriut dënuan sulmin në Shkup
- Ambasada bullgare pyet pse policia e Shkupit mbeti pasive gjatë zjarrvënies
Sipas tij, Bullgaria duhet të veprojë me shumë qetësi dhe të mos hyjë në këtë lloj retorike:
"Këtë po përpiqen të bëjnë aktualisht politikanët në Maqedoninë e Veriut – ta tërheqin Bullgarinë në një nivel shumë të ulët, me shkëmbim notash diplomatike, komente të zemëruara dhe përplasje verbale, duke e ulur kështu rëndësinë e detyrës kryesore, që është se Bullgaria duhet të jetë jashtëzakonisht aktive në Bruksel, në Parlamentin Evropian dhe në bisedimet me shtetet e tjera anëtare."
FOTO: Arkiv
Milen Keremedçiev është kategorik se duhet të jemi më të qetë dhe më të sigurt në të drejtën dhe veprimet tona. Bullgaria ka shumë instrumente me të cilat mund të përpiqet të tregojë se ky vend kandidat nuk i përmbush kërkesat dhe të mbrojë interesat e saj, theksoi ai.
"Edhe nëse kjo pikë hiqet nga raporti, nëse arrihet deri te hapja e kapitujve negociues, Bullgaria ka përsëri të drejtën e vetos dhe të vendosjes së kushteve që këta kapituj të mbyllen, ndërsa fqinjësia e mirë është një nga kapitujt e parë që hapet në procesin negociues. Parlamentet e të gjitha shteteve anëtare duhet ta ratifikojnë këtë traktat të anëtarësimit. Prandaj, edhe një herë Parlamenti bullgar do ta ketë fjalën vendimtare për ratifikimin ose jo të këtij traktati."
Shihni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:
- Prof. Tashev: S'ka nevojë për referendum për bullgarët në Maqedoninë e Veriut
- Eurodeputetët bullgarë janë të bashkuar ndaj provokimeve të Maqedonisë së Veriut
Intervistë: Diana Donçeva
Redaktoi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski