KULTURË

Artikull

Radio Bullgaria falënderon pjesëmarrësit në nismën "Mësim për Bullgarinë"

Mërkurë, 5 Gusht 2026, 07:00

Radio Bullgaria falënderon pjesëmarrësit në nismën "Mësim për Bullgarinë"

FOTO: Krasimir Martinov

Madhësia e shkronjave

Një nga nismat, me të cilat gjatë vitit 2026 Radio Bullgaria shënon 90-vjetorin e transmetimeve të para për jashtë vendit të radios bullgare, po i afrohet fundit. Për disa muaj me radhë, përmes rrëfimeve audio dhe video, dhjetëra nxënës të shkollave bullgare të së dielës jashtë vendit na zhvilluan një lloj "Mësimi për Bullgarinë". Ndërsa, në biseda me mësues dhe drejtues shkollash, ju treguam 12 histori besimi, shprese dhe pune të palodhur, të udhëhequra nga dëshira për të ruajtur dhe përcjellë shpirtin dhe kulturën bullgare te brezat që rriten jashtë kufijve të vendit tonë.

Radio Bullgaria falënderon pjesëmarrësit në nismën "Mësim për Bullgarinë"

FOTO: Facebook – Shkolla Bullgare e së Dielës "Abagar" në Romë

Materialet e dërguara nga nxënësit dhe mësuesit e tyre, të përpunuara nga ekipi i Radio Bullgarisë, i publikuam në faqen tonë të internetit, në faqen tonë në YouTube, ndërsa versionet audio të "mësimeve" u transmetuan në emisionet tona "Bullgaria Sot" dhe në programin "Hristo Botev" të Radios Kombëtare Bullgare (BNR). Të gjitha ato u frymëzuan nga vizitat e bashkatdhetarëve tanë të vegjël në Bullgari në kuadër të programit kombëtar të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës "Bullgaria – Rrugët Arsimore".

Erdhi momenti kur prezantojmë "Mësimin për Bullgarinë" e fundit, të paktën për tani. Ai është i mbushur me mirënjohje për të gjithë bashkëpjesëmarrësit në këtë nismë:


Radio Bullgaria falënderon pjesëmarrësit në nismën "Mësim për Bullgarinë"

FOTO: Cvetomir Nikollov

Si shenjë mirënjohjeje për historitë e ndara me ne, në fillim të vitit të ri shkollor (në shtator), Radio Bullgaria do t'i dorëzojë një certifikatë falënderimi dhe dhurata secilës prej shkollave bullgare që morën pjesë në nismën tonë "Mësim për Bullgarinë". Pakot e dhuratave përfshijnë lojëra argëtuese dhe libra me karakter edukativ, të cilët, besojmë, do të jenë të dobishëm edhe gjatë orëve të gjuhës bullgare dhe historisë bullgare.

Ndër këto materiale ndihmëse është edhe libri "Legjendat për qytetet bullgare – misteret pas emrave të tyre" i shkrimtarit të ri bullgar Cvetomir Nikollov. I frymëzuar nga ideja e nismës sonë "Mësim për Bullgarinë", ai vendosi t'u dhurojë fëmijëve bullgarë jashtë vendit edhe një tjetër libër të tij – "101 fjalë të urta, idioma dhe shprehje bullgare".  "Sepse besoj se lidhja me Bullgarinë nuk duhet të jetë vetëm një mësim nga libri, por një përjetim", – thotë Cvetomir Nikollov në një intervistë për Radio Bullgarinë.

Cvetomir Nikollov

Cvetomir Nikollov

FOTO: prikazkite.eu

"Për fëmijët në shkollat bullgare të së dielës, gjuha nuk është vetëm gramatikë. Ajo është mënyra për të folur me gjyshërit e tyre, për të kuptuar historitë familjare, për të kënduar këngë bullgare dhe për të ndier se kanë rrënjë. Nisma 'Mësim për Bullgarinë' është e çmuar, sepse tregon se Bullgaria nuk është vetëm një vend në hartën e botës. Bullgaria është gjuhë, kujtesë, familje, ndjenjë dhe përkatësi. Unë e mbështes këtë nismë, sepse besoj se kur një fëmijë e do gjuhën dhe historinë e vet, ai e mban Bullgarinë me vete, pavarësisht se në cilin shtet jeton."

Cvetomir Nikollov është një njeri që beson se fjalët nuk janë thjesht mjet komunikimi. Ato janë karakter, kujtesë dhe qëndrim ndaj botës. Prandaj, krahas jetës së tij të përditshme si sipërmarrës, ai i kushton një pjesë të kohës së lirë shkrimit. Ai ka botuar pesë libra autorialë, ku më të fundit lidhen me kujtesën popullore, shprehjet bullgare, legjendat dhe përrallat që kemi dëgjuar nga gjyshërit tanë kur ishim fëmijë.  Në librin "Legjendat për qytetet bullgare – misteret pas emrave të tyre", për shembull, ai hulumton histori nga 236 vendbanime bullgare, të lidhura me emrat e qyteteve, me mitet për themelimin dhe ekzistencën e tyre. Për të, historia më interesante në libër është ajo e lidhur me fëmijërinë e tij në qytetin Lom, të cilën e mban mend nga gjyshërit e tij.

Radio Bullgaria falënderon pjesëmarrësit në nismën "Mësim për Bullgarinë"

FOTO: Cvetomir Nikollov

Mësuesit bullgarë jashtë vendit nuk u mësojnë fëmijëve vetëm shkrimin dhe leximin – ata u përcjellin kujtesën brez pas brezi të popullit bullgar. Prandaj, Cvetomir Nikollov dëshiroi t'u drejtohej personalisht nxënësve dhe mësuesve të shkollave tona të së dielës në mbarë botën me mirënjohje dhe me këto fjalë:

"Fëmijëve do t'u thosha: 'Mos e shihni gjuhën bullgare si detyrim, por si një çelës. Ky është çelësi drejt familjes sonë, historive tona, paraardhësve tanë, këngëve, përrallave dhe vendeve nga vijmë. Sa më shumë gjuhë të mbani brenda vetes, aq më të pasur jeni.'  Ndërsa mësuesve do t'u thosha: 'Ajo që bëni ju nuk është vetëm mësimdhënie. Ju nuk u mësoni fëmijëve vetëm të shkruajnë drejt. Ju u jepni atyre vlerë dhe dinjitet. Ju u ndërtoni një urë drejt Bullgarisë.' Dua t'i falënderoj sinqerisht këta njerëz."

Radio Bullgaria falënderon pjesëmarrësit në nismën "Mësim për Bullgarinë"

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës "Rodoljubie" në Napoli, Itali

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski